Paratë në bankë, qytetarët në ankth!

    Kursimet e qytetarëve në mes të pasigurisë, një bankë nën administrim të përkohshëm dhe politika që shkëmben akuza për përhapje paniku. Kriza e “Alta Bankës”, e cila shpërtheu në Serbi dhe u reflektua edhe në Maqedoninë e Veriut, po shndërrohet në një përplasje të ashpër politike, ndërkohë që qytetarët kërkojnë përgjigje për fatin e parave të tyre. Përderisa në Serbi studentët protestues bëjnë thirrje për qetësi dhe mbrojtje të sistemit bankar, në Shkup pushteti dhe opozita akuzojnë njëri-tjetrin për politizimin e rastit.

    Në gjithë këtë debat, pyetja kryesore mbetet se çfarë do të ndodhë me bankën, kursimtarët dhe kompanitë që mund të preken nga kriza.

    Banka Popullore e Serbisë, më 31 tetor, ia hoqi lejen e punës “Alta Bankës” në Beograd, ndërsa më 3 nëntor ndaj saj u hap procedurë falimentimi. Këto zhvillime u pasuan nga vendimi i Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, e cila më 1 nëntor vendosi administrim të përkohshëm në “Alta Banka” SHA Manastir, ku banka e Beogradit është aksionare shumicë. Me vendosjen e administrimit të përkohshëm, drejtimi dhe administrimi i pasurisë së bankës në Manastir kaluan në kompetencë të tre personave të emëruar nga Banka Popullore.

    STUDENTËT NË SERBI KËRKOJNË QETËSI, NË SHKUP VAZHDOJNË AKUZAT

    Në një reagim të publikuar më 5 nëntor në platformën X, grupi protestues serb “Studentët në bllokadë” njoftoi se do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e sistemit bankar, duke u bërë thirrje Bankës Popullore të Serbisë dhe institucioneve të tjera që të angazhohen në këtë proces. “U bëjmë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë, por gjithashtu u bëjmë thirrje të gjithë analistëve, ekspertëve dhe atyre që paraqiten si të tillë, të mos përhapin informacione të paverifikuara dhe të pasakta me qëllim shkaktimin e panikut”, thuhet në reagimin e tyre.

    Në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq, Banka Popullore ka paralajmëruar se nxitja e shqetësimit në opinion dëmton besimin në sistemin bankar dhe prek drejtpërdrejt interesat e kursimtarëve. Megjithatë, rasti ka shkaktuar përplasje të forta ndërmjet pushtetit dhe opozitës. Kryeministri Hristijan Mickoski akuzoi LSDM-në se po përpiqet ta shfrytëzojë krizën për përfitime politike.

    “Rasti i ‘Alta Bankës’ është rast në Serbinë fqinje, ndërsa tek ne është një problem i importuar. Besoj se po e ndiqni histerinë që po krijon opozita, jo për të ndihmuar. Ata më së paku kujdesen për kursimtarët dhe kreditorët e ‘Alta Bankës’ në Manastir. Mendojnë se në këtë mënyrë do të përfitojnë politikisht dhe do të faktorizohen në skenën politike”, deklaroi Mickoski. Ai shkoi edhe më tej, duke vlerësuar se Prokuroria Publike duhet të shqyrtojë nëse veprimet e opozitës përbëjnë vepër penale, përfshirë sabotimin, për shkak të pretendimeve të tij se po përhapen informacione të pavërteta që krijojnë pasiguri te qytetarët.

    LSDM KËRKON DEBAT MBIKËQYRËS NË PARLAMENT

    Me kërkesë të LSDM-së, në Parlament pritet të zhvillohet debat mbikëqyrës për zhvillimet rreth bankës, me temë “Arsyet e vendosjes së administrimit në ‘Alta Banka’ SHA Manastir, roli dhe veprimet e Bankës Popullore dhe përgjegjësia institucionale”. Seanca e Komisionit për Financim dhe Buxhet, të cilin e drejton deputetja e LSDM-së, Sanja Llukarevska, është caktuar për më 11 nëntor. Nga VMRO-DPMNE-ja akuzojnë opozitën se po e zvarrit debatin, megjithëse, sipas tyre, më 2 nëntor ishte arritur marrëveshje që ai të mbahej sa më shpejt. Deputetja Dafina Stojanoska deklaroi se përfaqësuesit e shumicës kishin pranuar shkurtimin e disa procedurave parlamentare për të mundësuar informimin më të shpejtë të opinionit.

    “Është e qartë se qëllimi i opozitës është që çështja të politizohet sa më gjatë, pasi debatin e kanë caktuar për të mërkurën e ardhshme”, deklaroi Stojanoska. Ajo akuzoi LSDM-në se po përpiqet të fitojë kohë për të vazhduar, siç tha, përhapjen e frikës dhe panikut për sektorin financiar të vendit.

    Ndërkohë, Banka Popullore publikoi të dhëna për qarkullimin financiar të “Alta Bankës” në Manastir, duke iu përgjigjur pretendimeve për transferime të mëdha parash drejt Serbisë dhe Rusisë. Sipas institucionit, analizat e hollësishme nuk kanë evidentuar transaksione të tilla gjatë vitit 2025 dhe deri në fund të tetorit 2026. Banka Popullore njoftoi se transaksionet e klientëve me Serbinë kanë qenë në shuma relativisht të vogla, duke marrë parasysh vëllimin e përgjithshëm të veprimtarisë së bankës.

    Gjatë vitit 2025, hyrjet financiare nga Serbia arritën në 2,2 milionë euro, ndërsa daljet në 5,3 milionë euro. Nga janari deri në tetor 2026, hyrjet ishin 6,2 milionë euro, kurse daljet 7,2 milionë euro. Sipas Bankës Popullore, këto transaksione lidhen me veprimtarinë e rregullt të klientëve të bankës. Për të njëjtën periudhë, institucioni theksoi se nuk janë regjistruar hyrje apo dalje financiare në raport me Rusinë, as në qarkullimin e pagesave dhe as në bilancin e bankës.

    FILLOJNË PAGESAT PËR PENSIONISTËT DHE PËRFITUESIT E NDIHMËS SOCIALE

    Pavarësisht situatës së krijuar, Banka Popullore njoftoi se po ndërmerren masa për t’u mundësuar qytetarëve qasje në mjetet e tyre. Gjatë ditës së djeshme, “Alta Banka” në Manastir realizoi pagesa për 556 pensionistë që kanë llogari në këtë bankë, por nuk posedojnë kartela pagese. Fillimisht ishin planifikuar rreth 400 pagesa për qytetarët e njoftuar përmes mesazheve telefonike, por në sportele u shërbyen edhe persona që nuk kishin lënë numër kontakti dhe ishin paraqitur vetë. Qytetarëve iu mundësua të tërhiqnin deri në 20 mijë denarë, në kuadër të kufirit maksimal të lejuar për një periudhë dyjavore.

    Në llogaritë e bankës në Manastir janë transferuar edhe mjetet e Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, të destinuara për pagesën e ndihmës sociale, e cila pritet të fillojë sot, më 6 nëntor. Filiali në Manastir do të punojë në dy ndërrime gjatë ditës së sotme, si dhe të shtunën. Banka Popullore pret që gjatë javës së ardhshme, pas përgatitjeve të nevojshme, të hapen sportelet edhe në qytete të tjera.

    Kryeministri Mickoski deklaroi se për të ardhmen e “Alta Bankës” në Manastir ekzistojnë dy skenarë të mundshëm. Sipas tij, mundësia e parë është gjetja e një blerësi që do ta marrë përsipër dhe do ta konsolidojë bankën, megjithëse ai vlerësoi se kjo do të jetë e vështirë. “Shikoni çfarë po bëjnë. Mbajnë konferenca për shtyp para Bankës Popullore dhe i largojnë blerësit potencialë që mund ta konsolidojnë bankën”, tha Mickoski, duke iu referuar opozitës.

    Skenari i dytë, nëse nuk gjendet blerës, është heqja e lejes së punës dhe hapja e procedurës së falimentimit. Megjithatë, kryeministri u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e panikut. Sipas të dhënave që ai paraqiti, rreth 95 deri në 96 për qind e kursimtarëve kanë depozita deri në 30 mijë euro, të cilat, siç theksoi, janë të garantuara plotësisht. “Deri në centin dhe denarin e fundit do t’u kthehen”, deklaroi Mickoski. Ai shtoi se edhe kursimtarët dhe kreditorët e tjerë duhet të jenë të qetë, duke pretenduar se aktivet e bankës janë dy deri në tri herë më të mëdha se detyrimet e saj. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Burimi i protestës qytetare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë