Fjalia e fundit e librit është fati i njeriut

    Arsim Leskovica

    Kur kapni në dorë një libër është si një njeri. Titulli i librit është emri i njeriut. Kapitujt e librit janë karakteri i tij, ato që e cilësojnë atë. Stili në të cilin është shkruar libri është temperamenti i tij. Fjalia e fundit e librit është fati i njeriut.

    Po fjalia e parë?

    Fjalia e parë e librit është qasja, qëndrimi dhe ngjyra e zërit. Ajo që në momentin e parë të tërheq te një person, të tërheq edhe te një libër. Fjalia e parë e librit është aura dhe energjia e njeriut. Fjalia e parë është një hipnotizues i talentuar që nuk të lë të heqësh sytë nga libri. Ajo ju tërheq si dashuri në shikim të parë. Të rrëmben me përshtypjen e parë dhe të tërheq në botën e krijuar nga shkrimtari.

    Në leximin e parë, ju vendosni nëse bota e librit është ajo në të cilën do të dëshironit të jetonit. Ajo është sa mbyllja e syrit, që me takimin e një qenieje tjetër, vendos brenda pak sekondash nëse është pjesë e parajsës së tij, apo jo. Është sfrati që ndan autorin dhe lexuesin – nëse shkrimtari nuk e kapërcen atë pengesë të parë, do të jetë e vështirë të arrijë te personi tjetër. Megjithatë, ka libër që na blen në përshtypjen e parë dhe libër që duhet t’i japim një shans në fjalitë e ardhshme.

    Cili është roli i fjalisë së parë?

    Fjalia e parë e librit e përmban më së shumti djersën e shkrimtarit, sepse me të duhet të ndërlidhen gjithë fjalitë tjera. Ajo është fillesa dhe paraardhësi i tyre. Fjalia e parë parashikon veprimin, krijon atmosferën dhe pasqyron thelbin e librit. Të bën të pyesësh veten se sa kohë ka shpenzuar shkrimtari deri sa ka arritur në fjalinë e tij të parë ideale? Derisa e ka shkruar, ai ka mëtuar që fjalia e parë të jetë lidhje midis tij dhe ty. Pse e zgjodhi atë fjali si të parë? Teksa e ka shkruar dhe e ka fshirë kushedi sa herë, të ka pasur parasysh ty që do ta lexosh. Pse i kushtoi vëmendje të veçantë kësaj fjalie hyrëse, duke qenë se një libër ka mesatarisht dymbëdhjetë mijë e pesëqind fjali? Përgjigjen e kësaj pyetjeje do ta merrni kur të lexoni librin në tërësi dhe më pas, nga fjalia e fundit ktheheni tek e para.

    Pra, fjalitë e para nuk janë të rastësishme. Në fjalinë e parë të librit njihesh me shkrimtarin, ndërsa në të gjitha fjalitë e mëposhtme njihesh me veprën. Do të harroja pa përmendur kopertinat e librit. Çka më asociojnë ato? Mua më paraqiten si veshmbathja e njeriut. Ngjyrat e këmishës, materiali, pastërtia, por edhe grimi dhe dizajni. Ka prej kopertinave që kanë cilësi të lartë e janë të qepura mirë për fleta, por e tëra është kot nëse nuk ka brendi. Njësoj si njeriu.

    Sʼkanë thënë kot, njeriun e presim sipas veshjes, por e përcjellim sipas dijes.

    Shkrimtarët për fjalitë e para thanë:
    “Shumica e tregimeve të mia janë nxjerrë nga fjalitë e para – janë fjali që më vijnë në momente të paparashikueshme” (David Albahari në Antologjinë “Si shkruajnë shkrimtarët”).

    “Gjëja më e vështirë është gjithmonë fjalia e parë” (Orhan Pamuk për problemin e fjalisë së parë). Orhan Pamuku shkruan dhe fshin fjalinë e tij të parë pesëdhjetë, madje një mijë herë. E shkruan me dorë, në fletore, vetëm në njërën anë, ndërsa anën e kundërt e lë bosh për shtesat dhe ndryshimet e mëvonshme.
    Më pas, ai ia dërgon ato fletore për t’i ridaktilografuar, i cili pastaj ia kthen si dorëshkrim, më pastaj ai bën ndryshime, në mënyrë që daktilografi të bëjë një version të ri në bazë të këtyre ndryshimeve. Dhe vazhdon kështu, tre deri në katër cikle. Pamuku shkruan kudo që e gjen frymëzimin: në aeroplan, dhomë hoteli dhe vende tjera. Nuk është e mundur të kujtosh çdo fjali të parë nga librat, por, megjithatë, disa fjali hapëse e bëjnë veprën të paharrueshme dhe bëhen histori.

    Lajmi Paraprak

    Demokracia në RMV – A jemi në rrugën e duhur?

    Lajmi i rradhës

    Realiteti i vrazhdë i gazetarëve në Maqedoninë e Veriut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë