Kënaqësia njerëzore për gjëegjëza – nga pikëpyetja në pikë?!

    Nga: Charles Spencer / The Daily Telegraph (Titulli origjinal: The cipher in space that aliens could use to end mankind / Kodet në hapësirë të cilat jashtëtokësorët mund t’i përdorin për t’ia dhënë fundin njerëzimit) / Përkthimi: Telegrafi.com

    Qoftë nëpërmjet fjalëkryqeve, Sudokut apo enigmave të tjera, truri i njeriut mund të fitojë kënaqësi të madhe nga përpunimi i saktë i asaj që përpiluesit kërkojnë prej ndjekësve të tyre. Dita ime nuk fillonte siç duhet, derisa nuk e deshifrova [lojën] Wordle. Paramendojeni eksitimin e Jean-François Champollionit, i cili arriti të përkthente Gurin e Rozetës – një dekret i lëshuar në Memfis të Egjiptit në vitin 196 p.e.s., në greqishten e lashtë, në hieroglifët egjiptianë dhe në gjuhën demotike.

    Guri i Rozetës u zbulua në vitin 1799, 2000 vjet pas krijimit të tij. Duke u bazuar në veprat e të tjerëve, Champollioni deshifroi plotësisht hieroglifët egjiptianë duke futur atë që mundte nga teksti grek, gjë që thoshte se përmbajtja ishte identike në secilën nga tri gjuhët e paraqitura. Champollioni kishte aftësi mahnitëse për gjuhët – në moshën 16-vjeçare i zotëronte tetë gjuhë të lashta. Kjo aftësi e ndihmoi të deshifronte fonetikën e hieroglifëve të Gurit të Rozetës, gjë që hapi rrugën e përkthimit të më shumë gjërave të tjera nga toka e faraonëve.

    Deshifrimi i një teksti tjetër, në dukje i pazbërthyeshëm, ndërlidhet me makinerinë gjermane Enigma, gjë që çmohet si një tjetër arritje vërtet mahnitëse: Komanda e Lartë Gjermane besonte se ishte e pathyeshme, pasi kishte 158,962,555,217,826,360,000 kombinime të ndryshme. Por, Alan Turingu e shpiku Bombe-n e tij, një pajisje që i shkurtoi shumë gjasat për ta thyer kodin. Me ndihmën e mendjeve të tjera të jashtëzakonshme të vendosura në Parkun Bleçli, britanikët mundën – që nga fillimi i vitit 1940 e tutje – të mësojnë lëvizjet taktike të radhës të Gjermanisë.

    Telegrami Zimmermann është shumë më pak i njohur. Megjithatë, ishte një nga mesazhet më të rëndësishme të deshifruara të shekullit XX. Në ditën e parë të Luftës [së Parë Botërore] së Madhe, britanikët prenë kabllot transatlantikë te të cilat Gjermania mbështetej për komunikimet telegrafike me Amerikën e Veriut. Pas kësaj, Marina Mbretërore krijoi Dhomën 40, ku u morën dhe u ekzaminuan kabllot e Gjermanisë.

    Dy nga deshifruesit e kodit që ishin në detyrë në mesin e janarit 1917, William Montgomery dhe Nigel de Gray, dorëzuan një dokument të deshifruar të ministrit të jashtëm gjerman Arthur Zimmermann, dërguar njeriut të vet në Meksikë. Në të, Zimmermanni i tha ambasadorit gjerman që t’ia ofronte qeverisë meksikane Teksasin, Arizonën dhe Nju-Meksikën – në këmbim të mbështetjes së tyre në luftë kundër Shteteve të Bashkuara. Megjithëse amerikanët e kishin rikthyer Woodrow Wilsonin në presidencë më 1916, pjesërisht për shkak të sloganit të tij të fushatës se “na mbajti jashtë luftës”, deshifrimi i Telegramit Zimmermann i paralajmëroi ata për kërcënimin e Gjermanisë ndaj sovranitetit të tyre. Amerika i shpalli luftë Gjermanisë pesë javë pasi mësoi fjalët e Zimmermannit.

    Pastaj janë Pllakat e Pioneer-it: dy panele të bashkangjitura në fluturaket kozmike të NASA-s, Pioneer 10 dhe 11, në vitet 1970. Formave të jetës në hapësirë, që janë mjaft inteligjente për të kuptuar, ato ua japin vendndodhjen e saktë të Tokës dhe shpjegojnë jetën njerëzore. Pioneer 10 u dëgjua 20 vjet më parë, kur ishte mbi shtatë miliardë milje larg në hapësirë. Por, ndërsa luftojmë me kërcënimin e inteligjencës artificiale, nuk e dimë me tamam nëse Pllakat e Pioneer-it ishin një gjë e mirë apo jo. Duhet të shpresoni se nëse diçka atje i zbulon, ajo është një forcë e mirë. Përndryshe, kënaqësia njerëzore për gjëegjëza të mira mund të shkojë nga pikëpyetja në pikë.

    Lajmi Paraprak

    “Kontrabanda me armë”, Musliu: Pse ndalon një “autoambulancë” në mes të rrugës, ku janë të mbledhur disa huliganë?

    Lajmi i rradhës

    Banorët e Sllupçanit: I bëjmë thirrje EVN-së që mos të na sheh si qytetarë të rendit të dytë

    Lajme tjera

    Intelektualët apolitikë

    Otto René Castillo. Sjellë në shqip nga Maksim Rakipaj  Një ditë,intelektualëtapolitikëtë vendit timdo të merren në pyetje,nga njerëzit më…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë