Humor dhe protestë: shakatë nën komunizëm

    Christie Davies / Cambridge University Press
    Përktheu: Agron Shala

    PËRMBLEDHJE

    Korpusi më i madh i shakave që kemi, që tallin si sunduesit ashtu edhe një sistem të tërë politik, vjen nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe vendet komuniste të Evropës Lindore të asaj kohe. Këto shaka të ndaluara ishin të rëndësishme për ata që i tregonin, ndonëse përbënin rrezik për ta. Ato mund të konsiderohen si një formë proteste, por marrëdhënia mes shakave dhe protestës nuk është e thjeshtë. Numri i shakave të treguara ishte më i madh, dhe rrëfimi i tyre ishte më i hapur në vitet e vona të regjimeve sesa në vitet e hershme të terrorit dhe të vështirësive ekstreme. Numri i shakave është produkt i përhapjes së kontrollit politik, jo i intensitetit të tij. Ka të ngjarë që këto shaka të mos kenë pasur ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë në rrëzimin e një regjimi ose në funksionimin si valvul sigurie. Megjithatë, ato përfaqësonin një protestë të heshtur, një tregues se sistemi politik nuk kishte stabilitet dhe se shpejt mund të shembej.

    HYRJE

    Rasti më i gjatë, më i madh dhe më i përhapur i humorit si formë i protestës sociale, gjendet në shakatë politike që u treguan në ish-Bashkimin Sovjetik gjatë gjithë historisë së tij, si dhe midis viteve 1940 dhe 1989 në vendet komuniste të Evropës Lindore që kishte pushtuar dhe dominuar gjatë kësaj periudhe. Këto shaka ishin tallëse dhe kritike, jo vetëm ndaj liderëve politikë si individë, por edhe ndaj të gjithë sistemit shoqëror dhe politik, ideologjisë, ritualeve dhe miteve të tij. Në Evropën Lindore dhe në republikat më të vogla sovjetike, shakatë ishin gjithashtu antiruse, të drejtuara kundër kombit imperialist që ata e ndienin si shtypës të dyfishtë, si sundues i huaj dhe si mbrojtës i një sistemi politik dhe shoqëror të imponuar dhe të urryer. Këto shaka përfaqësonin një humor autentik popullor, një humor të mirëfilltë folklorik, pasi ishin plotësisht të përjashtuara nga mediat masive; ato ishin “shaka që pëshpëriteshin” e që nuk mund të botoheshin në vendet ku tregoheshin. Ishin shakatë e të pafuqishmëve kundër të plotfuqishmëve. Ishin produkt kolektiv, pasi shakatë nuk kanë autorë të njohur dhe nuk dihet origjina e tyre.

    Ekzistenca e një kulture kaq të madhe dhe në çdo kuptim popullore e humorit, është në vetvete një fakt i rëndësishëm social. Ajo lidhet qartë me protestën dhe rezistencën popullore, por natyra e kësaj marrëdhënieje është shumë problematike dhe do të shqyrtohet më gjatë më vonë. Megjithatë, së pari është e nevojshme të diskutojmë vetë shakatë, se pse duhet t’i konsiderojmë të rëndësishme, rrethanat në të cilat tregoheshin dhe marrëdhënien e treguesve të tyre me hierarkinë politike.

    RËNDËSIA E SHAKAVE

    Shakatë nën komunizëm kishin një rëndësi shumë më të madhe personale, politike, intelektuale dhe historike, më shumë sesa shakatë politike të treguara në shoqëritë tradicionale ose demokratike, apo edhe nën regjime autokratike që shtypin opozitën, por që nuk përpiqen të kontrollojnë dhe të transformojnë institucionet e pavarura shoqërore ose të imponojnë entuziazmin. Rëndësia personale e shakave mund të kuptohet nga rreziqet që shumë individë morën mbi vete në tregimin dhe përhapjen e tyre, duke ditur që denoncimi tek autoritetet mund të çonin në burgosje, internim, madje edhe në vdekje.[1] Në fakt, ekzistojnë shaka që i referohen drejtpërdrejt përgjimit, arrestimit, gjykimit dhe ndëshkimit të atyre që i tregonin ato shaka.[2]

    Se njerëzit merrnin përsipër këto rreziqe, ky është një tregues i rëndësisë që kishin shakatë për ta, si dhe i ekzistencës së rrjeteve të fuqishme dhe të ndërthurura të besimit dhe solidaritetit ndërpersonal që kishin ndërtuar, të cilat u ofronin një shkallë të caktuar pavarësie nga një shtet tepër i fuqishëm.[3] Në Estoni, filologu Jüri Viikberg regjistroi dhe ruajti katër mijë “shaka të hidhura dhe fyese kundër sovjetikëve”, në vitet 1960-‘86, të cilat u ruajtën fshehurazi për arkivat e folklorit estonez, në pritje të ardhjes së një Estonie të lirë dhe të pavarur.[4] Shakatë kishin rëndësi.

    Për autoritetet, dhe veçanërisht për policinë sekrete – Çeka, OGPU, NKVD dhe KGB, të cilave këtej e tutje do t’ju referohemi kolektivisht si KGB – shakatë gjithashtu kishin rëndësi, si një formë e nënshtrimit dhe opozitës së raportuar nga informatorët, si dhe si burim informacioni mbi opinionin publik. Policia sekrete grumbullonte rregullisht dhe herë pas here shtypte shakatë politike. Në fakt, arkivat e KGB-së mund të rezultojnë të jenë burimi më i mirë i të dhënave etnografike mbi folklorin humoristik antisovjetik në përgjithësi, përfshirë grafitet, paroditë dhe çastushkive (këngë ose vargje satirike), pasi të gjitha format e tjera të regjistrimeve ishin, për shkak të nevojës, të censuruara dhe të pastruara nga përmbajtja origjinale.[5] Nëse shakatë shihen si një tregues i largimit të popullit nga regjimi, atëherë policia sekrete kishte të drejtë t’i merrte ato seriozisht si një fenomen politik, veçanërisht në një shoqëri ku nuk kishte mënyra të tjera për të matur opinionin publik.

    Kush e ndërtoi Kanalin Deti i Bardhë-Deti Baltik?
    Në bregun e djathtë ata që tregonin barsoleta. Në bregun e majtë ata që i dëgjonin ato.

    Shakatë ishin aq shumë pjesë e vetëdijesimit të përditshëm, saqë njerëzit në Bashkimin Sovjetik dhe në Evropën Lindore i përdornin rregullisht për të shprehur një ide apo për të dhënë një mesazh. Kjo nuk bëhej vetëm për ta bërë rrëfimin më argëtues, por sepse, siç u shpreh një uzbek, një anekdotë mund të përmbajë “tërë tragjedinë dhe dramën e një ngjarjeje”.[6] Shakatë përdoreshin sepse kishin fuqi përtej kënaqësisë që sillnin. Ato mbaheshin mend dhe përçoheshin më mirë sesa aspektet e tjera të kulturës informale.[7] Nën komunizëm, shakatë përdoreshin si një mënyrë për të përcjellë kuptim dhe njohuri – shumë më tepër sesa në shoqëritë e tjera, të çfarëdo lloji qofshin ato, në të kaluarën apo të tashmen.

    SHAKATË E KOHËS SË TERRORIT DHE SHAKATË E KOHËS SË SHTYPJES RUTINORE

    Shakatë politike në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet satelite mund të ndahen, për arsye praktike, në dy periudha të përafërta: epoka e terrorit, afërsisht vitet 1928-‘56, dhe koha e shtypjes rutinore, 1956-‘85. Natyrisht, shumë shaka politike janë shpikur dhe treguar si para ashtu edhe pas këtyre dy periudhave. Megjithatë, ka mungesë të burimeve bashkëkohore për periudhën e parë dhe është e vështirë të dihet nëse, për shembull, shakatë për Leninin janë krijuar gjatë jetës së tij apo janë produkt i kultit të mëvonshëm ndaj tij që kulmoi me njëqindvjetorin e lindjes në vitin 1970. Në të njëjtën mënyrë, ekzistojnë shumë shaka nga epoka e Gorbaçovit, pak para rënies përfundimtare të komunizmit, fillimisht në Evropën Lindore dhe më pas në vetë Bashkimin Sovjetik. Megjithatë, këto janë më të pakta në numër, veçanërisht pasi u bë e mundur të diskutoheshin haptazi çështje politike në publik, dhe shakatë u përvetësuan nga elita duke u përdorur në fjalimet e Gorbaçovit dhe madje edhe nga figurat e larta të KGB-së.[8]

    Si përmbajtja e shakave gjatë epokës së terrorit, ashtu edhe rrethanat në të cilat ato tregoheshin, ndryshonin nga ato të periudhës së mëvonshme. Kjo nuk është aspak për t’u çuditur, pasi epoka e terrorit – të cilën autori e daton nga konsolidimi i pushtetit nga ana e Stalinit në vitin 1928 e deri te denoncimi i terrorit nga Hrushovit në fjalimin e tij në Kongresin XX të PKBS-së në vitin 1956 – përfshiu vrasjen e miliona njerëzve të pafajshëm dhe burgosjen apo internimin arbitrar të dhjetëra milionëve të tjerëve.[9] Epoka nga Hrushovi deri te Çernenko padyshim ishte shtypëse dhe represive, por nuk karakterizohej nga i njëjti nivel i brutalitetit të pamëshirshëm dhe shpesh arbitrar.

    Shakatë e kohës së terrorit i referohen drejtpërdrejt[10] shtypjes së fshatarëve me kolektivizimin e detyruar, deportimin e kulakëve dhe me urinë e krijuar me qëllim.[11] Ato i referohen spastrimeve të inxhinierëve, intelektualëve dhe anëtarëve të Partisë në vitet ’30[12] të shekullit XX, përndjekjeve antisemite kundër hebrenjve, veçanërisht në vitet 1946-‘53, viteve të zeza të hebrenjve sovjetikë,[13] si dhe torturave, ekzekutimeve dhe kampeve të punës. Mund të përfshijmë gjithashtu shakatë që ndërlidhen me ligjet e ashpra të punës së periudhës 1940-‘56, kur punëtorëve u ndalohej të ndryshonin vendin e punës dhe ishin subjekt i ndëshkimeve penale (përfshirë internimin në kampe pune) për shkelje të tilla si vonesa prej më shumë se njëzet minutash në punë.[14] Pa dyshim, kishte shumë arsye për anëtarët e të gjitha klasave dhe kombeve që të protestonin, dhe mund të dokumentojmë lehtësisht, nga burime të pavarura, tmerret për të cilat flasin këto shaka. Megjithatë, kishte shumë më pak shaka për Stalinin, “Kobën e tmerrshëm”, dinak, të pamëshirshëm, mizor, përbindësh, sesa për Hrushovin, Brezhnevin, Andropovin dhe Çernenkon (të cilët shakatë i paraqisnin si palaço); kishte gjithashtu më pak shaka për kohën e dhunshme të Stalinit sesa për shtypjen rutinore që pasoi.[15]

    Cili është ndryshimi mes Indisë dhe Rusisë?
    Në Indi, një njeri vdes urie për popullin; në Rusi, populli vdes urie për një njeri.

    Dy rusë po diskutonin se kush ishte njeriu më i madh, Stalini apo presidenti Hoover.
    “Hooveri i mësoi amerikanët të mos pinë” – thotë njëri.
    “Po” – përgjigjet tjetri – “por, Stalini i mësoi rusët të mos hanë”.

    Një hebre rus po ecte në periferi të Moskës kur një makinë ndaloi papritur. Një burrë u hodh jashtë në anë të rrugës dhe makina iku me shpejtësi. Hebreu vrapoi dhe pa që ishte miku i tij i vjetër, Moishe, i rrahur brutalisht nga KGB-ja dhe pothuajse pa ndjenja, me sytë që i hapeshin e i mbylleshin.
    “Moishe, Moishe” – bërtiti ai, – “Jam unë, Abrami. Nuk më mban mend? Ishim bashkë në Aushvic”.
    “Ah” – tha Moishe si në ëndërr, – “Ah, po, Aushvici …”!

    Numri më i vogël i shakave politike gjatë kohës së terrorit, në krahasim me periudhën pasuese – nga Hrushovi deri te Çernenko – krijon vështirësi për versionin e thjeshtë të tezës se shakatë ishin një formë proteste. Ky qëndrim është mbështetur fuqishëm nga antropologu kryesor i humorit, Alan Dundes, i cili ka shkruar se “sa më shtypës të jetë regjimi, aq më të shumta janë shakatë politike”,[16] dhe te Dundes dhe Banc se “sa më shtypëse të jenë ideologjia dhe sistemi, aq më të zgjuara dhe të mençura janë shakatë politike”.[17] Megjithatë, duket se shumë më tepër shaka politike janë krijuar gjatë viteve më pak shtypëse, më 1956-‘85, duke u shtuar në mënyrë të vazhdueshme dhe duke arritur kulmin në vitet e vona të epokës së Brezhnevit në fillim të viteve ’80 të shekullit XX.[18]

    Propozimi i Dundesit është qartazi i rremë, ose të paktën ekziston një faktor tjetër më i fuqishëm në veprim – fakti që ishte bërë më e sigurt të tregoje shaka politike, pasi gjasat për t’u kapur ishin më të ulëta dhe ndëshkimet më pak drastike. Edhe gjatë periudhës së zbutjes në fund të viteve ’50 të shekullit XX, u shënua një rritje e dukshme në mënyrën e çlirët të tregimit të shakave politike.[19] Treguesit e mirë të shakave ishin të pëlqyer dhe të vlerësuar. Nga fundi i viteve ’60 të shekullit XX, ishte e zakonshme që gjatë një pushimi, në një mbledhje të shpaloseshin një varg anekdotish – shaka politike – dhe kjo gjë u bë edhe më e hapur dhe e zakonshme nga fundi i viteve ’70 të shekullit XX.[20] Në Bullgari, në fillim të viteve ’80 të shekullit XX, kolegët e mi anglishtfolës shkëmbenin lirisht shaka me mua në një restorant të mbushur me njerëz; e vetmja masë paraprake ishte që Brezhnjevit i referoheshim si “zoti B”, që e qeshura të mos shkaktonte dyshime pas përmendjes së emrit të tij. Ishim larg kohëve kur mund të arrestoheshe edhe vetëm pse buzëqeshje kur dëgjoje një shaka politike të thënë nga njerëz të panjohur në tavolinën pranë.[21] Shakatë nuk kishin më nevojë të tregoheshin fshehurazi në banjo, siç ndodhte dikur ndër intelektualët gjatë kohës së terrorit.[22] Megjithatë, është gjithashtu e qartë se shakatë udhëtonin lehtësisht midis vendeve më pak represive komuniste, si Polonia dhe Hungaria, dhe vendeve shumë represive si Rumania e Ceaușescut – burimi i shakave të studiuara nga Dundes.[23]

    SHAKATË SI PRODUKT I PËRHAPJES SË SHTYPJES

    Lidhja mes shtypjes dhe lulëzimit të shakave duhet kërkuar jo në intensitetin e shtypjes, por në përhapjen e saj. Në vitet e fundit të sundimit të Frankos në Spanjë, kishte mjaft shaka politike që tallnin vetë Kaudiljon,[24] por as për nga numri dhe as për nga intriga nuk mund të krahasoheshin me ato që tregoheshin në republikat sovjetike dhe në Evropën Lindore. Thjesht, kishte më pak për çfarë të bëje shaka. Regjimi i Frankos nuk përpiqej të kontrollonte shumicën e veprimtarive jopolitike, dhe as të vendoste një monopol mbi transaksionet ekonomike. Frankizmi nuk ishte ideologji, por sundimi i një personi të caktuar, ndërsa Falanga nuk ishte parti sunduese në kuptimin komunist të fjalës.[25] Si rrjedhojë, Spanja ndante me vendet komuniste disa prej shakave të epokës së shtypjes rutinore – ato për sunduesit marrë, të kufizuar dhe eventualisht senilë[26] – por, kishte shumë pak shaka të tjera më të sofistikuara politike, si për çështjet ekonomike, ideologjike apo shkencore.

    Komunizmi krijoi më shumë shaka dhe më të sofistikuara, sepse përpiqej të kontrollonte gjithçka – si materialisht ashtu edhe ideologjikisht – duke krijuar mundësi për shakatë politike mbi absurditetet e shkencës dhe historisë zyrtare dhe mbi ideologjinë e tij të detajuar dhe pafundësisht të rishkruar. Po ashtu, komunizmi kërkonte mungesë aktive lirie; aty ku regjimet thjesht autoritare kënaqeshin me pajtueshmëri të heshtur, komunizmi kërkonte entuziazëm, pjesëmarrje të detyrueshme dhe madje besim në rregullat dhe ritualet e reja që shpikte, festime, parada, mite dhe tregime shembullore, ku që të gjitha këto u bënë objekt shakaje.[27]

    SHAKATË: NGA MUNGESAT TE MALLRAT E DOBËTA

    Tema më e madhe e shakave nën komunizëm ishin mungesat e mëdha të mallrave, radhët e gjata për ushqim dhe për nevojat bazike, si dhe cilësia e dobët e strehimit dhe produkteve të konsumit;[28] këto nuk ishin shaka ekonomike, por politike, pasi shteti kontrollonte ekonominë dhe merrte përsipër përgjegjësinë për mirëqenien e qytetarëve të tij, duke u përsëritur vazhdimisht se sa të mirë që e kishin jetën. Këto shaka janë të vazhdueshme nga vitet 1920-‘80, por sërish ndahen në dy faza dhe dy modele shakaje.

    Gjatë kohës së terrorit, standardi i jetesës për të gjithë, përveç një elite shumë të privilegjuar, ishte jashtëzakonisht i ulët. Jeta e pavarur ekonomike e fshatarësisë ishte shkatërruar dhe në qytete pagat ishin ulur aq shumë saqë pjesa më e madhe e të ardhurave të një familjeje shpenzohej për ushqim dhe njerëzit prapë ishin të uritur dhe ndonjëherë pranë urisë së plotë.[29] Kushtet e banimit dhe të punës ishin të këqija dhe bujqësia e kolektivizuar nuk arrinte të siguronte ushqim të mjaftueshëm. Shakatë i pasqyrojnë të gjitha këto fatkeqësi të përditshmërisë dhe janë në kontrast me sloganet se jeta ishte më e mirë dhe më e hareshme në shtetin egalitar të punëtorëve. Pozita e veçantë dhe e privilegjuar e një elite të vogël të partisë – e cila kishte qasje të pakufizuar në ushqim përmes shumë librave të racionit, në dyqanet speciale TORGSIN që shisnin mallra luksoze, dhe në banesa luksoze – ishte gjithashtu objekt shakaje. Sloganet dhe premtimet kishin një marrëdhënie me realitetin në mënyrën që ishte absurde – një terren pjellor për shaka, por edhe për pakënaqësi.

    Megjithatë, sërish duket se më shumë shaka për mungesat janë treguar gjatë kohës së Hrushovit dhe Brezhnjevit – në një kohë kur standardet e jetesës po rriteshin dhe pagat po rriteshin edhe më shpejt, dhe kur qeveria ishte e gatshme të shpenzonte valutën e huaj për të importuar drithë, në vend që të lejonte urinë.[30] Shakatë për cilësinë e dobët të mallrave dhe shërbimeve, si dhe për domosdoshmërinë e importit të drithit, të paktën tregojnë se ushqimi, mallrat dhe shërbimet – ndonëse të dobëta dhe joefikase – ishin të qasshme. Por, përmirësimet modeste në standardin e jetesës mund të kenë çuar në rritjen e pritshmërive, dhe nga ana tjetër në një lloj të ri të pakënaqësisë popullore kur këto pritshmëri nuk plotësoheshin. Përballë dështimit, justifikimet e bëra nga dhe për një regjim që zotëron të gjitha mjetet e prodhimit dhe mburret me performancën e vet ekonomike, nuk do të besohen nga vetë qytetarët të cilët as e kanë zgjedhur këtë regjim, dhe as janë të aftë të marrin vetë vendime të pavarura ekonomike.

    HUMORI DHE POLITIKA E FAJËSIMIT

    Sundimtarët e Bashkimit Sovjetik përpiqeshin në mënyrë të vazhdueshme t’ia atribuonin fajin për dështimet ekonomike – veçanërisht në prodhimin e mallrave të konsumit – funksionarëve të niveleve më të ulëta. Këta përfshinin burokratë të vegjël, kooperativistë, riparues ose edhe vetë punëtorët në fabrika të caktuara. Individët e pakënaqur inkurajoheshin të shkruanin dhe të ankoheshin për këta funksionarë të rangut të ulët, qoftë te zyrtarët më të fuqishëm në qendër, qoftë në shtypin i cili shpesh publikonte letrat e tyre.[31] Megjithatë, ajo që është më domethënëse mbetej ajo që nuk botohej, si ankesat për urinë, të ftohtin, mungesat e mallrave, rregulloret zyrtare.[32] Taktika ishte të zhvendosej faji. Të gjitha problemet ishin lokale dhe përgjegjësia u përkiste individëve që gabonin.

    Humori zyrtar ishte një zgjatim i këtij modeli, ku revista të miratuara me emra thumbues si KrokodiliFerraIriqiGrerëzaBrumbulliGjembaçi, botonin satira dhe karikatura mbi ata që ndodheshin “në vijën e parë” – ata që përballeshin drejtpërdrejt me punëtorët, klientët dhe konsumatorët. Asnjë person i fuqishëm nuk tallej ndonjëherë në këtë mënyrë, as sistemi politik dhe as ai ekonomik. Redaktorët mund të shkarkoheshin nëse i afroheshin kufirit të asaj që ishte e lejueshme.[33]

    A mund të mbështjellësh një elefant me gazetë?
    Po, nëse gazeta përmban tekstin e një prej fjalimeve të Hrushovit.

    Çfarë është shtatë kilometra e gjatë dhe ha patate?
    Një radhë e polakëve për mish.

    Pse është sistemi sovjetik superior ndaj të gjithë të tjerëve?
    Sepse arrin të kapërcejë me sukses problemet që asnjë sistem tjetër nuk i ka.

    Kur Bashkimi Sovjetik bleu grurë nga Kanadaja në vitin 1964, Radio Armenia pranoi këtë pyetje: Pse ishim në gjendje të blinim grurë nga Kanadaja?
    Për shkak të mangësisë themelore të kapitalizmit – mbiprodhimit kronik.

    Në dy aspekte humori i popullit ishte i kundërt me këtë. Së pari, kishte një numër të madh shakash mbi mungesat e mëdha, për të cilat faji i vihej qartë sistemit, politikanëve, partisë dhe planifikuesve.

    Këto shaka pasqyrojnë ankesat plot mllef që gjenden në dosjet e KGB-së për periudhën e mëhershme, apo qëndrimet e shprehura gjatë intervalit të shkurtër në vitin 1968, kur në Çekosllovaki u lejuan sondazhet e opinionit publik;[34] populli i fajësonte sundimtarët e vet, shpesh ashpër dhe në mënyrë fyese. Këto dy lloje humori janë të kundërta edhe në një tjetër aspekt. Humori zyrtar ishte i planifikuar me një qëllim të caktuar në mendje. Ishte i qëllimshëm dhe tendencioz; autorët ishin më të interesuar për të nxitur përçmim dhe indinjatë përmes talljes sesa për të qenë vërtet qesharakë. Shakatë nuk janë të tilla. Ato nuk kanë autorë dhe është e pamundur të nxirret një ton, qëllim apo ndjenjë nga vetë teksti; këto janë produkt i aktit të tregimit, i cili mund të ndryshojë shumë nga një rast në tjetrin.[35]

    SHAKATË DHE PROTESTA

    Pikat e përmendura më sipër në lidhje me anonimitetin dhe paqartësinë e shakave – cilësi që i karakterizojnë të gjitha shakatë, jo vetëm ato politike – krijojnë probleme serioze për ata që shohin një lidhje të qartë dhe të drejtpërdrejtë mes shakave dhe protestës. Këtë mund ta shohim në një rast tjetër paralel: pushtimi nazist i shumë vendeve të Evropës gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili solli një numër të madh të të ashtuquajturave “shaka të rezistencës”.[36] Pas luftës, shumë veta i kujtonin këto shaka me kënaqësi dhe i citonin si dëshmi se edhe ata kishin qenë pjesë e rezistencës, kur në të vërtetë, si shumica e qytetarëve të tjerë, kishin jetuar në zonën gri të bashkëpunimit më të madh ose më të vogël me pushtuesin.

    Pikëpamja se shakatë përbëjnë një formë rezistence është mbrojtur fuqimisht nga Obdrliku[37] në lidhje me lëvizjen e rezistencës në tokat çeke. Ai pretendonte se numri i madh i shakave që qarkullonin për pushtimin gjerman, ishte provë e ekzistencës së një lëvizjeje të fuqishme dhe të gjallë rezistence, morali i së cilës përforcohej nga shakatë, ndërsa ai i armikut dobësohej. Megjithatë, Bryant[38] tregoi më vonë se lëvizja e rezistencës çeke kishte qenë e papërfillshme për nga madhësia, organizimi dhe ndikimi, dhe nuk kishte arritur asgjë; shakatë politike që qarkullonin raportoheshin rregullisht te qeveria çeke në mërgim në Londër si një tregues i rezistencës – por, nuk kishte pothuajse asgjë tjetër për të raportuar.

    Shumë studiues të humorit kanë pohuar, zakonisht pa prova, se humori është një formë efektive rezistence, një nxitës për të shtypurit dhe një mjet që dëmton shtypësit.[39] Të tjerët e kanë mohuar efektivitetin e shakave, madje kanë pohuar se shakatë përbëjnë një valvul sigurie që ndihmon regjimet shtypëse të mbijetojnë, dhe se është kundërproduktive përpjekja për t’i ndaluar ato.[40] Është krejtësisht e pamundur që, marrë në përgjithësi, shakatë të kenë ndonjë ndikim të rëndësishëm në një drejtim apo tjetër, veçanërisht në krahasim me forcat e tjera më të fuqishme shoqërore. Efekte të tilla nuk janë dëshmuar kurrë në nivel makro. Shakatë janë një termometër, jo një termostat; ato mund të përdoren si tregues për atë që po ndodh në një shoqëri, por nuk ndikojnë ndjeshëm mbi proceset shoqërore që i kanë krijuar ato.

    Në të gjitha grupet e ballafaquara, humori përdoret, shpesh në mënyrë efektive, në kombinim me teknikat dhe mekanizmat e tjerë, si për të ruajtur identitetin e grupit ashtu edhe për të përparuar qëllimet e tij. Kjo është e vërtetë jo vetëm për grupet që angazhohen në protestë, por edhe për ato që angazhohen në shtypje, për grupet në vendin e punës dhe ato që merren me veprimtari të kohës së lirë. Do të ishte gabim të nxirrej automatikisht përfundimi se ekzistenca e një cikli të madh shakash anonime, kritike ndaj një regjimi, është vetvetiu tregues i protestës.

    SHAKATË DHE KARNAVALI

    Ekziston një paralelizëm midis shakave të treguara nën komunizëm dhe sjelljes karnavaleske të kohëve mesjetare, kur ritet dhe ritualet e Kishës parodizoheshin, distanca sociale mes të lartëve dhe të ultëve zvogëlohej, të fuqishmit viheshin në lojë dhe bota përmbysej.[41]

    Në shumë aspekte, kjo është pikërisht ajo që bënin shakatë nën komunizëm, pasi sloganet, argumentet ideologjike dhe katekizmat politikë parodizoheshin dhe përmbyteshin; ritualet solemne politike dhe tregimet frymëzuese për heronj, si Çapajevi, apo figura të kultit si Lenini, reduktoheshin në marrëzi, madje edhe në ligësi, dhe udhëheqësit aktualë paraqiteshin si krejtësisht budallenj.[42] Madje, është sugjeruar se kur Bahktini shkruante për karnavalin mesjetar, në shumë mënyra kishte parasysh kulturën popullore humoristike të Bashkimit Sovjetik – një temë për të cilën ishte e ndaluar të shkruhej.[43]

    Karnavalet mund të jenë ngjarje të padëmshme që, edhe pse përmbysin rendin shoqëror, në fakt e forcojnë atë. Hans Speier përdor këtë analogji kur argumenton se shakatë politike janë një valvul sigurie.[44] Por, a mund të vërtetohet se kjo është e vërtetë për karnavalet në përgjithësi? Regjimi sigurisht që nuk mendonte kështu, pasi ai vetë nxiti karnavale blasfemuese të organizuara nga aktivistët komunistë si një armë politike për të minuar Kishën Ortodokse Ruse.[45] Gjithashtu, karnavalet për të cilat flet Bahktini ishin të rregullta, të planifikuara dhe të lejuara nga autoritetet. Ndërkohë, tregimi i shakave në kohën e Bahktinit në Bashkimin Sovjetik, ishte privat, i ndaluar dhe shpesh i fshehtë – një objekt vëzhgimi, jo një akt i licencuar. Analogjia është dubioze.

    E njëjta çështje mund të bëhet edhe në lidhje me mendimin se shakatë nën komunizëm ishin të ngjashme me ato që tregoheshin për priftërinjtë nga besimtarët fshatarë në Rusinë cariste apo në Bavarinë katolike, ose me ato për shërbëtorët dinakë që qeshnin me patronët e vet.[46] Pa dyshim, shakatë e tilla mund të ndodhin brenda një rendi lokal shoqëror të legjitimuar nga zakonet dhe tradita, dhe të qarkullojnë madje edhe mes vetë priftërinjve dhe patronëve të cilët nuk i konsiderojnë kërcënuese. Por, si do t’i shihnim shakatë nëse tregohen në një shoqëri të përçarë nga antagonizma të thella klasorë apo nga antiklerikalizmi ku priftërinjtë dhe patronët përçmohen?

    SHAKATË SI ZËVENDËSUES I REZISTENCËS DHE RRËZIMI I REGJIMIT TË VJETËR

    Disa kanë argumentuar se shakatë janë madje një zëvendësues për protestën dhe rezistencën ndaj regjimeve të ashpra – jo vetëm një valvul sigurie ose qetësues dhimbjeje, por opium – dhe madje e mbështesin këtë me pretendimin se kur fillon kryengritja dhe rezistenca e vërtetë, shakatë pushojnë.[47] Por, mesazhi nuk është se njëra gjë zëvendëson tjetrën, por se rrethanat e jashtme diktojnë se cila është e mundur. Ajo që ka shumë më tepër rëndësi është shpejtësia me të cilën treguesit e shakave kalojnë në opozitë të hapur kur fuqia e shtypësit hiqet ose zbutet – një dëshmi se shakatë ishin pjesë e protestës, por të kufizuara nga rrethanat. Nëse ndodh një ndryshim në ekuilibrin e pushtetit në favor të të shtypurve, në vend që të heqin dorë nga shakatë politike, ata mund t’i bëjnë ato pjesë të formave të tyre të reja, më të hapura dhe më të fuqishme të rezistencës.

    Kjo është ajo që ndodhi me rritjen e një lëvizjeje më të sigurt dhe më efektive të rezistencës norvegjeze në vitet e fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe në kohën e protestave të hapura publike në Çekosllovaki në vitin 1968 ose në Poloni.[48] Shakatë tani u bashkëngjitën dhe u përfshinë në një retorikë serioze rezistence. Shakatë nuk e bëjnë retorikën më bindëse apo më domethënëse, por i japin gjallëri. Ato nuk janë shpata, por janë zbukurime tërheqëse në tehun e saj. Shakatë e dorëzimit të pakëndshëm kthehen shpejt në shakatë që shoqërojnë rezistencën aktive.

    Disa studiues të humorit i kanë parë ata që tregonin shaka nën komunizëm, si përfaqësues të një “humori që ka pushuar së luftuari”[49] – humor i njerëzve cinikë dhe të lëçitur që nuk ishin më në gjendje të protestonin apo të rezistonin, madje as të përfytyronin një alternativë ndaj një sistemi të pandryshueshëm politik, të gjithëpranishëm dhe jashtëzakonisht të fuqishëm që dominonte çdo aspekt të jetës së tyre. Në kohën e terrorit, ata ishin demoralizuar, dhe në kohën e shtypjes rutinore kishin filluar ta pranonin sistemin si të pashmangshëm dhe të përjetshëm.[50] Është e vështirë ta pajtosh këtë pikëpamje me shpejtësinë revolucionare me të cilën u rrëzua sundimi komunist në Evropën Lindore në vitin 1989, si dhe në vetë Bashkimin Sovjetik në vitin 1991. U dëshmua se nuk ishte një sistem i qëndrueshëm, por një sistem i ngurtë në një ekuilibër të paqëndrueshëm i cili, sapo u trondit, u shemb; shakatë ishin simptomë e kësaj, një parashenjë e kolapsit, një protestë ndaj mungesës së legjitimitetit të tij.

    Sapo Gorbaçovi – i cili nuk e kuptonte se po i hapte rrugë kolapsit – ua bëri të qartë udhëheqësve të Evropës Lindore në vitet 1985-‘86 se nuk do ta përdorte më ushtrinë sovjetike për të mbështetur regjimet e Evropës Lindore, ato e panë fundin me sy, të paktën pasi popujt e tyre e kuptuan se situata është e tillë. Jaruzelski nuk guxoi të rivendoste gjendjen ushtarake në Poloni në vitin 1989, nga frika e një gjakderdhjeje, ndaj lejoi zgjedhje të manipuluara. Solidariteti shënoi fitore dërrmuese. Më pas ra Muri i Berlinit dhe regjimi komunist në Gjermaninë Lindore u shemb – dhe brenda disa javësh të gjithë të tjerët kishin rënë. Vetëm forca e jashtme ushtarake i kishte mbajtur ata në pushtet. Brenda dy vjetëve, Ukraina, shtetet baltike dhe të gjitha republikat e tjera jo-ruse ishin shkëputur nga Bashkimi Sovjetik dhe vetë Rusia kishte pushuar së qeni komuniste. Kishte ndodhur e ardhmja alternative e parashikuar në shaka.

    Shumë kohë përpara “Vjeshtës së Kombeve” në vitin 1989, kishin ndodhur herë pas here disa protesta publike, ndonjëherë edhe të dhunshme – veçanërisht në Gjermaninë Lindore në vitin 1953, në Hungari më 1956, në Çekosllovaki më 1968, në Poloni në mënyrë të përsëritur – të cilat u shtypën vetëm nga tanket sovjetike ose nga kërcënimi i tankeve. Sërish, ajo që binte në sy ishte shpejtësia e kolapsit; në Revolucionin Hungarez, rendi i vjetër u shemb brenda disa ditësh.[51] Mes kryengritjeve, të shtypurit tregonin shaka politike për komunizmin. Shakatë nuk ishin zëvendësues i protestës, por një protestë ndërmjetëse deri në mundësinë e radhës për diçka më të fuqishme. Të paktën, shakatë janë një vazhdim i protestës me mjete të tjera.

    Këtë model mund ta shohim edhe në Bashkimin Sovjetik gjatë kohës së terrorit, në vitet 1939-‘41. Në atë kohë ekzistonte një folklor i gjerë humoristik që fliste për rrëzimin e pushtetit sovjetik nga një luftë.[52] Në vitin 1941, popujt e Ukrainës, Bjellorusisë, shteteve baltike dhe territoreve të para të pushtuara ruse, fillimisht e mirëpritën pushtuesin gjerman, madje qëlluan mbi ushtrinë sovjetike që po tërhiqej. Në shtetet baltike, kryengritjet dhe të shtënat kishin filluar që përpara mbërritjes së gjermanëve. Pas luftës, betejat vendore partizane kundër autoriteteve sovjetike vazhdunë deri në fillim të viteve ’50 të shekullit XX. Kombësi të tëra të Bashkimit Sovjetik u deportuan për të mos e bërë të njëjtën gjë.[53] Një milion qytetarë sovjetikë kaluan në anën tjetër dhe luftuan për gjermanët.[54] Shakatë dhe apatia e dukshme mund të kthehen shpejt në konflikt të hapur. Vetëm vetëdijesimi se nazistët kishin ardhur për të shfrytëzuar dhe për të vrarë banorët e territoreve të pushtuara – të cilët i trajtonin si sllavë nën-njerëzorë – dhe një kthesë shumë e shpejtë nga ana e Stalinit larg ideologjisë së mëparshme dhe drejt patriotizmit dhe traditës ruse, i mundësoi regjimit të mbijetonte dhe më në fund të fitonte.

    SHAKATË POLITIKE DHE PARASHIKIMET POLITIKE

    Nuk është thjesht çështje e të qenit i mençur pasi gjërat ndodhin. Gjatë viteve 1981-‘82, Alexander Shtromas, atëherë ligjërues i Studimeve për Paqen në Angli, më bindi se shakatë nuk ishin vetëm një protestë e të dobëtëve, por edhe një pararojë e kolapsit. Profesori Shtromas vazhdoi me librin e tij të vitit 1981, Political Change and Social Development: The Case of the Soviet Union [Ndryshimi Politik dhe zhvillimi shoqëror: Rasti i Bashkimit Sovjetik], në të cilin shpjegonte si do të ndodhte kolapsi,[55] bashkë me një plan për një konferencë të madhe të titulluar “Rënia e Perandorisë Sovjetike” e cila u mbajt në Gjenevë në vitin 1985. Ai më ftoi të prezantoja atje referatin “Humori për të ardhmen dhe e ardhmja për humorin”,[56] që rezultoi të ishte disi parashikues. Shumica e sovjetologëve, asokohe, preferonin të lavdëronin stabilitetin, legjitimitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit. Megjithatë, Shtromasi, i cili u gjykua dhe u kritikua në atë kohë, brenda gjashtë vitesh u tregua i saktë – dhe shakatë ishin pjesë e argumentit të tij, jo si shkak i kolapsit, por si një formë proteste që tregonte për një rrezik të cilin sovjetologët nuk ishin në gjendje ta shihnin.

    Tani që dosjet e qeverisë sovjetike, përfshirë disa prej dosjeve të KGB-së, janë shqyrtuar nga shumë studiues, mund të kuptojmë se pse shakatë ishin një tregues i mirë i asaj që po ndodhte. Në periudhat ndërmjet protestave të hapura, shakatë lulëzonin dhe bashkëjetonin me forma të tjera krejt serioze të mospajtimit, të nivelit të ulët dhe të rezistencës pasive, si armë e më të dobëtëve.[57] Shakatë ishin aspekti i bartshëm, i shkëputur nga konteksti, dhe aspekti i këndshëm i kësaj sfide që njohim; pjesa tjetër mund të vëzhgohej në shkallë të gjerë vetëm nga policia sekrete. Shakatë ishin maja e një ajsbergu pakënaqësie. Është kjo që na mundëson t’i kalibrojmë shakatë si një fenomen të përgjithshëm dhe të konfirmojmë dyshimet tona të mëhershme. Nuk mund ta bëjmë këtë vetëm nga tekstet e shakave – sepse, në fund të fundit, edhe vetë anëtarët e KGB-së i shijonin ato – e as nga kujtimet post-sovjetike të atyre që tregonin shaka, kujtesa e të cilëve mund të jetë selektive, jo përfaqësuese ose e ndikuar nga ngjarjet e mëvonshme.[58] Përkundrazi, është dëshmia për mënyrën se si sillen ata që tregojnë shakatë në aspekte të tjera të jetës në atë kohë, që na lejon t’i përcaktojmë shakatë si një protestë dhe të kuptojmë se pse ato ishin një parashikues i mirë i përfundimit të komunizmit në Evropë – një fund që për shumicën e vëzhguesve ishte krejt i papritur. /Telegrafi/

    ______________

    [1] Peter Deriabin dhe Frank Gibney, The Secret World (London, 1960), shtojca që jep raporte mbi ata që tregonin shakatë e që janë paraqitur nga oficerët e çështjeve të KGB-së; Elliott Oring, Elliott Oring, “Risky Business, Political Jokes Under Repressive Regimes”, Western Folklore, 63 (2004), fq. 209-236.
    [2] Robert Cochran, “‘What Courage!’: Romanian ‘Our Leader’ Jokes”, The Journal of American Folklore, 142:405 (1989), fq. 259-279, 270; Antoine and Philippe Meyer, Le communisme est-il soluble dans l’alcool (Paris, 1978), fq. 110.
    [3] Për kohën e Stalinit shih Robert Thurston, “Social Dimensions of Stalinist Rule: Humor and Terror in the USSR, 1935-1941”, Journal of Social History, 25 (1991), fq. 541-562, 541, 544, 550. Për periudhën e mëvonshme shih Vladimir Shlapentokh, Soviet Intellectuals and Political Power: The Post­ Stalin Era (London, 1990), fq. 72.
    [4] Jüri Viikberg, Anecdotes about Soviet Power and their Leaders, Collected from Estonia, 1960-1986 (Talinn, 1997), fq. 3, shih po ashtu Arvo Krikmann, Netinalju Stalinist (Tartu, 2004), fq. 38; dhe idem, “Jokes in Soviet Estonia” (punim i paraqitur në konferencën e 18-të ISHS-së në Universitetin Danez të Edukimit, Kopenhagë, korrik 2006), fq. 1.
    [4] Sarah Davies, Popular Opinion in Stalin’s Russia, Terror, Propaganda and Dissent, 1934-1941 (Cambridge, 1997); Sheila Fitzpatrick, Everyday Stalinism, Ordinary Life in Extraordinary Times: Soviet Russia in the 1930s (New York, 1999).
    [5] Sarah Davies, Popular Opinion in Stalin’s Russia, Terror, Propaganda and Dissent, 1934-1941 (Cambridge, 1997); Sheila Fitzpatrick, Everyday Stalinism, Ordinary Life in Extraordinary Times: Soviet Russia in the 1930s (New York, 1999).
    [6] Krikmann, Netinalju Stalinist, fq. 241.
    [7] Fitzpatrick, Everyday Stalinism, fq. 183.
    [8] [8] Christopher Andrew dhe Vasili Mitrokhin, The Mitrokhin Archive, II (London, 2005), dq. 476; Nikolai Zlobin, “Humor as Political Protest”, Demokratizatsiya, 4 (1996), fq. 223-231, 224.
    [9] R.J. Rummel, Lethal Politics, Soviet Genocide and Mass Murder (New Brunswick, NJ, 1990).
    [10] Shih Bruce Adams, Tiny Revolutions in Russia, Twentieth Century Soviet and Russian History in Anecdotes (New York, 2005); William Henry Chamberlin, “‘The Anecdote’: Unrationed Soviet Humor”, Russian Review, 16:3 (1957), fq. 27-34; David A. Harris dhe Izrail Rabinovich, The Jokes of Repression, The Humour of Soviet Jews (Northvale, NJ, 1988); I.D.W. Talmadge, “The Enjoyment of Laughter in Russia”, Russian Review, 2:2 (1943), fq. 45-51.
    [11] Shih Miron Dolon, Execution by Hunger (New York, 1985).
    [12] Shih Robert Conquest, The Great Terror: Stalin’s Purge of the Thirties (Harmondsworth, 1971); Boris Levytsky, The Uses of Terror (London, 1971).
    [13] Shih Anatoly Vaksberg, Stalin against the Jews (New York, 1994).
    [14] Shih S. Davies, Popular Opinion in Stalin’s Russia, fq. 15, 46 – 47; Victor Zaslavsky, The Neo­-Stalinist State: Class, Ethnicity and Consensus in Soviet Society (New York, 1982), fq. 46-47.
    [15] Krikmann, Jokes in Soviet Estonia, fq. 2-3; Victor Raskin, Semantic Mechanisms of Humor (Dordrecht, 1985), fq. 23-24; Alexei Yurchak, “The Cynical Reason of Late Socialism: Power, Pretence and the Anekdot”, Public Culture, 9 (1997), fq. 175. Duhet të dihet se shakatë e mëparshme mund të mos jenë regjistruar dhe se ato të mëvonshmet përfshinin materiale të adaptuara dhe të ricikluara.
    [16] Alan Dundes, “Laughter Behind the Iron Curtain”, Ukrainian Quarterly, 27 (1971), fq. 50-59, 51.
    [17] C. Banc (pseudonim) dhe Alan Dundes, First Prize: Fifteen Years! (Cranbury, NJ, 1986), fq. 14.
    [18] Shih n. 15
    [19] Elena F. Hellberg, “The Other Way Round: The Jokelore of Radio Yerevan”, ARV Scandinavian Yearbook of Folklore, 41 (1985), fq. 89-104, 92-93.
    [20] Alex Beam, Introduction to Arie Zand, Political Jokes of Leningrad (Austin, TX, 1982), fq. i-iii; Emil Draitser, Forbidden Laughter (Los Angeles, CA, 1978), fq. 3-5; Shlapentokh, Soviet Intellectuals and Political Power, fq. 114; Yurchak, “The Cynical Reason of Late Socialism”, fq. 174, 179.
    [21] Conquest, The Great Terror, fq. 423.
    [22] Joshua Rubinstein, The Life and Times of Ilya Ehrenburg (New York, 1996), fq. 171-172.
    [23] Cochran, “’What Courage!’”, fq. 272. Shih po ashtu Dundes, Laughter Behind the Iron Curtain; Banc dhe Dundes, First Prize: Fifteen Years!
    [24] P. García (Jose García Martinez), Los Chistes de Franco (Madrid, 1977).
    [25] Stanley G. Payne, The Franco Regime 1936-1975 (London, 2000), fq. 622-627; Oriol Pi-Sunyer, “Political Humor in a Dictatorial State: The Case of Spain”, Ethnohistory, 24 (1977), fq. 179-190, 179.
    [26] Stanley H. Brandes, “Peaceful Protest: Spanish Political Humor in a Time of Crisis”, Western Folklore, 35 (1977), fq. 331-346, 335-337; Pi-Sunyer, “Political Humor in a Dictatorial State”, fq. 182-189.
    [27] Adams, Tiny Revolutions in Russia; Nina Tumarkin, Lenin Lives!: The Lenin Cult in Soviet Russia (Cambridge, MA, 1984), fq. 263-269.
    [28] Adams, Tiny Revolutions in Russia, Banc dhe Dundes, First Prize: Fifteen Years!
    [29] S. Davies, Popular Opinion in Stalin’s Russia, fq. 23-30, 109; Fitzpatrick, Everyday Stalinism, fq. 2-9; dhe shih Lesley A Rimmel, “Another Kind of Fear: The Kirov Murder and the End of Bread Rationing in Leningrad”, Slavic Review, 56 (1997), fq. 481-489.
    [30] Richard V. Burks, “The Coming Crisis in the Soviet Union”, në Alexander Shtromas dhe Morton Kaplan (red.), The Soviet Union and the Challenge of the Future, 4 vol., I (New York, 1989), fq. 115-165, 122; Zaslavsky, The Neo-Stalinist State, fq. 52-53, 100, 123.
    [31] S. Davies, Popular Opinion in Stalin’s Russia, fq. 18, 31; Thurston, Social Dimensions of Stalinist Rule, fq. 551-553.
    [32] S. Davies, Popular Opinion in Stalin’s Russia, fq. 31.
    [33] Chamberlin, “The Anecdote”, fq. 27; Oring, “Risky Business”, fq. 216; Jacquin Sanders, “The Tactful Satirists”, East Europe, 11:2 (1962), fq. 22-27; Jacquin Sanders, “The Seriousness of Humor: Political Satire in the Soviet Bloc”, East Europe-Euromonitor, 11 (1982), fq. 21-29; Talmadge, “The Enjoyment of Laughter in Russia”, fq. 46.
    [34] S. Davies, Popular Opinion in Stalin’s Russia, fq. 17, 140 – 141; Fitzpatrick, Everyday Stalinism, fq. 180; Rimmel, “Another Kind of Fear”, fq. 493-499; dhe shih Jaroslaw Pieckalkiewicz, Public Opinion Polling in Czechoslovakia (New York, 1972).
    [35] Christie Davies, The Mirth of Nations (New Brunswick, NJ, 2002), fq. 221-222, 227-228.
    [36] André Clément, Les 100 meilleures histoires de l’occupation (Paris, 1945); Kathleen Stokker, Folklore Fights the Nazis, Humor in Occupied Norway, 1940-1945 (Cranbury, NJ, 1995), fq. 22-23.
    [37] Antonin J. Obrdlik, “‘Gallows Humor’: A Sociological Phenomenon”, The American Journal of Sociology, 45:5 (1942), fq. 709-716, 709, 712, 716.
    [38] Chad Bryant, “The Language of Resistance: Czech Jokes and Joke-Telling under Nazi Occupation, 1943-45”, Journal of Contemporary History, 41 (2006), fq. 133-151, 133-139.
    [39] George Mikes, parathënie për Stephen Lukes dhe Itzhak Galnoor, No Laughing Matter: A Collection of Political Jokes (New York, 1985), fq. vii; Pi-Sunyer, “Political Humor in a Dictatorial State”, fq. 183-187; Zlobin, “Humor as Political Protest”, fq. 223.
    [40] Cochrane, “‘What Courage!’”, fq. 272; Emil Draitser, “Soviet Underground Jokes as a Means of Entertainment”, Journal of Popular Culture, 23 (1989) fq. 117-125, 118; Alexander Rose, “When Politics is a Laughing Matter”, Policy Review, 110 (2001-2002), fq. 50-71, 7-8; Hans Speier, “Wit and Politics: An Essay on Laughter and Power”, American Journal of Sociology, 103:5 (1998) fq. 1352-1401, 1395.
    [41] Mikhail Bakhtin, Rabelais and his World (Cambridge, MA, 1985), fq. 71 -96.
    [42] Shih S. Davies, Popular Opinion in Stalin’s Russia, fq. 174 – 177; shih po ashtu Michael Schiff, Radio Eriwans, Auslands-Program (Frankfurt, 1975); idemRadio Eriwans antwortet (Frankfurt, 1978).
    [43] Katerina Clark dhe Michael Holquist, Mikhail Bakhtin (Cambridge, MA, 1984), fq. 307- 314; Sue Vice, Introducing Bakhtin (Manchester, 1997), fq. 152-154.
    [44] Speir, “Wit and Politics”, fq. 1395.
    [45] Christel Lane, The Rites of Rulers: Ritual in Industrial Society in the Soviet Case (Cambridge, 1981), fq. 130.
    [46] Draitser, “Soviet Underground Jokes”, fq. 118.
    [47] Cochran, “‘What Courage!’”, fq. 272 ; Speir, “Wit and Politics”, fq. 1399. Shih po ashtu diskutimet në Oring, “Risky Business”, fq. 222-22.
    [48] Robert Littell (red.), The Czech Black Book, përgatitur nga Instituti i Historisë i Akademisë së Shkencave të Çekosllovakisë (London, 1969), fq. 111; Stokker, Folklore Fights the Nazis, fq. 207-210.
    [49] Yurchak, “The Cynical Reason of Late Socialism”, fq. 163.
    [50] Nicolai Tolstoy, Stalin’s Secret War (London, 1981), fq. 150-154; Yurchak, “The Cynical Reason of Late Socialism”, fq. 166.
    [51] Alexander Shtromas, Political Change and Social Development: The Case of the Soviet Union (Frankfurt, 1981), fq. 100.
    [52] S. Davies, Popular Opinion in Stalin’s Russia, fq. 94-101.
    [53] Rummel, Lethal Politics, fq. 57-58; Alexander Shtromas, “The Baltic States as Soviet Republics: Tensions and Contradictions”, në Graham Smith (red.), The Baltic States: The National Self-Determination of Estonia, Latvia and Lithuania (Basingstoke, 1996), fq. 86-117, 89-90; Tolstoy, Stalin’s Secret War, fq. 242.
    [54] Shih Catherine Andreyev, Vlasov and the Russian Liberation Movement (Cambridge, 1989).
    [55] Shtromas, Political Change and Social Development.
    [56] Christie Davies, “Humor for the Future and a Future for Humor”, në Shtromas dhe Kaplan, The Soviet Union and the Challenge of the Future, III, fq. 299 – 319. Punimi u pranua në vitin 1985. Referatet e konferencës u publikuan më 1989 në katër volume, secili me 750 faqe.
    [57] Krah. James C. Scott, Weapons of the Weak (New Haven, CT, 1985).

    [58] Deriabin dhe Gibney, The Secret World, fq. 38, 61, 141, 175, 220, 227; Thurston, Social Dimensions of Stalinist Rule, fq. 594.

    Lajmi Paraprak

    Të fotografosh njerëzoren: portretet e të pastrehëve në Londër

    Lajme tjera

    Mbreti i Panairit

    Edison Ypi Të jetë për mua, unë i bie shkurt. Nxjerr një VKM (Vari Këmborën Mushkës) për të…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë