Askush nuk është i paligjshëm

    Sead Zimeri
    Filozof

    Në gjuhën politike dhe ligjore të ditëve tona, pak shprehje janë më të ftohta, më çnjerëzuese dhe më të natyralizuara se ajo që u ngjitet atyre që kalojnë kufijtë pa leje: “migrantë të paligjshëm.” Kjo frazë nuk përshkruan një veprim, por vulos një njeri.

    Në gjuhën e së drejtës zakonisht dallojmë midis veprës dhe personit që e kryen atë. Dikush mund të shkelë ligjin, por nuk e quajmë “njeri i paligjshëm.” Por në fushën e migracionit, ky dallim zhduket. Termi nuk tregon thjesht shkelje të një rregulli, por e bën vetë personin të paligjshëm. Të jesh “i paligjshëm” nuk do të thotë vetëm të kesh vepruar në kundërshtim me ligjin, por të ekzistosh jashtë mbrojtjes së tij, si kërcënim dhe jo si bartës i të drejtave.

    Ne nuk flasim për “turistë të paligjshëm”, “kërkues pune të paligjshëm” apo “borxhlinj të paligjshëm.” Vetëm migrantët reduktohen në statusin e tyre, dhe vetëm këtu, shkelja kthehet në identitet. Kjo zhvendosje gjuhësore, nga përshkrimi i një veprimi në kriminalizimin e ekzistencës, nuk është rastësore. Ajo është ideologjike. Ajo shërben për ta paraqitur përjashtimin, ndalimin dhe dëbimin si domosdoshmëri juridike, kur në të vërtetë është një zgjedhje politike e veshur me autoritetin e ligjit. Etiketa “i paligjshëm” e bën përjashtimin të duket si reagim teknik ndaj një shkeljeje, dhe jo si akt i qëllimshëm për të përjashtuar nga të drejtat ata që ndodhen në hapësirën e gabuar.

    Ajo që e bën këtë emërtim vërtet të tmerrshëm nuk janë vetëm pasojat ligjore, por dhuna morale që mbart. Ta quash dikë të paligjshëm do të thotë ta zhveshësh jo vetëm nga statusi juridik, por nga vetë dinjiteti si qenie morale. Nuk është vetëm përjashtim. Është mohimi i qenies. Kjo fjalë sheshon të gjithë kompleksitetin e migracionit – luftërat, varfërinë, persekutimin – në një dënim të vetëm. Dhe kështu, ajo e kthen vuajtjen njerëzore në faj penal.

    Hannah Arendt paralajmëroi se pasojë më e frikshme e mungesës së shtetësisë është humbja e “së drejtës për të pasur të drejta” – një gjendje ku njeriu nuk numërohet më si subjekt i pretendimeve morale. Këtë e bën në praktikë fraza “migrant i paligjshëm.” Ajo emëron një kategori njerëzish që mund të shpërfillen, të burgosen, të dëbohen apo edhe të mbyten pa ngarkesë morale. Ky emërtim nuk përshkruan – ai vepron. Ai e justifikon indiferencën, legjitimon mizorinë dhe e zhduk njeriun nga horizonti ynë moral. Dhe kostoja morale e kësaj gjuhe është e thellë: mësojmë të pranojmë padrejtësinë jo sepse e duam, por sepse është bërë e zakonshme të mendojmë se disa njerëz nuk janë më pjesë e botës sonë morale.

    Kjo përvojë nuk është abstrakte. Shqiptarët, më shumë se shumë të tjerë, e njohin atë nga afër. Për dekada kemi qenë një popull në lëvizje – shpesh në rrethana të pasigurta dhe të pambrojtura – dhe shumë prej nesh e kanë ndjerë në lëkurë çfarë do të thotë të përmendesh si “rrezik,” si “problem,” si “i padëshiruar.” Kemi qenë objekt i diskurseve që nuk na njihnin si njerëz me histori, por si statistika për të kontrolluar. Prandaj, nuk mund të mos shqetësohemi kur retorika anti-migrante radikalizohet edhe në vende ku shqiptarët kërkojnë mbrojtje, punë apo dinjitet.

    Në kontekste të tilla, pasi është folur mjaftueshëm negativisht për migrantët, opinioni publik fillon ta pranojë këtë narrativë si të vetmen të vërtetë. Kështu bëhet shumë më e lehtë të ndëshkohen, të dëbohen, të u mohohen të drejta që në teori janë të garantuara për të gjithë.

    Nuk bëhet fjalë vetëm për terminologji. Gjuha formëson perceptimin, dhe perceptimi formëson politikën. Kur i quajmë njerëzit të paligjshëm, përgatitim terrenin për praktika që përndryshe do të na tmerronin. Mure ndarëse, qendra izolimi, ndarje familjesh, përplasje në det, dëbime të fshehta – të gjitha këto nuk shihen më si mizori, por si “procedura ligjore.” Gjuha e paligjshmërisë na mpin. Na thotë se nuk ka tragjedi këtu, por vetëm zbatim ligji. Ajo që do të ishte e papranueshme në raport me qytetarët, bëhet rutinë kur aplikohet ndaj “të paligjshmëve.”

    Nuk ndodh më thjesht një dobësim i ndjeshmërisë morale, por një normalizim i shpërfilljes. Ata që dikur do të ngjallnin dhembshuri, sot kalojnë pa u parë. Trajtimi si qeniet e dorës së dytë nuk shkakton më reagim, por racionalizim. Shpesh moralizohet me lehtësi aty ku nuk ka rrezik personal apo kosto morale. Por kur padrejtësia kërkon guxim – kur njerëzit keqtrajtohen për faktin se ndodhen në hapësirën e gabuar – heshtja bëhet normë dhe arsyetimet zëvendësojnë ndjeshmërinë.

    Dhe të jemi të qartë: të tregosh solidaritet me ata që nuk e kanë nevojë nuk është solidaritet i vërtetë. Vetëm kur qëndrojmë pranë të përjashtuarve, të përbuzurve, të pambrojturve, dinjiteti ynë ka kuptim. Nëse nuk mund të tregojmë guxim moral këtu, atëherë vlerat që pretendojmë të kemi janë të zbrazëta.

    Paligjshmëria si kategori juridike ka vendin e vet në rregullimin e veprimeve. Por kur shndërrohet në etiketë për vetë personin, ndodh një kapërcim: nga analiza e aktit, në mohimin e subjektit. Askush nuk është i paligjshëm. Migrimi mund të përfshijë shkelje ligjore, por këto nuk e fshijnë dinjitetin njerëzor, as të drejtën për të kërkuar një jetë më të mirë. Të quash dikë “të paligjshëm” është të mohosh njerëzinë e tij në vetë gjuhën që përdor për ta përshkruar. Është ta konceptosh praninë e tij si krim, jo si thirrje për kuptim.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Alarm për gratë: pastrimi i shtëpisë po ju dëmton mushkëritë

    Lajmi i rradhës

    Policia sekuestron armë në Shkup e Tetovë – të përdorura gjatë dhunës në familje!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë