FJALA SHQIPE

    Eroll Sejdiu
    Profesor

    Gjuha standarde shqipe është bërë një gjuhë “artificiale” jo aq nga përdorimi i fjalëve të huaja, sa nga sundimi i frymës së huaj, i theksit dhe i sintaksës së huaj.

    S’ka shqiptar që mund të thotë se e di tërë shqipen, por ka shqiptarë që nuk çajnë kokën se çfarë shqipe përdorin.

    E ata që kanë përdorur një shqipe të kulluar, të qartë e të saktë e me fjalë popullore, pa artificializëm intelektual, janë të paktë, si p.sh.: Çabej e Kadare, Xhuvani e Mahir Domi, Konica e Noli, Fishta e Kuteli, Lasgushi e Mithat Frashëri, Idriz Ajeti e Rexhep Qosja e disa të tjerë.

    Këta burra të mendjes e të penës kanë krijuar jo vetëm vepra themelore gjuhësie e letërsie, por edhe arkitekturë monumentale të gjuhës së shkruar shqipe. Ata kanë përdorur një shqipe popullore, kanë krijuar mjete shprehjeje të reja, tingëllima të reja, të cilat gjuha jonë e begatshme, nuk i kishte më parë.

    Në teprinë e tyre shkrimore ata kanë ndjekur parimin e drejtë: Të mos sforcohet përdorimi i tepruar i fjalëve dhe i frazave të huaja, as i fjalëve dhe i frazave artificiale në kuptimin e asaj që të mos errësohej gjuha. Prandaj, shkrimtarët e mirë të gjuhës, si ata të mësipërmit e disa të tjerë, kanë përdorur kur e kur NJË FJALË SHQIPE të farkuar me mjeshtri dhe një fjalë sinonime të huaj.

    Kësisoj , edhe për fjalët e huaja që na duken të papërkthyeshme, mjeshtrit e gjuhës kanë krijuar e kanë përdorur përgjegjëse shqipe të farkuara shumë drejt, të cilat mund të shtihen në qarkullim edhe në gjuhën standarde shqipe.

    Eqrem Çabej përdor fjalët shqipe: DUKET (efektet), PËRSËDYTJE (replikë); në përsëdytjen e tij: RRJEDHIM (derivacion); Duke shtegtuar JUGAZI (për në jug) etj.

    Nebi Çilka, mendimtar i hollë i botës shqiptare përdorte: NDIJIM (sensacion); Ndijimi (sensacioni) i së keqes po shpie në plogëti; PËRTHEN (reflekton), prirje VETORE (individuale); NJËNATYRSHMËRI (homogjenitet), GJËSUAR (realizuar) etj.

    Ernest Koliqi përdor: PËRGJITHMBARSHËM (universal), SHNDRITA (transfiguracion), MËTIM (pretendim) etj.

    Edhe populli vetë, farkuesi më i madh i gjuhës, ka përdorur e përdor shumë fjalë e shprehje të goditura, të cilat gjuha e “intelektualizuar” artificialisht më vonë i ka qitur nga përdorimi. Kësisoj, në kalendarin popullor për emrat e disa muajve janë përdorur formime shqipe, të cilat tashmë kanë kaluar padrejtësisht në fondin e arkaizmave, por që mund të shtihen prapë në qarkullim, si: DJEGAGURI (për gushtin, periudha më e nxehtë e vitit, pika e verës), VJESHTA E PARË (shtatori), VJESHTA E DYTË (tetori), BRYMËSI (nëntori), NGRIJËSI (dhjetori), e për (Vitin e Ri) KRYEMOTMOTI.

    Po të lexohen e të shfletohen më tej shkrimtarët e mendimit të thellë intelektual, do të mund të shohim se me ç’mjeshtëri të vërtetë kanë përdorur GJUHËN SHQIPE ata.

    Pra, nuk është GJUHA SHQIPE ajo që mund të jetë e prapambetur, por mund të jenë të prapambetur vetëm përdoruesit që e praktikojnë gjuhën keq, me fjalor të varfër e të zbrazët semantikisht e me gramatikë jokorrekte.

    Lajmi Paraprak

    VMRO-DPMNE nuk do ta përkrahë në Kuvend Talat Xhaferin

    Lajmi i rradhës

    U anashkaluan artistët shqiptarë në koncertin e natës së vitit të ri në Shkup

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë