Anës Lumenjve

    Fan Noli

    Arratisur, syrgjynosur,
    Rraskapitur dhe katosur
    Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
    Anës Elbë-s, anës Spree-së.
    Ku e lam’ e ku na mbeti,
    Vaj-vatani e mjer mileti,
    Anës detit i palarë,
    Anës dritës i paparë,
    Pranë sofrës i pangrënë,
    Pranë dijes i panxënë,
    Lakuriq dhe i dregosur,
    Trup e shpirt i sakatosur.

    Se ç’e shempnë derbederët,
    Mercenarët dhe bejlerët,
    Se ç’e shtypnë jabanxhinjtë,
    Se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
    Se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
    Ç’e shkretuan anembanë,
    Nënë thundrën e përdhunës
    Anës Vjosës, anës Bunës.

    Çirem, digjem i vrerosur,
    Sakatosur, çarmatosur,
    As i gjall’, as i varrosur,
    Pres një shenj’ e pres një dritë,
    Pres me vjet’ e pres me ditë,
    Se ç’u tera, se ç’u mpaka,
    Se ç’u çora, se ç’u mplaka,
    Lark prej vatrës dhe prej punës,
    Anës Rinit, anës Tunës.
    Çakërdisur, batërdisur,
    Përpëlitur dhe zalisur,
    ËndËronj pa funt, pa shpresë,
    Anës Elbë-s, anës Spree-së.

    Dhe një zë vengon nga lumi,
    Më buçet, më zgjon nga gjumi,
    Se mileti po gatitet,
    Se tirani lebetitet,
    Se pëlcet, kërcet furtuna,
    Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
    Skuqet Semani dhe Drini,
    Dridhet beu dhe zengjini,
    Se pas vdekjes ndriti jeta
    Dhe kudo gjëmon trumbeta.
    Ngrehuni dhe bjeruni,
    Korini dhe shtypini,
    Katundar’ e punëtorë,
    Që nga Shkodra gjer në Vlorë!

    Ky ilaç e ky kushtrim
    më bën djal’ e më bën trim,
    më jep forc’ e më jep shpresë,
    anës Elbë-s, anës Spree-së.
    Se pas dimrit vjen një verë,
    që do kthehemi njëherë,
    pranë vatrës, pranë punës,
    Anës Vjosës, anës Bunës.

    Arratisur, syrgjynosur,
    Raskapitur e katosur,
    brohoras me bes’ e shpresë,
    anës Elbë-s, anës Spree-së.

    Lajmi Paraprak

    PUNË NË GJERMANI | Dy ndryshime me interes për Ballkanin Perëndimor

    Lajmi i rradhës

    EDHE DEPUTET, EDHE MINISTËR! Ekspertët dhe Antikorrupsioni reagojnë për papajtueshmërinë e funksioneve

    Lajme tjera

    MOS MA KUJTO!

    Dritëro Agolli E shkuara ka çaste dhe orë të hidhura, mos ma kujto për shembull, më pe me…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë