Papunësia në Maqedoninë e Veriut nuk po kursen as personat me arsimim të lartë. Edhe përkundër diplomave universitare dhe titujve akademikë vazhdojnë të jenë në kërkim të një vendi punë. Të dhënat e Agjencisë për Punësim tregojnë se në fund të korrikut të vitit 2026, në evidencat e institucionit figuronin 664 magjistra dhe 27 doktorë shkencash të papunë, duke ngritur pikëpyetje për mundësinë e punësimit dhe shfrytëzimin e kuadrove të arsimuara në vend.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, nga 664 magjistra të regjistruar si të papunë, 404 janë gra dhe 260 burra. Ndërkaq, në mesin e doktorëve të shkencave, 13 janë gra dhe 14 burra. Këto shifra ngrenë shqetësimin për mundësitë e punësimit të kuadrove me arsimim të lartë, të cilët pas viteve të studimit dhe specializimit vazhdojnë të përballen me vështirësi për të siguruar një vend pune.
Problemi i papunësisë nuk kufizohet vetëm te personat pa arsimim apo me arsim të mesëm. Edhe personat që kanë përfunduar studimet pasuniversitare dhe kanë fituar tituj shkencorë përballen me konkurrencë dhe mungesë të mundësive për punësim. Një nga çështjet që shtrohet në këtë drejtim është nëse tregu i punës ofron vende të mjaftueshme për profilet e specializuara dhe nëse institucionet dhe sektori privat arrijnë t’i shfrytëzojnë kapacitetet e kuadrove të arsimuara.
Vështirësitë në tregun e punës janë veçanërisht të dukshme te të rinjtë. Sipas të dhënave vjetore për vitin 2025, shkalla e papunësisë në grupmoshën 15–29 vjeç ishte 23 për qind. Mungesa e përvojës profesionale, mospërputhja ndërmjet profileve të studiuara dhe kërkesave të punëdhënësve, si dhe ofertat me paga të ulëta, janë ndër faktorët që vështirësojnë punësimin e të rinjve. Për një pjesë të tyre, mungesa e perspektivës profesionale mbetet edhe një arsye për të kërkuar mundësi jashtë vendit.
Përmirësimi i tregut të punës kërkon politika që nuk përqendrohen vetëm në hapjen e vendeve të reja të punës, por edhe në krijimin e mundësive që përputhen me kualifikimet dhe aftësitë e qytetarëve. Më shumë bashkëpunim ndërmjet universiteteve, institucioneve dhe sektorit privat, si dhe orientimi i arsimit drejt nevojave reale të ekonomisë, konsiderohen të rëndësishme për të parandaluar që investimi në arsim të mos përfundojë me vite të tëra pritjeje për punësim. Shifrat tregojnë se sfida nuk është vetëm sa vende të reja pune krijohen, por edhe nëse ato ofrojnë perspektivë për qytetarët që kanë investuar në arsimimin dhe zhvillimin e tyre profesional. /Koha/




