Ali Ashani
Studiues i fesë Islame
Disa gjëra janë të shenjta dhe duhet të trajtohen me respektin e duhur. Më vjen keq ta them, por disa veprime dhe akte që i shohim sot në rrjetet sociale, edhe nga ata që duhet të jenë shembuj të udhëzimit, nuk i ngjajnë as një besimtari të thjeshtë, e lëre më një studiuesi të fesë apo një hoxhe.
Pamjet e fundit të një prej kolegëve tanë në afërsi të Qabes (mendoj se plot prej jush e dinë kush është) tregojnë një formë të devotshmërisë që nuk i përket as frymës së Islamit dhe as etikës së dijetarëve.
Lutjet dhe veprimet që i bën ky vëlla aty, jo vetëm që nuk e madhërojnë Allahun dhe simbolet e Tij, por kthehen në një formë të shëmtuar të ekspozimit për shikime, klikime dhe vëmendje. Allahu në Kuran thotë: “Kushdo që madhëron simbolet e Allahut, kjo është nga devotshmëria e zemrave.” (El-Haxh: 32)
Devotshmëria nuk është një akt që kërkon kamera, ndjekës dhe duartrokitje. Devotshmëria nuk është një spektakël që duhet regjistruar e shpërndarë për t’i treguar botës. Nëse ajo që bëjmë para Allahut nuk buron nga një zemër e pastër, atëherë as brohoritjet e fansave dhe as kritikat e njerëzve nuk do të na bëjnë dobi ditën kur do të qëndrojmë para Tij.
Kjo këshillë bëhet publikisht, sepse edhe tejkalimi i kufijve fetarë është bërë publik. Përndryshe, çdo vëlla meriton këshillë private kur gabimi është mes tij dhe Allahut. Por kur diçka kthehet në normë publike, heshtja bëhet miratim.
Fatkeqësisht, ajo që shoh është një qasje e një njeriu që nuk e njeh Meken, as historinë e saj në kohën e injorancës (xhahilijetit), e as pas ardhjes së dritës me të cilën na udhëzoi i Dërguari i Allahut ﷺ.
Arabët kanë një shprehje të urtë: (ما هكذا تورد الإبل) – Kështu nuk drejtohen devetë në burim.
Kështu nuk drejtohet as feja, as devotshmëria, e aq më pak roli i një hoxhe. Allahu na udhëzoftë të gjithëve drejt asaj që është më e mirë!
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.