Intelektualët apolitikë

    Otto René Castillo.
    Sjellë në shqip nga Maksim Rakipaj 

    Një ditë,
    intelektualët
    apolitikë
    të vendit tim
    do të merren në pyetje,
    nga njerëzit më të thjeshtë
    të popullit tonë.
    Do të pyeten
    mbi atë çka bënin
    kur atdheu shuhej
    ngadalë,
    si një zjarr i ëmbël,
    i vogël dhe i vetmuar.
    S’do t’i pyesë njeri
    për rrobat e tyre,
    as për pushimet e tyre të gjata
    pas dreke.
    Aq më pak për
    betejat e tyre me kotësinë,
    e as për mënyrën e tyre ontologjike
    të fitimit të parasë,
    Nuk do të merren në pyetje
    mbi mitologjinë greke
    e as për neverinë
    që ndjenë
    kur dikush mes tyre
    ra i vdekur prej frikës.
    Nuk do të pyeten për asgjë
    mbi justifikimet e tyre absurde
    të lindura nën hijen
    e një mashtrimi të plotë.
    N’atë ditë do të vijnë
    njerëzit e thjeshtë.
    Ata që kurrë s’u përfshinë
    në librat dhe vargjet
    e intelektualëve apolitikë,
    por që për çdo ditë iu sillnin
    bukën dhe qumështin,
    vezët dhe pitet,
    ata që iu qepnin rrobat,
    ata që iu ngisnin veturat,
    ata që kujdeseshin për qentë dhe kopshtet e tyre,
    e që punonin për ta,
    Dhe do t’i pyesin:
    “Ç’bëtë ju kur të varfrit
    vuanin, dhe kur digjej flakë
    butësia dhe jeta e tyre?”
    Intelektualë apolitikë
    të vendit tim të shtrenjtë,
    ju s’do keni asnjë përgjigje.
    Korbi i heshtjes do vijë t’ju shqyejë
    zorrët.
    Mjerimi juaj
    do ju brejë shpirtin,
    dhe do ta qepni gojën
    të turpëruar nga vetja./ KultPlus/

    Lajmi Paraprak

    “Të gjithë duam të ikim” | Varfëria, jo krimi, nxit dëshirën për të ikur nga Shqipëria

    Lajmi i rradhës

    Qindra banorë të Buzallkovës në Veles, vuajnë për ujë të pijshëm

    Lajme tjera

    Po, o nanë, po

    Havzi Nela Po, o nanë, po,N’emën të ligjit jam arrestue,E duert m’i kthyen prapa policët e zi,N’hekur me…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë