Jeta tragjike e gjeniut të kinemasë indiane

    Nga: Yasser Usman  / BBC

    I lindur më 9 korrik 1925 në shtetin jugor të Karnatakës, java e ardhshme shënon 100-vjetorin e lindjes së Guru Duttit. Por, njeriu pas kamerës, trazirat emocionale dhe lufta e tij me shëndetin mendor, mbeten kryesisht të paeksploruara.

    Autori i filmave klasikë të kinemasë hindi, si Pyaasa dhe Kaagaz Ke Phool – të cilët janë bërë pjesë themelore e shkollave të filmit për temat e tyre të përjetshme – Dutt zhvilloi një stil shumë personal dhe introspektiv krijues, që ishte risi në periudhën pas pavarësisë së Indisë.

    Personazhet e tij të ndërlikuar shpesh pasqyronin betejat e tij personale. Subjektet e filmave trajtonin tema universale, duke e ftuar publikun të përballej me realitete të pakëndshme përmes një kinemaje të bukur dhe prekëse.

    Fillimet e Duttit ishin modeste dhe fëmijëria e tij u shënua nga vështirësitë financiare dhe një jetë e trazuar familjare. Pasi familja e tij u shpërngul në Bengal, në Lindje të Indisë, për shkak të punës, Dutti i ri u ndikua thellësisht nga kultura e rajonit – ndikim që do të formësonte më vonë vizionin e tij kinematografik.

    Ai hoqi dorë nga mbiemri Padukone, pasi hyri në industrinë e filmit në Bombaj në vitet ’40 të shekullit XX. Debutoi jo si regjisor, por si koreograf, dhe gjithashtu punoi si operator telefoni për të përballuar jetesën. Pasiguria dhe trazirat e dekadës – kur lëvizja për pavarësinë e Indisë po arrinte kulmin – ndikonin në të ardhmen e një kineasti aspirues.

    Gjatë kësaj kohe ai shkroi Kashmakash-in, një histori e bazuar në frustrimin artistik dhe zhgënjimin shoqëror, ide që më vonë do të formësonin kryeveprën e tij kinematografike, Pyaasa.

    Miqësia e Duttit me aktorin Dev Anand – që shumë shpejt u bë i famshëm – e ndihmoi të merrte shansin për të bërë regjinë e filmit të tij të parë në vitin 1951. Filmi noar me titull Baazi, e hodhi atë në qendër të vëmendjes.

    Shpejt ai e gjeti dashurinë te këngëtarja e njohur Geeta Roy, dhe sipas shumë dëshmive, këto ishin vitet më të lumtura të jetës së tij.

    Pasi themeloi kompaninë e tij të filmit, ai shënoi suksese të njëpasnjëshme me komeditë romantike Aar-Paar dhe Mr & Mrs 55, ku interpretonte edhe vetë në rolet kryesore. Por, i shtyrë nga dëshira për thellësi artistike, ai u përkushtua për të realizuar filmin që do të përkufizonte karrierën e tij – Pyaasa.

    Ky film tronditës dhe prekës trajtonte luftën e një artisti në një botë materialiste dhe, dekada më vonë, do të bëhej filmi i vetëm hindu në listën e revistës Time për 100 filmat më të mirë të shekullit XX.

    Motra më e vogël e ndjerë e Duttit, Lalitha Lajmi, e cila bashkëpunoi me mua kur shkrova biografinë e tij, tha se Pyaasa ishte “projekti ëndërr” i vëllait të saj dhe se “ai donte të ishte i përsosur”.

    Si regjisor, Dutti e kishte zakon të “krijonte” filmin ndërsa ai merrte formë gjatë xhirimeve, duke bërë shumë ndryshime në skenar dhe dialogë, si dhe duke eksperimentuar me teknika kamerash. Edhe pse njihej për hedhjen poshtë të ideve dhe xhirimin nga e para të skenave, kjo arriti nivele shqetësuese gjatë realizimit të Pyaasa-s – për shembull, ai xhiroi 104 dubla për skenën e famshme të fundit.

    Sipas Lajmit, ai bëhej nervoz dhe shpërthente me ulërima kur gjërat nuk shkonin siç duhet.

    “Gjumi i iku. Kishte filluar abuzimi me alkoolin dhe varësia me të. Në gjendjen më të keqe, filloi të përzinte pilulat e gjumit me uiskin. Guru Dutt dha gjithçka për të realizuar Pyaasa-n – gjumin, ëndrrat dhe kujtimet e tij”, tha ajo.

    Në vitin 1956, ndërsa projekti i tij i ëndrrave po përfundonte, Dutti 31-vjeçar tentoi të kryente vetëvrasje.

    “Kur morëm vesh lajmin, vrapuam drejt Pali Hillit [ku ai banonte]”, tregoi Lajmi. “E dija që ishte në trazira të brendshme. Më thërriste shpesh, duke më thënë se duhej të flisnim, por kur shkoja atje, nuk thoshte asnjë fjalë”.

    Megjithatë, pas daljes nga spitali, familja nuk kërkoi ndihmë profesionale.

    Shëndeti mendor ishte temë për “stigmatizim shoqëror” në atë kohë dhe, duke qenë se investimet në Pyaasa ishin të mëdha, Lajmi tha se familja u përpoq të vazhdonte tutje pa u përballur vërtet me shkaqet e luftës së brendshme të vëllait të saj.

    I lansuar në vitin 1957, Pyaasa ishte një sukses i madh kritik dhe komercial, që e katapultoi Duttin në famë. Por, vetë kineasti shprehte shpesh ndjenjën e boshllëkut, pavarësisht suksesit.

    Kinematografi kryesor i Pyaasa-s, VK Murthy, shprehet se Dutti i ka thënë: “Doja të isha regjisor, aktor, të bëja filma të mirë – i kam arritur të gjitha. Kam para, kam gjithçka, dhe megjithatë s’kam asgjë”.

    Ekzistonte edhe një paradoks i çuditshëm midis filmave të Duttit dhe jetës së tij personale.

    Filmave të tij shpesh u prinin gra të forta dhe të pavarura, por jashtë ekranit, siç kujton Lajmi, ai priste që bashkëshortja e tij të pranonte një rol më tradicional dhe të këndonte vetëm në filmat e prodhuar nga kompania e tij.

    Për ta mbajtur gjallë kompaninë, Dutti ndiqte një rregull të thjeshtë: çdo rrezik artistik duhej të pasohej nga një film komercial me fitim të sigurt.

    Por, i nxitur nga suksesi i Pyaasa-s, ai injoroi vetë rregullin e tij dhe u hodh drejtpërdrejt në realizimin e filmit më personal, më të shtrenjtë dhe pjesërisht autobiografik: Kaagaz Ke Phool.

    Filmi rrëfen historinë e një regjisori me një martesë të palumtur dhe në një marrëdhënie të ndërlikuar me muzën e tij. Ai përfundon në mënyrë të zymtë me vdekjen e regjisorit, i cili nuk arriti të përballej me vetminë e tij të thellë dhe lidhjet e dështuara.

    Edhe pse sot njihet si një klasik, në atë kohë ishte një dështim komercial – një goditje të cilën, sipas raporteve, Dutti nuk e përballoi kurrë.

    Në një intervistë, aktorja dhe bashkëpunëtorja e tij Waheeda Rehman, e kujton duke thënë: “Në jetë ka vetëm dy gjëra – suksesi dhe dështimi. Nuk ka asgjë në mes”.

    Pas Kaagaz Ke Phool-it, ai nuk bëri asnjë film tjetër.

    Megjithatë, kompania e tij u rimëkëmb me kalimin e kohës dhe ai u rikthye fuqishëm si producent me Chaudhvin Ka Chand, filmin më të suksesshëm komercial në karrierën e tij.

    Më pas, nisi punën për Sahib Bibi Aur Ghulam, regjinë e të cilit e bëri skenaristi i tij i besuar, Abrar Alvi. Por, në atë kohë, sipas motrës së tij Lajmi, jeta personale e Duttit ishte në trazira të thella, me ndryshime të forta të humorit.

    Filmi trajton vetminë e një gruaje të bllokuar në një martesë pa dashuri, me një bashkëshort që ishte jo vetëm i pabesë, por edhe shpesh tiranik, në një botë të pasur, por ende feudale.

    Shkrimtari Bimal Mitra kujton se Dutt i kishte treguar për betejën e tij me pagjumësinë dhe varësinë ndaj pilulave të gjumit gjatë asaj kohe. Deri atëherë, martesa e tij kishte përfunduar dhe gjendja mendore ishte përkeqësuar. Mitra kujtonte shumë biseda me të, ku Dutti përsëriste vazhdimisht: “Mendoj se do të çmendem”.

    Një natë, Dutti tentoi sërish të kryente vetëvrasje. Qëndroi pa ndjenja për tre ditë.

    Lajmi thotë se pas kësaj ngjarjeje, me këshillën e mjekut, familja thirri një psikiatër për të kërkuar trajtim për Duttin, por nuk e vazhduan më tej. “Nuk e thirrëm më kurrë psikiatrin”, shtoi ajo me keqardhje.

    Për vite me radhë, ajo besoi se vëllai i saj po bërtiste në heshtje për ndihmë, se ndoshta ndodhej në një hapësirë të errët ku askush nuk mund ta shihte dhimbjen e tij – aq të errët, saqë as vetë ai nuk gjente dot rrugëdalje.

    Disa ditë pasi Dutti doli nga spitali, xhirimet për Sahib Bibi Aur Ghulam rifilluan sikur s’kishte ndodhur asgjë.

    Kur Mitra e pyeti për incidentin, Dutt iu përgjigj: “Ende pyes veten ç’ishte ajo trazirë, ç’ishte ai shqetësim që më shtyu të jem aq i vendosur për të vrarë veten? Kur mendoj për këtë, më kap një frikë e thellë. Por, atë ditë, nuk ndjeva asnjë hezitim për të gëlltitur pilulat e gjumit”.

    Filmi pati sukses, u përzgjodh si përfaqësuesi zyrtar i Indisë në Festivalin e Filmit në Berlin në vitin 1963 dhe fitoi edhe një çmim kombëtar.

    Por, betejat personale të Duttit vazhduan të shtoheshin. Ai u nda nga gruaja dhe, edhe pse vazhdoi të luante në filma, përjetonte një vetmi të thellë, duke iu kthyer shpesh alkoolit dhe pilulave të gjumit për të gjetur pak qetësi.

    Më 10 tetor 1964, Guru Dutt, 39 vjeç, u gjet i vdekur në dhomën e tij.

    “E di që gjithmonë e kishte dëshiruar [vdekjen], e kishte kërkuar … dhe më në fund e mori”, shkroi aktorja që luajti me të, Waheeda Rehman, në Journal of Film Industry më 1967.

    Ashtu si protagonisti i Pyaasa-s, edhe Dutti mori vlerësimin e vërtetë vetëm pasi iku nga kjo botë.

    Adhuruesit e kinemasë shpesh pyesin veten se çfarë mund të kishte qenë nëse ai do të kishte jetuar më gjatë; ndoshta do të kishte vazhduar ta riformësonte peizazhin kinematografik të Indisë me veprat e tij vizionare dhe poetike. /Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    Lidhja e Shoqatave të Diabetikëve në RMV: nuk kemi terapi të insulinës, ndihemi të mashtruar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë