Kush e solli Alta Bankën në RMV!

    Kush e solli Alta Bankën në Maqedoninë e Veriut, kush e lejoi hyrjen e kapitalit serb dhe kush duhet të mbajë përgjegjësi për zhvillimet që çuan në vendosjen e bankës nën administrimin e Bankës Popullore? Këto pyetje dominuan seancën mbikëqyrëse të Komisionit parlamentar për Financim dhe Buxhet, ku kryeministri Hristijan Mickoski dhe guvernatori Trajko Sllaveski u përballën me pyetjet e deputetëve. Në vend të një përgjigjeje të qartë për përgjegjësinë institucionale, debati u shndërrua në përplasje politike mes pushtetit dhe opozitës, me akuza të ndërsjella për vendimet që i paraprinë krizës.

    Kryeministri Mickoski, i cili ishte i pari që dëshmoi para deputetëve, deklaroi se Alta Banka AD Manastir nuk do të falimentojë. Ai u shpreh optimist se institucioni financiar do të gjejë pronar të ri dhe më pas do t’i bashkohet një banke tjetër.

    Megjithatë, vëmendje të veçantë shkaktoi deklarata e tij se partia politike E Majta (Levica) kishte një depozitë kursimi prej 250 mijë eurosh në Alta Bankë. Kryeministri nuk sqaroi burimin e këtij informacioni, ndonëse të dhënat për depozitat bankare i nënshtrohen konfidencialitetit bankar.

    FILIPÇE: PËRGJEGJËSIA MË E MADHE ËSHTË E MICKOSKIT

    Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, e akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin se mban përgjegjësinë më të madhe politike për hyrjen e Alta Bankës nga Beogradi në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut. “Pyetja kryesore është përse lejuat që një bankë e tillë të hyjë në vendin tonë, ndërsa ju nuk iu përgjigjët kësaj pyetjeje”, deklaroi Filipçe.

    Ai pretendoi se Qeveria kishte lejuar hyrjen e një banke me para të dyshimta, ndërsa kërkoi sqarime për komunikimin e kryeministrit me guvernatorin e Bankës Popullore. “Çfarë saktësisht i thatë guvernatorit, kur është e qartë se i dhatë urdhër që banka të hyjë në vendin tonë?”, pyeti Filipçe, duke akuzuar Mickoskin për ndërhyrje në një proces që duhet të jetë në kompetencë të institucioneve rregullatore.

    Nga ana tjetër, Mickoski u kundërpërgjigj duke pretenduar se pikërisht Qeveria e mëparshme e udhëhequr nga LSDM-ja kishte hapur rrugën për hyrjen e Alta Bankës.

    Sipas tij, në vitin 2023, gjatë mandatit të kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ministri i atëhershëm i Financave, Fatmir Besimi, kishte kërkuar që Qeveria të autorizonte Avokaturën e Shtetit për të hyrë në marrëdhënie me Alta Bankën nga Serbia, lidhur me shitjen e aksioneve shtetërore në Bankën Komerciale të Manastirit. “Në atë mbledhje qeveritare ka qenë e pranishme gjysma e grupit të sotëm parlamentar, që atëherë ishte pjesë e Qeverisë”, deklaroi Mickoski, duke pretenduar se vendimi kishte mundësuar shitjen e aksioneve shtetërore te Davor Macura.

    Debati u ashpërsua edhe pas pyetjeve të deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe partisë Levica. Deputeti Borislav Krmov kërkoi të dinte se në çfarë cilësie kryeministri ishte konsultuar me guvernatorin për hyrjen e bankës dhe në çfarë cilësie tani po angazhohej për gjetjen e blerësit të saj. Sipas Krmovit, me këto veprime kryeministri po vendoset mbi institucionet rregullatore dhe mbi kompetencat e tyre ligjore. Tensionet u rritën më tej kur deputeti Bojan Stojanovski ngriti pyetjen nëse deputetë të LSDM-së kishin depozita apo llogari në Alta Bankë, duke nxitur reagime nga deputetët opozitarë.

    SLLAVESKI: BANKA ËSHTË E SHËNDOSHË, PROBLEMI ERDHI NGA SERBIA

    Ndryshe nga përplasjet politike, guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, u përqendrua te gjendja financiare e bankës, duke këmbëngulur se vendosja e administrimit të jashtëzakonshëm nuk ishte pasojë e problemeve në bilancin e saj.

    Sipas tij, Alta Banka AD Manastir ka kapitalizim prej rreth 26 për qind, dukshëm mbi minimumin ligjor prej 8 për qind. Likuiditeti është i lartë, ndërsa kreditë problematike përbëjnë vetëm 2.9 për qind të portofolit të përgjithshëm. “Gjendja e Alta Bankës dhe bilanci i saj janë të shëndoshë dhe solidë”, deklaroi Sllaveski.

    Ai sqaroi se vendimi për vendosjen e bankës nën administrim ishte marrë më 1 nëntor, pas heqjes së licencës së Alta Bankës në Beograd nga autoritetet rregullatore serbe, natën ndërmjet 30 dhe 31 tetorit.

    Sipas guvernatorit, humbja e licencës nga banka amë në Serbi nënkuptonte se aksionari nuk mund t’i përmbushte më detyrimet ndaj bankës në Maqedoninë e Veriut. Për këtë arsye, Banka Popullore kishte marrë vendim për heqjen e pëlqimit të mëparshëm për zotërimin e aksioneve nga Alta Banka Beograd, duke ia hequr njëkohësisht edhe të drejtën e votës. Sllaveski theksoi se administrimi synon ruajtjen e gjendjes së qëndrueshme financiare dhe mbrojtjen e bilancit deri në gjetjen e një pronari të ri. Ai kujtoi se banka, e cila deri para një viti mbante emrin Banka Komerciale e Manastirit, kishte pasur strukturë të fragmentuar pronësie dhe probleme me qeverisjen korporative, për çka hyrja e një investitori strategjik ishte konsideruar zgjidhje për stabilizimin e saj.

    AZIZI AKUZON BDI-NË

    Ndërkohë përfaqësues të VLEN-it akuzuan BDI-në se është e përzier në sjelljen e Alta Bankës në Maqedoni të Veriut. Deputeti i VLEN-it Adnan Azizi kritikoi mospjesëmarrjen e deputetëve të BDI-së në debatin mbikëqyrës, duke i akuzuar madje se partia e Ali Ahmetit është e implikuar në shitjen e Alta Bankës. “Në vitin 2023 kur BDI ishte në qeveri, mbledhjen e qeverisë e udhëhoqi zv/kryeministri Artan Grubi, ku prezent ishin edhe ministrat tjerë të BDI-së. Në iniciativë të ministrit të financave u ngrit çështja për ardhjen e Alta Bankës në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Këtu përveç që Alta Bankës i paraprinë politika, kemi implikime të njerëzve që udhëheqin politikën këtu, në rastin konkret të Ali Ahmetit, në implikacionet financiare, të cilat duhet ti zbardh prokuroria, respektivisht organet e hetuesisë”, theksoi Azizi.

    BYTYQI KËRKON PROCESVERBALET: U THANË TË PAVËRTETA

    Përplasjet nuk përfunduan me dëshminë e kryeministrit. Gjatë dëshmisë së guvernatorit Sllaveski, deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, kërkoi ndërprerjen e seancës për 45 minuta, duke pretenduar se gjatë dëshmisë së mëparshme ishin paraqitur informacione të pavërteta. “Në dëshminë e mëparshme dëgjuam një sërë të pavërtetash. I kemi nxjerrë procesverbalet dhe kërkoj 45 minuta pushim që të bëhet e ditur e vërteta”, deklaroi Bytyqi.

    Në seancën mbikëqyrëse janë ftuar të dëshmojnë edhe ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ish-ministri i Financave, Fatmir Besimi. Përtej akuzave politike, mbetet për t’u sqaruar kronologjia e vendimeve për ndryshimin e strukturës pronësore të bankës, roli i institucioneve përgjegjëse dhe mënyra se si është ushtruar mbikëqyrja financiare. Ndërsa kryeministri premton se banka nuk do të falimentojë dhe guvernatori siguron se gjendja e saj financiare është stabile, pyetja se kush mban përgjegjësi për vendimet që çuan deri te ndërhyrja e Bankës Popullore vazhdon të mbetet pa një përgjigje përfundimtare. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Zvicër, propozohet paga minimale prej 5 mijë frangash për punëtorët me shkollim profesional

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë