DITAR TETOVAR
29 dhjetor 2024
Kujtim Shabani
Një mik, profesor letërsie në Tetovë dhe botues, më propozoi ta vizitojmë panairin e librit. Pasioni i tij për librin është i papërshkruar! As që e dija se këto ditë mbahet ndonjë panair libri në Tetovë. Nuk e pashë të afishuar askund. Po shkoj me kënaqësi ku ka libra.
Në një panair libri në Tetovë kam qëlluar para shumë vitesh. Mbahej në Pallatin e Kulturës. Kishte shumë shtëpi botuese. Dhe shumica absolute e tyre shin shtëpi fetare islame. Dhe asnjëra prej tyre nuk e ofronte Kuranin! “Kurani nuk shitet, ai falet”, mundohet ta hedhë njëri. “Ma fal pra një!”, i them hazërxhevap. “Nuk e kemi”, ul kryet botuesi. Ndërkaq një botues “laik” e shiti një ekzemplar të Biblës në shqip. Në panairin e librit kishte më shumë CD! Më mirë të t’i çukisin gjërat te veshi. Kështu e do mileti.
“Panairi i Librit Tetova 2024”, kështu quhet më duket panairi i sivjemë, mbahet në qendrën tegtare Pallma Mall. Për të ishte ndarë një hapësirë relativisht e madhe në katin e dytë. Qendra tregtare zien. Zien! Kat më kat. Një restorant aty do të shpërthejë. I del tymi. Nga kuzhina e nga duhani. Këndi i lojërave valon nga fëmijë e nga të rritur. S’merret vesh kush e shijon më tepër. Panairi: shkretëtirë. Sahara! Aty ka më shumë botues se vizitorë. Si e llogaritëm më pas me mikun tim, ishin gjashtë botues. Kjo ishte situata në panair nga ora 18-19. Kjo mund të mos ishte reprezentative për kohërat tjera, për ditët e shkuara dhe për ditët e mbetura. Panairi paskësh dy-tri ditë hapur dhe do të qëndroka edhe tri-katër ditë. Pamja ishte e zymtë.
Oferta e librit nuk ishte e keqe. Prezantoheshin autorë shqiptarë dhe autorë të huaj. Kishte libra në shqip, në anglisht dhe në turqisht. Kishte klasikë të letërsisë dhe autorë të rinj. Kishte literaturë të “rëndë” dhe triviale; libra praktike, me këshilla, për psikologji, menaxhment e të tjera. Kishte libra për të rritur dhe libra për të fëmijë. Për fëmijë!
Prapë më shkon mendja ku më kishte shkuar njëherë tjetër: Sikur këto dy sfera të bashkëpunonin pak? McDonalds me paketën ushqimore të fëmijëve, “Happy Mill”, jep edhe një libër. Kam gjetur që kjo në Zvicër ngjet nga 2019-ta. Në Gjermani dhe në Austri nga 2012-ta. Kurse në Angli dhe në vendet skandinave kjo fushatë ka filluar akoma më herët. 2024 nuk do të ishte edhe kaq vonë për Tetovën.
Restoranti në këto vende jep libra të përzgjedhur me kujdes. Në Gjermani ai ka kontraktuar një shtëpi botuese me këshillimin e fondacionit “Lexoj”. Në Austri McDonalds përzgjedhjen e librave e bën në bashkëpunim me një organizatë jofitimprurëse për përhapjen e librit, “Klubi i librit”. Asistencë duhet, sepse ka libra dhe libra! Vetëm në një vit pas fillimit të fushatës, në Austri ai ka shpërndarë 1,3 milionë libra. Qëllimi: ngjallja e kënaqësisë së leximit dhe rritja e kompetencave të leximit dhe të gjuhës. Fondacioni gjerman në këtë fushatë e sheh një mundësi për luftimin e analfabetizmit funksional në vend.
Them ç’do të ishte sikur këto lokalet përreth zonës së panairit në qendrën tregtare që shesin ushqime të “shpejta” dhe të “ngadalta” t’u falnin fëmijëve nga një libër? Gjithë ai Döner, Hamburger, Chicken Nuggets, Pommes frites… që shitet aty – a nuk u del të japin nga një libër për fëmijë? Për çdo meny të plotë, a si do ta shihnin ata të arsyeshme.
Nuk besoj se McDonalds shet më tepër se këto lokalet në këtë qendër tregtare të Tetovës. Nuk besoj se disa nga qebaptoret e Tetovës shesin më pak hamburgera se filialet e zakonshme të McDonaldsit nëpër botë. Besoj thjesht se këtyre lokaleve nuk u shkon mendja ta përfshijnë librin në ofertën e tyre. S’ua ka dhënë i madhi Zot!
Po si nuk ngopen duke shitur gjithë këto ushqime, xhanëm?! Si nuk sfilitet gjindja duke ushqyer vetëm trupin, kurse vijën e mendjes e mban me dietë libri? Çështë ky agjërim nga leximi kështu?! Janë edhe ca ambiente të tjera aty, ku prindërit lënë rrogat e tyre për t’i zbavitur fëmijët. Kaq indiferentë të jenë këta në këtë kohë panairi?
Kur s’të është dhënë, të duhet thënë. Lidhjen e bën kush ka ndjeshmëri kulturore. Ata që vajtojnë për marrëdhënien e ftohtë që kanë me librin familjet sot. Kjo do negocim me të dyja palët. Një pjesëmarrje e tillë do t’i shërbente imazhit të këtyre ndërmarrjeve, por edhe bilancit të tyre tregtar. Do t’u shërbente shprehive të mira të leximit dhe gjithçkaje që ato sjellin me vete.
Pra, bëj një gjest, o rob! Restoran, a butik – ç’ke! Që nesër dikush të thotë: “Filani më dha një libër, dhe jeta ime ndryshoi”!
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.