Gra tradicionale të veshura me Gucci

    Elmedina Shafi Berzat, komunikologe

    Elmedina Shafi Berzat
    Komunikologe

    Nën udhëheqjen e dy “lidereve” në rrjetet sociale në kategorinë e grave tradicionale, Narra Smith dhe Ballerina Farm, po ndërtohet një lëvizje për të tërhequr gratë drejt titullit “gra tradicionale” apo, siç njihet nëpër rrjete: “tradwives.” Shumë gra dhe vajza të reja po ndikohen nga kjo dhe nga imazhi që përcillet brenda 30 apo 60 sekondave të ndara nga ana e tyre në rrjet.

    Nëse bëhet një analizë sipërfaqësore e vlerave mbi të cilat ato kanë ndërtuar profilet e tyre publike, njëra nga ato është përfaqësuese e Mormonëve dhe tjetra thotë se beson në disa nga vlerat e atij besimi. Ky besim nuk është i njohur në Ballkan apo ndër ndjekësit shqiptarë, por ama rutina e tyre është ajo që sjell ndjekësit nga e gjithë bota në profilet e tyre.

    Këto dy gra vijnë nga familje të pasura ose janë të martuara me partnerë të pasur, ose kanë një bagazh jo të vogël në karrierë, p.sh. si modele. Këto profile, ku ato shfaqin jetën e tyre si gra tradicionale, nuk janë tjetër veçse një zgjatim i bizneseve personale të tyre, që sjellin edhe më shumë përfitime përmes marketingut digjital.

    Narra Smith shfaqet në video duke përgatitur gjithçka nga fillimi, me një foshnjë disa muajshe, dhe shumica e videove fillojnë me: “Meqë burri im kishte neps për…”.

    Përmes kësaj, vajzave apo nënave të reja, u dërgohet mesazhi se gjithçka është e arritshme të bëhet nga zero, edhe nëse ka disa muaj që keni lindur, por ajo që nuk shfaqet në ato video 30 sekondëshe është kush fshin kaosin e lënë pas gatimit, kush mban foshnjën pas atyre 5 sekondave që e shohim në video, kush bën pazarin, apo përkujdeset për bebin në netët pa gjumë.

    Nga ana tjetër, Ballerina Farm, nënë e tetë fëmijëve, i rrit ato në fermë me ushqime natyrale, duket elegante në pamje, ushqen fëmijët ekskluzivisht me vezë shtëpie, përgatit kosin vet, bën gjizën dhe gatuan bukën në mëngjes.

    Ballerina Farm është bashkëshortja e djalit të një biznesmeni – pronar i një kompanie ajrore, i cili, sipas rrjetit, i dhuron gruas së tij për ditëlindje një përparëse për të mbledhur vezët, dhe kjo nxiti reagime të mëdha mes ndjekësve të saj.

    Ajo që ne nuk shohim në rrjet janë konceptet e detajuara të marketingut dhe “fshatin” që rrin prapa këtyre grave në jetën e grave tradicionale që ato përfaqësojnë. Por ama, të njëjtat dalin mbrëmjeve për festa me foshnje disa muajshe, apo bëjnë udhëtime me fluturime disa orëshe, që pa mbështetje nuk mund t’i arrijnë.
    Dhe këto imazhe gjysmake, të redaktuara, po shtyjnë shumë vajza të reja drejt këtyre që duken si trende, por që realisht janë stile jete dhe bëjnë që ato të mbyllen brenda dyerve të shtëpisë pa pavarësi ekonomike, ngase, megjithëse qasja në profilin e influencerëve është global, rrethanat ku jetojnë dhe funksionojnë këto vajza dhe gra që inspirohen nga ato janë shumë të ndryshme, janë lokale.

    Përveç trendeve që zakonisht janë kalimtare, duhet me kujdes ndërtuar imazhe apo përmbajtje që lidhen ngushtë me audiencën. Tregjet e vogla dhe ekonomitë e brishta të Ballkanit nuk mundësojnë që të gatuash si grua tradicionale, derisa mban veshur fustan nga brendet me çmime astronomike.

    Po ç’është realja?

    Vajza që shkojnë në punë me orare të plota, që kanë pushime të limituara dhe jo disa muajshe, shembulli i profilit të një gazetarje nga Shkupi, që ditën punonte si gazetare dhe natën si recepcioniste në një hotel, për të mundur të mbijetonte deri në fund të muajit, apo vajza nga Shqipëria që përmes rrjetit TikTok bëri të famshme prodhimet që nxirrnin nga puna në arrë, ajo shiste ato bashkë me të atin në një tendë rreth rrugës. Shumë turistë ndalonin të blinin, pasi e njihnin nga TikTok-u.

    Reale janë dhe imazhet e një gazetareje shqiptare që shfrytëzon rrjetet sociale për marketing dhe shitje të produkteve të saj. Ajo bën disa pushime gjatë vitit, por gjithmonë thekson se ato janë pushime të paguara për arsye marketingu.

    Andaj, në luftën për lajme të rrejshme, hyn dhe lufta ndaj imazheve super të kuruara (lexo: të redaktuara) që sjellin realitete gjysmake dhe pasoja shumë të mëdha.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Rreziku i vërtetë i Trump-it!

    Lajmi i rradhës

    BE-ja i del në përkrahje SPAK-ut, pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë