Sead Zimer, filozof
Përhapja e inteligjencës artificiale—veçanërisht e gjeneruesve të tekstit si ChatGPT, Grok, Claude apo Gemini—ka ngjallur një dyshim të thellë rreth autorësisë së teksteve që lexojmë: në gazetari, në letërsi, në filozofi, apo edhe në komunikimin e përditshëm. Ky dyshim nuk është thjesht teknik, por epistemik dhe etik. Pyetja nuk është vetëm kush e shkroi tekstin, por kush e mendoi mendimin dhe kush është përgjegjës për të? A qëndron pas tekstit një mendje njerëzore me gjykim dhe qëllim, apo thjesht një sistem që simulon mendimin?
Koncepti i autorësisë është veçanërisht i rëndësishëm për studentët, sidomos ata universitarë, të cilët duhet të hartojnë ese, raporte, projekte dhe të japin provime me shkrim. Për ta, pyetja nuk është thjesht teorike, por praktike: cilët janë kufijtë etik në përdorimin e inteligjencës artificiale? Dhe kjo pyetje nuk ka të bëjë vetëm me ndershmërinë individuale, por me vetë kuptimin që kemi për arsimimin si një proces formimi dhe zhvillimi të mendimit të pavarur, ku vlerësimi ka kuptim vetëm kur pasqyron përpjekjen dhe gjykimin personal të studentit.
Nëse një student paraqet një tekst të prodhuar nga një algoritëm gjenerues si të vetin, atëherë kriteri i vlerësimit bie. Ne mendojmë se po testojmë dijen e studentit, por në fakt po vlerësojmë një algoritëm që nuk ka menduar asgjë. Ky nuk është vetëm mashtrim; është zhbërje e vetë funksionit të edukimit. Marrëdhënia midis studentit dhe mësuesit—e ndërtuar mbi besim, përgjegjësi dhe përpjekje reciproke—shndërrohet në një raport të rremë. Dhe nëse besimi shembet, institucioni edukativ humb legjitimitetin e tij si hapësirë formimi dhe njohjeje.
Çështja nuk është nëse duhet ndaluar përdorimi i AI-së në institucione akademike dhe shkollore. Përkundrazi: ai është tashmë pjesë e jetës sonë dhe do të përdoret gjithnjë e më shumë—për të sugjeruar përmirësime, për të gjeneruar ide alternative, madje për të ndihmuar në shkrimin teknik të dokumenteve. Por që ky përdorim të jetë etik, një gjë duhet mbrojtur me çdo kusht: përgjegjësia për mendimin.
Në shumë fusha të jetës sonë—analiza të të dhënave, parashikime statistikore—do të jetë e arsyeshme t’i besojmë vendimmarrjen AI-së. Por ka situata që kërkojnë gjykim moral, jo vetëm saktësi logjike, sepse asnjë sistem gjenerues nuk e ndien barrën morale të përgjegjësisë që kemi ndaj tjetrit. Inteligjenca artificiale mund të shkruaj më mirë se një autor me përvojë. Por nuk mund të shqetësohet për ne, sepse nuk ka interes për mirëqenien tonë, as ndjeshmëri për pasojat e vendimeve që merr në emrin tonë.
Prandaj nuk është vetëm çështje ndershmërie, por lirie dhe autonomie: autorësia është një marrëdhënie normative me fjalën tonë, dhe si e tillë, është më e rëndësishme sot se kurrë më parë. Të jesh autor do të thotë të jesh agjent i mendimit tënd të shprehur në fjalë—të marrësh përgjegjësi për atë që thua dhe të përballesh me të tjerët jo si gjenerues i fjalëve, por si agjent që ka reflektuar. Dhe është kjo marrëdhënie që edukimi kërkon të formojë dhe vlerësojë. Nëse ajo zhduket, edukimi pushon së qeni edukim, dhe bëhet vetëm simulim.
Le të marrim një shembull konkret. Kaloj disa ditë apo javë duke zhvilluar një argument filozofik për etikën e kujdesit në mësimdhënie—një temë me të cilën jam i angazhuar profesionalisht. Hartoj strukturën, formuloj tezën, shqyrtoj kundërshtime, dhe përpiqem të kuptoj implikimet normative të qëndrimit që dua të shtroj. Pastaj i kërkoj ndihmë një redaktori, ose një mjeti si ChatGPT, për të më ndihmuar me stilin, rrjedhshmërinë, ose për të përpunuar ndonjë pjesë më qartë. Edhe nëse kjo ndihmë është e konsiderueshme në ristrukturim e tekstit, siç rëndom bëjmë ne mësimdhënësit me studentët tanë, autori mbetem unë. Sepse mendimi është i imi. Dhe forma në të cilën ai merr jetë është formë për të cilën jam përgjegjës.
Tani mendoni një rast tjetër. Nuk kam asnjë ide, asnjë strukturë, asnjë pyetje që më shtyn të mendoj. Thjesht i them IA-së: “Shkruaj një tekst për etikën profesionale të mësuesit. Nuk kam nerva të merrem vetë.” Dhe rezultatin e botoj me emrin tim, ndoshta duke ndryshuar një fjalë këtu, një fjali atje. Por në thelb, nuk kam bërë asgjë. Nuk kam menduar asgjë. Mendimi nuk është i imi. Dhe autor nuk jam unë. Të pretendosh autorësinë në këtë rast është një mashtrim intelektual, një simulim i përgjegjësisë që nuk e ke ushtruar.
Autorësia lind nga gjykimi. Autori është ai që merr një ide, e strukturon, e shqyrton, e shtyn përpara, dhe në fund thotë: “kjo është ajo që dua të them.” Gjithçka tjetër është teknikë.
Për këtë arsye, redaktimi, korrektimi, përkthimi—madje edhe rishkrimi i pjesshëm apo i tërësishëm—nuk e zhvendosin autorësinë. Ato janë forma ndihme, jo zëvendësimi. Një redaktor i aftë mund ta transformojë tekstin rrënjësisht, por për sa kohë nuk e zëvendëson idenë, mendimin e shtruar, ai nuk është autor. E njëjta gjë vlen për inteligjencën artificiale, sado “inteligjente” të duket.
Autorësia lind kur dikush merr përsipër të mendojë një ide dhe të qëndrojë pas saj si gjykim personal. Nuk është fjala për ta formuluar në mënyrën më të bukur, por për ta ndjekur mendimin deri në fund—për ta bërë atë tëndin. Unë, për shembull, jam autor i këtij teksti sepse kam marrë kohën dhe mundin për ta menduar këtë problem, për të bërë dallime konceptuale të nuancuara, dhe për ta ndarë me lexuesin si një akt mendimi, pas të cilit qëndroj. Ky është themeli i autorësisë: jo renditja e fjalëve për hir të stilit, por përgjegjësia për mendimin që ato përfaqësojnë.
Por kjo përgjegjësi nuk mund të ushtrohet në ajër. Ajo kërkon një formë. Dhe forma kërkon përzgjedhje. Shumë nga ajo që po bëj tani nuk ka të bëjë vetëm me mendimin në kuptimin e tij të brendshëm, por me përpjekjen për të gjetur fjalën e duhur, shprehjen e saktë, ritmin, tonin, stilin. Nuk mund të mohojmë se kjo është pjesë thelbësore e autorësisë. Mund të kem mendimet e mia dhe të mos i vë asnjëherë në shkrim—dhe në një kuptim abstrakt, unë jam autor i tyre. Por autorësia si fakt social dhe moral kërkon komunikim. Dhe komunikimi nuk mund të ndodhë pa mishërimin e mendimit në gjuhë: pa përzgjedhje, pa formë, pa përgjegjësi për mënyrën se si një ide hyn në botë.
Megjithatë, duhet të jemi të kujdesshëm. Ka diçka të rrezikshme në mënyrën si autorësia shpesh funksionon si një formë pronësie intelektuale—si të ishin idetë objekte që mund të regjistrohen, mbrohen me ligj, dhe paditen në gjykatë. Por gjuha është e përbashkët. Askush nuk shpik fjalët. Askush nuk zotëron sintaksën. Edhe idetë nuk lindin në izolim. Ato janë fryt i një hapësire të përbashkët diskursive, i një bote që flitet, përjetohet dhe kuptohet së bashku.
Çdo autor është një borxhli: një sistematizues, një artikulues, një zë që flet brenda një trashëgimie që nuk e ka zgjedhur, por e ka përvetësuar. Për këtë arsye, autorësia nuk është një akt vetmie, por një formë pjesëmarrjeje. Të mendosh një ide nuk është të flasësh nga zbrazëtia, por të ndërtosh mbi një truall të përbashkët—me fjalët e të tjerëve, me përvojat e përbashkëta, me kuptime që janë përpunuar nga breza të tërë.
Autorësia nuk është shpikje absolute. Është përpjekje për të ndarë diçka të vërtetë, të kuptueshme, të përgjegjshne—në një mënyrë që i fton të tjerët të mendojnë më tej. Dhe kjo është ajo që e bën autorësinë një akt të mendimit të strukturuar dhe të vetëdijshëm, jo një pronë për t’u mbrojtur, por një kontribut për t’u përgjegjësuar.
Merreni për shembull Marksin. Kapitali është një vepër monumentale, ndërtuar mbi mijëra burime: të dhëna ekonomike, teori filozofike, përvoja të klasës punëtore. Ai nuk e shpiku as terminologjinë, as gjuhën, as realitetin që përshkruan. Por ne prapë e quajmë autor të saj, me të drejtë—jo sepse i përket e gjithë përmbajtja, por sepse ai e artikuloi një mendim në një formë të re dhe të fuqishme. Përgjegjësia e tij është etike dhe epistemike, jo pronësore.
Ky është, sipas mendimit tim, kuptimi që ia vlen të mbrojmë për autorësinë. Jo si pushtet, jo si lavdi, jo si pronë, por si një akt mendimi të përkufizuar dhe të përgjegjshëm. Autori nuk është zot i kuptimit, por ai që merr përgjegjësi për gjurmën që lë në botë.
Nuk është pra çështja nëse tekstet e prodhuara nga inteligjenca artificiale janë kuptimplota. Shumë prej tyre janë. Por ato nuk vijnë nga një mendje që ka qëndrim, nuk janë fryt i një përpjekjeje që përjetohet si punë, dhe nuk mund të mbajë përgjegjësi për to. Ato ekzistojnë, por nuk i përkasin askujt.
Për sa kohë që jemi qenie morale—që kujdesemi për atë që bëjmë dhe si përfaqësohemi në botë—autorësia mbetet e pazëvendësueshme. Sepse, në fund, të menduarit nuk delegohet. Dhe atje ku nuk ka mendim, nuk ka përgjegjësi. Dhe atje ku nuk ka përgjegjësi, nuk ka autor.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.