Sead Zimeri
Filozof
Kush lexon sot tekste filozofike apo akademike në përgjithësi, vëren menjëherë një prirje gjithnjë e më të theksuar për të stërmbushur çdo faqe me referenca. Ajo që dikur ishte një praktikë modeste, e vendosur në fund të faqes ose në fund të kapitullit, tani është bërë normë që referencat të futen direkt brenda në tekst (p.sh., Zimeri 2024). Ky ndryshim nuk është i pafajshëm: ai e kthen leximin në një përvojë të rënduar dhe e largon vëmendjen nga vetë argumenti filozofik.
Sigurisht që referencat kanë vendin e tyre – jemi gjithmonë në dialog me të tjerët, dhe mendimi i mirë nuk lind në vakum. Por ka një dallim thelbësor mes citimit për të nderuar një mendim domethënës dhe mbingarkesës citimore që synon të demonstrojë erudicion. Kjo e fundit është kthyer në një normë burokratike të të shkruarit akademik. Në vend që të ndihmojë lexuesin, ajo shpesh e shtyp argumentin dhe e bën të palexueshme vetë idenë që përpiqet të shprehë.
Kjo nuk është thjesht çështje stili, por një simptomë më e thellë e mënyrës si prodhohet dijenia sot. Në shumë raste, referencat përdoren për të ndërtuar një fasadë autoriteti. Autori duket sikur thotë: “Ja sa shumë kam lexuar, prandaj më besoni.” Por në një tekst filozofik, nuk është sasia e burimeve ajo që bind, por qartësia dhe forca e argumentit. Një mendimtar i thellë e tregon dijen jo duke cituar çdo artikull që ekziston mbi një temë, por duke përzgjedhur thelbësoren dhe duke ndërtuar mbi të.
Të marrim si shembull një temë si liria e shprehjes. Autori që shkruan për këtë çështje nuk ka nevojë të listojë dhjetëra referenca për të treguar që e njeh literaturën. Lexuesi i arsyeshëm do të presupozojë që ai është i informuar. Ajo që ka rëndësi është nëse ai arrin ta artikulojë qartë idenë që, pa lirinë e shprehjes, demokracia është e zbrazët. Në këtë rast, referencat janë të mirëseardhura, por vetëm kur ndihmojnë për të sqaruar një ide, jo kur bëhen vetë pengesë për të kuptuar mendimin.
Kjo tendencë për të zëvendësuar mendimin me referenca ka çuar në një përmbysje të traditës filozofike. Mjafton të shohim se si shkruanin filozofët më të mëdhenj: Platoni, Aristoteli, Kant, Hegel. Ata nuk mbushnin faqet me burime dytësore. Kur citonin, e bënin këtë për të nderuar ide që kishin ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si kuptohej një çështje. Kant u përball me skepticizmin e Hume-it mbi kauzalitetin, jo sepse ishte në modë ta citosh Hume-in, por sepse sfida e tij filozofike ishte reale dhe kërkonte përgjigje. Ata lexonin njëri-tjetrin dhe angazhoheshin me argumentin, jo me komentatorët.
Sot ndodh shpesh e kundërta: i referohemi me kujdes dhjetëra interpretimeve, por shpesh pa e lexuar thellë vetë autorin origjinal. Dhe kjo përmbysje nuk është pa pasoja: shkruajmë gjithnjë e më shumë, por prodhojmë gjithnjë e më pak përmbajtje që ia vlen të mbahet mend. Tregu akademik na shtyn drejt publikimeve të shpejta dhe numrave të mëdhenj, jo domosdoshmërisht drejt mendimit të mirë.
Wittgenstein e kuptoi këtë më mirë se shumica. Në parathënien e Tractatus Logico-Philosophicus (1922), ai shkroi:
“Sa përputhen përpjekjet e mia me ato të filozofëve të tjerë nuk do ta vlerësoj. Ajo që kam shkruar nuk pretendon të jetë risi në detaje, dhe për këtë arsye nuk jap burime, sepse është e parëndësishme për mua nëse ajo që kam menduar është menduar më parë nga dikush tjetër.”
Kjo nuk është thirrje për të mohuar referencën apo për të braktisur literaturën. Është thirrje për të rikthyer mendimin në qendër. Le të mësojmë sërish të mendojmë thellë, të shkruajmë qartë dhe të citojmë me masë. Në fund të fundit, filozofia nuk është një garë për të kujtuar më shumë tituj, por një përpjekje për të kuptuar më mirë botën dhe vendin tonë në të.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.