Kohë procesionarje

    Ndue Dedaj

    Por asnjë kamera televizive nuk i afrohet këtij realiteti të përhimë, sepse kamerat kanë punë me politikanët, aty janë fokusuar ato përditë e përnatë. Nuk “teprojnë” as për të filmuar kopshtin “arkaik” të mbishekullorit të fisëm, lalë Markut, as për të bërtitur në kupë të qiellit për shpëtimin e pishave nga procesionarja kanceroze. Dikur ishte silikoza e nëntokës – pluhurat e kuarcit – që ua merrnin jetën minatorëve, tash është procesionarja, që duke vrarë natyrën e gjelbër, do t’i sëmurë dhe mushkëritë e njerëzve, që bjeshka iu kishte dhënë nga mot shëndet e jetëgjatësi. Të jemi korrektë! Mediat kanë bërë kronika për këtë sëmurës të përvitshëm të pishave, puna është se procesionarja nuk e ka kaluar pragun e studiove të debatit me të ftuar qeveritarë e specialistë të pyjeve, që këta të fundit duhet thënë se i kemi të zot se si të dilet nga kjo kolerë. Ndoshta ngaqë kjo gjë nuk prodhon vota për politikanët. Të ishin pyjet në zonat e populluara, mbase do të ishte gjetur mënyra për t’i çliruar nga kthetrat e procesionares, që pas sëpatës dhe sharrës iu ra për hise kjo monstër. Ka një vit e ca që flitet për pandeminë e koronavirusit, por procesionarja është një pandemi më vete, kudo ku ka pisha: në Mirditë, Pukë, Elbasan, Vlorë, Korçë etj. Në vendet europiane përpiqen që ta zvogëlojnë dëmin e saj, kurse këtu te ne askush nuk do t’ia dijë nga ata që kanë në dorë “çelësat” e buxhetit të shtetit, projekteve me donatorët e huaj etj.

    Lalë Marku në Selitë do të vazhdojë të mbjellë pemë e perime, të presë miq në vatrën e tij bujare, sidomos këtë të hënë, pasi është festa e Shënllezhdrit. Kurse ipeshkvi i Rrëshenit, imzot Gjergj Meta, është i shtëpisë këtu, vjen rregullisht te pinjolli i fundit i Margjinëve të vjetër, si te një dajë i veti. Kalojmë nga një fshat në tjetrin, takojmë njerëz bujarë, me fëmijët larg. Përpiqemi ta shmangim bisedën nga politika, por Gjoni, një ish-minator i Kurbneshit, nuk e fsheh ironinë, kur thotë se 83 mijë vota të pavlefshme shkuan në kosh. Bukë e pjekme, i thua kësaj?!

    Fushata ka kaluar dhe, kush më pak e kush më shumë, të gjithë janë kritikë, si fituesit, si humbësit e zgjedhjeve, kur bëhet fjalë për nesër. Një përfaqësues i së majtës, për disa vite në detyra të rëndësishme në administratën lokale dhe qendrore, mbështetës i përhershëm i PS-së, thotë se do t’i kishte sugjeruar Kryeministrit që në mandatin e tretë:

    “Të heqë dorë nga ato PPP-të (Partneriteti Publik Privat), të ulë naftën e ta bëjë sa në Kosovë e Maqedoni, të rrisë pensionet, por dhe rrogat në disa sektorë, të heqë taksën e Rrugës së Kombit dhe të mos bëjë batuta nëpër studio me gazetarët, të flasë më pak në Kuvend dhe në respekt të opozitës…”. Dhe sa ide e propozime të tjera të vlefshme, si rruga aq e përfolur për në Selitë, te Kroi i Bardhë e Lurë. Nuk mund të mos vëresh se është e kripur fatura e (mbi)jetesës dhe për ata që janë në punë, jo më për ata që nuk kanë asnjë të ardhur e qëllon që, njëherë në katër vjet, bien pre e grabitësve të votave për dy kacidhe. Jemi ngjitur deri lart në bjeshkën e Mullit, ku qeni paqësor i tufës së dhive na fërkohet për trup, si të jetë “trajnuar” për t’i njohur vizitorët e rrallë të maleve. Arditi, djaloshi që ruan tufën, gëzohet kur sheh njerëz që ngjitën deri atje: dikush nga ne për të shkruar një reportazh, dikush tjetër për të shënjuar shtigjet turistike, e ndokush për të parë nëse kishte çelur aguliçja, lulezoja e “zanat” e tjera lulore të këtyre bjeshkëve.

    Një selitas i kënduar, që ka livadhet e tij në këto pllaja, na tregon një legjendë për ujin: “Thuhet se një bari që e kishte mbështetur faqen përtokë mbi barin e njomë, në zheg, befas dëgjon një si zhaurimë të largët. Nuk ishte në ëndërr, ngrihet dhe vështron kah qielli, mos po fluturonte ndonjë aeroplan? Jo. Shtrihet prapë aty ku qe dhe e dëgjon sërish atë zhaurimën e ëmbël. Nuk vinte nga qielli, por nga nëntoka, ishte një përrua i nëndheshëm, që do ta nxirrte “kryet” një mijë metra më poshtë, në shpellën e Shutrrísë e lumin e Urakës. E ti thua, prapë “legjenda” e ujit në këtë vend nuk paska të sosur, as në kohën moderne, pasi tash uji i kreshtave tona “rënkon” nëpër tuba të çeliktë?!

    Të dëshpëruarit, ata që do t’iu mungojë uji tek arat, pemët, mulliri, kroi i fshatit, çezmat e shtëpive apo dashnorët e përjetshëm të bukurive natyrore të pashprishura, me siguri thonë: “Më mirë uji të kishte ndenjur atje thellë e të mos kishte dalë kurrë në sipërfaqe!”.

    Për ta, qytetërimi rural, nëse mund të thuhet kështu, nuk është ky. E as canabis sativa… /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    “Rrugë të bardha”, historia e ngjarjes reale që u bë film

    Lajmi i rradhës

    Gogoli ose teatri që dënon veset që gjykata mund t’i tolerojë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë