Sonte (16.06.2022) në ora 20:00 në Teatrin e Tetovës do të jepet premiera e shfaqes së Molierit “Borgjezi fisnik”, me regji të Kushtrim Bekteshit, shkruan Nistori.
Shfaqja është komedi dhe në të marrin pjesë një kast i madh i aktorëve. Luajnë: Muzafer Etemi, Elmedina Ameti, Arsim Fazlija, Adrian Aziri, Ajshe Useini, Linda Shabani, Arta Zejneli, Elmir Sejfullai, Shkumbin Zeqiri, Burhan Amiti, Hasim Memishi-Sopi, Bekim Smaili, Bekim Jahiu dhe Ermal Çanga.
Soprano: Besarta Murtezani
Instrumeniste: Sara Sinani, Zulehan Saiti, Hana Abdullahi, Doriana Selmani.
Skenograf: Betim Zeqiri
Kostumografe: Emira Ymeri
Kompozitor: Fatos Lumani
“Është teksti integral i autorit, vetëm se normal intepretimi është më bashkëkohor. Por teksti, edhe në atë kohë por edhe tani është shumë për këtë kohë, sepse trajton fenomenin e borgjezisë, apo kur injorantët të paditurit, analfabetët, involvohen në rrethet elitare të një shoqërie. Bile besoj se pas shfaqjes, njerëzit kur do të shohin injorantë të këtillë nuk do thonë se janë injorantë, por do thonë ja Zhyrdeni. Shfaqja trajton edhe degradimin e vlerave në shoqëri si ato morale kulturore artistike e kështu me radhë”, deklaroi dje regjistori Bekteshi në konferencën për media.
Për çka flet Molieri në këtë komedi dhe kush është zotëri Zhurdeni?
Është një nga veprat më realiste e më me përmbajtje të thellë shoqërore.Molieri vazhdon traditat e komedisë popullore, por duke e ndryshuar në komedi balet, krijon ambientin për të goditur aristokracinë dhe për të vënë në lojë borgjezët mendjelehtë e hundë përpjetë, që përpiqen të imitojnë në çdo gjë aristokracinë e oborrit mbretëror.
Për më tepër, artadashësit thirren sonte të ndjekin për së afërmi të ndjekin shfaqen komike dhe të identifikojnë zhurdenin dhe zhurdenat e kohës aktuale. /Nistori/