“Kthimi në të kaluarën” i Osman Demirit, një libër me rrëfime të forta e copëza kujtimesh

    Promovohet libri “Kthimi në të kaluarën” i autorit nga Gostivari, Osman Demiri. Zakonisht Osmanin jemi mësuar ta shohim në sferën e fotografisë, por figura e tij poliedrike ka bërë që ai të shquhet edhe për poezi e tregime. Sipas Demirit, libri është reminishencë personale, por nuk do të thotë se lexuesi nuk e gjen veten në tregimet e tij autentike. Libri është nostalgji për të kaluarën, ku ai nëpërmjet tregimeve sjell copëza të jetës së tij, shkruan Nistori.

    “Është një kthim, një nostalgji për të kaluarën. Jam munduar që me disa tregime ta sjellë fëmijërinë time, faktikisht t’ua përcjellë fëmijëve të mi, të rinjve, por edhe njerëzve tjerë. Pati një moment ku u mallëngjye e tërë salla, më bëri përshtypje shumë dhe efekti i tregimeve të mia u arrit. Me vetë faktin se jeta çfarë dinamike ka, çfarë stresi, ka humbur çdo vlerë. Moralin e kemi për toke, arsimin poashtu. Mospajtime gjeneratash. Dikur nuk ishte kështu, diheshte se familja ishte qeliza kryesore e shoqërisë, e këto tash kanë filluar të mungojnë”, shprehet Demiri.

    Ai thotë se tërë kohën është marrë me fotografi dhe më pak me shkrime, por kohë pas kohe shkruan poezi e tregime. Ekspozita të fotografive të Osmanit do të kemi më shpesh, por për tregime e poezi do të duhet të presim më gjatë.

    Burim Myftiu i arteve vizuale thotë se Osman Demiri është figurë multidimensionale dhe i bën të dyja mirë, edhe fotografinë, por edhe shkrimin. “Nipi” ishte tregimi i tij i parapëlqyer nga ky libër.

    “Pas ishte tregimi i parë “Bakllavaja”, ajo bakllavaja e Gostivarit është shumë e mirë. Tregimi që më la më shumë përshtypje është tregimi “Nipi”. Është një temë shumë aktuale, një problem global që i kap edhe shqiptarët kudo që janë. Me këto video-lojërat, me varshmëri të ndryshme, interneti. Po e ngjashme me drogë e alkool. Video-lojërat i bëjnë shumë të izoluar, i shkëputin nga realiteti, që mund të kalojë deri në patologji e me pasoja të rënda. Ky tregim duhet të zgjojë prindërit nga gjumi, me qëllim që mos të lejojë fëmijët të futen në këto varshmëri”, deklaroi Myftiu.

    Sipas regjisorit Sulejman Rushiti, Osman Demiri është një figurë që kërkon shumë nga vetja, e njëjtë ndodh si me shkrimin, por edhe në sferën e fotografisë. Ai gjithmonë vjen me prurje të reja.

    “Osmani gjithmonë vjen me prurje të reja, me risi. Nuk është statik, është dinamik si artist. Edhe me tregimet shohim se ai sjell diçka të re, duke e krahasuar me veten e tij. Osmani sjell një mënyrë rrëfimi të veçantë. Mënyra e përshkrimit të situatave, të cilat i ka të natyrshme dhe kjo është ajo që e bën artin. Ai nuk imiton askënd, nuk dëshiron të ngjajë me dikë”, thekson Rushiti.

    E pyetëm poetin Lulzim Haziri nëse Osman Demiri është po aq i mirë sa në fotografi. Haziri për Nistori thotë se Demiri i ka shkrimet dhe poezitë si fotografitë.

    “Osman Demiri është e kundërta e asaj që është në fotografi. Në fotografi i jep rëndësi detajeve dhe të njëjtin e ngrit në perfeksion, në letërsi, përkatësisht në tregime Osman Demiri merret me rrëfenja, me karakteret e njerëzve të afërt. Letërsia e tij nuk është letërsi e shpifur, është letërsi reale”, thotë Haziri, duke shtuar se tregimet i ka si fotografitë, në kuptimin që janë të kondenzuara, fotografi me detaje përplot rrëfim, energji, të njëjtën e ka edhe në tregime, nuk i ka tregimet e gjata, por që flasin shumë dhe lënë shumëçka për të dëshiruar

    Sipas poetes Lindita Ahmeti, Osmani përveç mjeshtërisë që e ka në fotografi, ai ka një sens humori të veçantë dhe ajo do të dëshironte që ta sheh te fotografia, letërsia, por edhe humori.

    “Osmani përveç fotografisë që e bën mjeshtërisht, ka edhe një sens humori të veçantë, autentik. Gjithmonë mendoja se një njeri me sens humori të tillë, patjetër të ketë sens shkrimi dhe të shkruajë. E prisja se kur do të ndodhte, ndodhi, doli edhe libri dhe unë do ta lexoj me shumë kënaqësi”, shprehet Ahmeti.

    E veçanta e promovimit të librit ishte se dy tregimet e lexuara – pjesë të librit përlotën sallën, sepse nuk ka si të ndodhë ndryshe kur kujtojmë të kaluarat tona. Radhë e gjatë për të marrë një nënshkrim bashkë me librin, nga e cila vërehej kureshtja për të lexuar edhe tregimet tjera. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Lodhja kronike | Çfarë e shkakton dhe si ta shmangim?

    Lajmi i rradhës

    Reforma zgjedhore në partitë politike me qëndrime të kundërta për njësitë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë