FILANICA

    Kujtim Shabani / Fotografia: Halim Luta

    SHËNIME NGA TETOVA

    Kujtim Shabani

    Më 1937 doli romani “Për minjtë dhe njerëzit” i shkrimtarit amerikan Xhon Stainbek. (Kjo vepër u botua për herë të parë në gjermanisht tre vjet më pas në Cyrih. Deri tani është përkthyer tri herë në këtë gjuhë). Thuhet që Stainbek e ka “huazuar” titullin e romanit nga poezia “Një miu” të Robert Bërnsit, e cila e përshkruan kuvendimin e një bujku me minjtë në arrën e tij. Ai i kërkon ndjesë miut sepse i ka prishur koshtarin. Vargu më i njohur i kësaj poezie çmohet ky: “Shumica e planeve të minjve dhe njerëzve / shkojnë ters”.

    Romani “Për minjtë dhe njerëzit” flet për ca punëtorë shtegtarë që rropaten pas “ëndrrës amerikane”. Ai e përshkruan aty një dramë të punëtorëve në ferma në Amerikën e viteve 20-30 të shekullit të kaluar. Nëntë personazhe defilojnë në gjashtë kapitujt e veprës. E vetmja grua në skenë është Gruaja e Kërlit. Ajo është dhe personazhi i vetëm që nuk ka emër. Ajo gjithë kohës quhet Gruaja e Kërlit! Ashtu e thërrasin të gjithë, derisa njëri e mbyt njëditë padashur me duart e veta. Ndërsa të tjerët e mbysin padashur përditë nga pak me gjuhën e tyre, duke e quajtur Gruaja e Kërlit. Me këtë gjetje Stainbeku e thekson në mënyrë të hollë depersonalizimin e gruas në atë kohë e në atë rreth shoqëror amerikan.

    Tani dëshiroj të spekuloj sesi do ta quante Stainbek një personazh grua sikur të shkruante një roman, ngjarja e të cilit do të ndodhte aty-këtu në viset e Maqedonisë së Veriut, në Pollog, diku në Tetovë, me ç’rast në mënyrën e vet do ta tematizonte statusin e gruas në këtë shoqëri. Si do ta quante ai, ta zëmë, gruan e Filanit këtu? Them do ta quante padyshim Filanica!

    Kjo thirrje është kaq e përhapur në viset tona! Dhe përdoret në mënyrë kaq të vetëkuptueshme nga burrat dhe gratë. Nga vetë gratë! Pa çka se kjo prapashtesë e mohon atë. E bën atë një -icë të burrit, një shtojcë të tij. Pa dinjitet e pa personalitet. E harron fare. “Iu harroftë emri!” është ndër mallkimet më të rënda që ka kultura shqiptare. Sepse njeriu mund të vdesë dhe t’i kujtohet emri. Po t’i harrohet emri duke qenë kaq e pranishme, me gjithë kontributin që ka gruaja shqiptare në shoqëri kudo qoftë ajo, është një gjëmë.

    E kam tematizuar këtë shprehje para ca vitesh në një tekst të një përmbledhjeje shënimesh. Po ende më bëhet sikur atë e kanë lexuar më shumë veta para se të botohet sesa pasi u botua. Dhe e ilustrova alarmin tim atëherë duke evokuar vargjet e paharruara të Çajupit: “Burrat nën hije / Lozin kuvendojnë / Pika që s’u bie / Se nga gratë rrojnë.” Dhe e theksova ende më fort duke sjellë admirimin e Dritëro Agollit për këtë grua në ligjërimin: “E si të mos këndojmë, poetë / për ato që kanë ditur në jetë / të lindin kreshnikë e perri / në maternitet e shtëpi / në mal a në arrë / duke prerë dru / e duke hedhur farë.”

    Avazi i referimit të grave si Filanica e Fistekica nuk e ka humbur aktualitetin dhe intensitetin as sot e kësaj dite. Sidomos në Maqedoninë – veriperëndimore – të Veriut. Në Pollog. Në Tetovë. Ndonëse e gjen edhe në Shqipëri. Në një film të kinostudios Shqipëria e Re gruaja e një drejtori, e Mitit, prezantohet në telefon me ironi si Mitica. Kurse kreu i opozitës në Shqipëri, i cili s’e kursen askënd, zonjën e kryetarit të Tiranës, tani në burg për alamet gjërash, e cila është bërë e njohur për mënyrën e kushtueshme të jetesës, e quan “Velica”.

    Pa qenë specialist i etimologjisë së fjalëve, atëherë si sot, më duket se ky komunikim i  shëmtuar në përditshmërinë tonë vjen nga maqedonishtja, sikurse edhe shumë shprehje të tjera të cilat përdoren me kaq lehtësi te ne. Prapashtesa “ica” ndaj emrave të burrit për gratë, për bashkëshortet, nuk është thjesht një shprehje që e shëmton gjuhën. Ajo depërton thellë në mendësinë e shoqërisë. E shënjon mënyrën e mendimit të saj. Raportin ndaj njerëzve.

    Për mua, nëse ajo është një fjalë e huaj, duhet të flaket. Nëse është një shprehje shqiptare, duhet të bëhet e huaj! Të bëhet e tillë duke e harruar, mohuar, përçmuar… dhe shumë “-uar” të tjera, të cilat shqipja i ka me dërhem.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Shtyhet debati për raportin për Maqedoninë e Veriut

    Lajmi i rradhës

    Një njësi zgjedhore, e dëmshme për shqiptarët!

    Lajme tjera

    Nënat

    Azem Shkreli Ato lahen në gazinTonë në lotët e tyre. Bëhen rojë muraneTe krojet e shterra të gjirit.…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë