Xhemazije Rizvani
Publiciste
Ishim nisur drejt fshatit Bojanë, vendlindjes së Daut Dautit, për të promovuar librin e tij me tregime nga fëmijëria, “Hapa shtalb”. Rruga na u bë edhe më e shkurtër dhe më e bukur me serenatat korçare, të cilat do t’i shijoja më shumë nëse do të heshtnim si profesoresha Merita Abazi, e cila flet vetëm kur duhet folur. Ndërsa unë dhe Valbona Zunçe folëm aq shumë, sa nuk dinim kur duhej të ndaleshim.
U ndaluam vetëm kur përpara nesh u shfaq natyra e mrekullueshme e Kopanicës. Dauti na e tregoi legjendën e Zabelit të Madh:
— Kush merr dru nga ky vend, detyrohet natën t’i kthejë, sepse xhindët e ruajnë këtë vend.
— Çfarë bëjnë xhindët?
— Shkojnë te ai që ka guxuar të marrë qoftë edhe një ashkël dhe i thonë: “Ktheje këtë dru te vendi që e ke marrë!” Njerëzit betohen kur rrëfejnë për këtë gjë se janë sprovuar.
— Legjendë ekologjike. I ka bërë mirë natyrës.
— Jemi rritur me shumë histori të tilla në Bojanë.
— Fshat paranormal, ose “Makondoja” e Daut Dautit.
— Rrëfimi në libër për gruan që e kam takuar vetëm një herë është i vërtetë.
— A lindin ende legjenda te ky vend?
— Nuk e dimë në janë legjenda, por deri më sot, njerëzit u besojnë si të ishin të vërteta.
— Sajesat e dikurshme që nuk ndodhin më…
— Nuk kanë më guxim të provojnë si dikur, ndaj nuk ndodhin.
— Po ku janë xhindët sot?
— Sipas të moçmëve, kanë hyrë në shpirtin e njeriut.
— Qofshin larg nesh!
— E sheh atë urën atje? Dikur nën të ka qenë një bazen që nxirrte shumë peshq. Burrat e fshatit i mblidhnin si fruta dhe ua dërgonin grave, të cilat nuk dinin ç’të bënin me to. I merrnin, i zienin në një tenxhere aq shumë, sa nuk e dije më si t’i haje, mbetej vetëm ashti.
— E ke edhe këtë në një tregim.
— Vendosa t’i jap rrëfimet ashtu siç kujtesa i kishte ruajtur ndër vite.
— Epo, në një fshat me këso historish, nuk ke si të mos bëhesh shkrimtar. Gati gjithë ditën kam qeshur me historitë për lindjet në shtëpi dhe regjistrimet e vonuara.
— Ashtu ka qenë. Unë, për shembull, nuk e di saktë datën e lindjes. Babën tim, kur gjyshi shkoi ta regjistronte me emrin e një djali që i kishte vdekur, i thanë: “Po ti veçse e paske të regjistruar.”
Më vonë filluan telashet: me tre vite vonesë filloi shkollën, dhe si i mitur u detyrua të bënte ushtrinë. Akoma më tragjiko-komike është historia e një tjetër që shkoi t’i regjistronte tre fëmijët në një ditë, secilin me nga tre muaj diferencë.
— Pra, në këtë vend ndodhin gjëra fantastike. Sa bukur që erdhe në vendlindje për të promovuar librat, e që na more dhe neve në shkollën ku ke mësuar…
— Veç mos m’i nxirr ato pjesët emocionale në intervistë ku mu mbushën sytë me lot, mos bëhemi si “Big Brother”.
— Ama atë historinë me Agollin dhe rrushin duhet ta themi…
— Si i rroku kokën me duar kur kuptoi se asnjë kokërr rrushi i Bojanës nuk përfundon as në verë, as në raki!
— Ma ke treguar edhe një histori tjetër më herët, kur dikush në fshat e kishte provuar lëngun e rrushit për herë të parë?
— I kishin vënë si turshi dhe kishte ndodhur procesi i fermentimit. Një plak i urtë, kur e provoi, mezi mbahej në këmbë. Kur doli te dera, pa mjegulla në oborr. Që atëherë vendosën se lëngu i rrushit nuk bëka për të pirë.
— Dhe që atëherë Bojana ka ruajtur fiqirin dhe nuk ngjan me asnjë fshat tjetër.
— Krejtësisht i veçantë.
— Bojana e rrushit dhe e Daut Dautit.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.