Sharl Bodler
Marinarët shpeshherë sa për shaka
gjuajnë albatrosa, këto shpezë të mëdha,
bashkudhëtarë të plogësht që fluturojnë mbi det
mbi anijen që sipër greminave të njelmta shket.
Porsa t’i vendosin në dërrasa, të mundur
këta mbretër të kaltrisë së ngathët e të përunjur,
të ndjellin mëshirë me ata krahë mbërthyer,
të mëdhenj e të bardhë si rrema të thyer.
Ky udhëtar krahëgjatë, sa i pagjallëri!
I bukur ka qenë, tani gaz i botës shëmti!
Njëri ia ngacmon sqepin me çibuk,
tjetri e imiton, e përqesh, e ç’nuk!
Poeti i ngjan këtij princi të reve,
s’e tremb dot stuhia as qitësi i shpezëve!
Syrgjyn në tokë, në bisht të shpotisë ngeci
krahët e tij viganë e pengojnë të eci.