Mbresa dhe kujtime nga jeta e shkrimtarit të shquar (fajkoi i bregdetit) Petro Marko dhe piktores së talentuar Safo Marko

    Xhafer Korro

    Isha student në shkollën pedagogjike rreth viteve 1953-1957 të shekullit të kaluar.

    Më kujtohet se në një ditë tetori, mësuesi (pedagogu) i lëndës të letërsisë, i paharruari Gjergj Zheji, në fund të orës së mësimit na tha: “Bashkë tani mirupafshim, mbasi unë do të transferohem në një shkollë tjetër. Por ju do ta mësoni njëlloj lëndën e letërsisë, sepse edhe ai që do të vijë është shumë, shumë i mirë si profesor dhe është shkrimtar i madh.”

    Neve nuk na erdhi mirë se kishim respekt për atë profesor; në veçanti unë, që lëndën e letërsisë e mësoja mirë dhe me qejf, sepse e kisha pasion. E kisha me pasion edhe lëndën e letërsisë dhe atë të historisë.

    Mbasi u ndamë me dashuri me profesor Zhejin, u bëmë shumë kureshtarë të dinim se kush do ishte vallë profesori i ri që do të na jepte lëndën e letërsisë?

    Të nesërmen u hap fjala se do ishte nga bregdeti. Në mendjen time erdhi ndërmend kënga popullore që bënte fjalë për burrat dhe gratë e bregdetit. Ja cilat vargje m’u kujtuan:

    Himara në breg të detit

    Shtatë fshatra janë

    Rrethuar me portokalle

    Si ishuj në oqean

    I vunë gjoksin dovletit

    Si zogj në tramundanë… etj.

    Kisha dëgjuar për trimëritë e tyre kundër pushtuesve të huaj si kundër Turqisë dhe që ngritën zërin nga Fuqitë e Mëdha dhe deri lart në Shën Peterburg. Por ndihma që kërkuan nuk iu dha kurrë dhe ata u përqendruan me forcat e tyre duke treguar trimëri të pashoqe. Por më vonë e treguan trimërinë edhe kundër pushtuesve fashistë e nazistë – kundër Italisë dhe Gjermanisë.

    E bëj këtë parantezë që ta kuptojmë se i tillë kishte qenë dhe vetë profesori, por edhe familja nga ai rridhte.

    Një ditë e kaluam orën e letërsisë pushim. Dhe një ditë më vonë, kur orën e parë kishim letërsi, të gjithë ishim të mbërthyer nga kureshtja se cili do të ishte profesori që do të hynte në klasë në ato çaste… Ja dera u hap dhe ne instinktivisht u ngritëm në këmbë dhe pamë të hynte drejtori i shkollës dhe mbas tij, një burrë i gjatë, flokë kaçurrel, sy kaltër si uji i detit të pastër. Ishte veshur thjesht me një xhaketë kadife,  pantallona të bardha në gri dhe me një këmishë të bardhë e të hapur në gjoks. Më bëri përshtypje dhe jaka e bardhë e nxjerrë sipër xhaketës.

    Drejtori na dha leje të uleshim dhe në çast filloi të shuante kureshtjen tonë: “Duke filluar nga sot, lëndën e letërsisë do ta bëni me profesor Petron. Ashtu si keni mësuar deri tani po ashtu vazhdoni dhe ndoshta dhe më mirë me profesor Petron… Profesori është nga bregdeti. Punë të mbarë dhe suksese juve dhe profesorit!”

    Profesori i ri u ul mbas katedrës, hapi regjistrin për të marrë mungesat dhe pastaj foli:

    “Bashkë do të bëjmë lëndën e letërsisë dhe kam besim të plotë se me ju do të kalojmë mirë bashkë. Quhem Petro Marko, jam nga fshati Dhërmi i Himarës.”

    Kaq tha, u ngrit më këmbë dhe u afrua në bankat ku ishim ulur ne dhe filloi të na pyeste se prej nga ishim dhe a kishim marrë letra nga familjet për ne që nuk ishim nga Tirana. Mes pyetjeve të shumta që na bëri ishte dhe ajo për t’i treguar se çfarë halli apo problemi kishim dhe si mund të na ndihmonte që ta zgjidhnim së bashku.

    Na këshilloi që ta duam profesionin që kishim zgjedhur të bënim në jetë, mësuesinë, sepse “kini të bëni me filizat e rinj që do të marrin të ardhmen e vendin në dorën e tyre, prandaj duhet të jeni të përkushtuar në edukimin e tyre. Mësuesi, doktori, shoferi etj., ndeshet përditë me hallet e jetën e njeriut, prandaj duhet të mësoni sa më shumë.” Duke treguar dhe shembuj nga jeta e tij, na tregoi se si duhet të jetë dhe të sillet njeriu i mirë dhe i edukuar. “Të jetë sa më i thjeshtë, sepse kjo e zbukuron vetë njeriun.”

    Këto porosi të Petro Markos, m’u ngulitën në mendje dhe më kanë udhëhequr në punë gjatë gjithë jetës time.

    Më në fund na tha: “A do të më lejoni të ndez një cigare, se unë nuk rri dot pa e tymosur; e kam mësuar këtë ves të keq nga vështirësitë e jetës, por ju mos e pini kurrë – është armik i shëndetit.”

    Gjithë klasa u përgjigj njëzëri: “Ndize profesor – ndize! Ne nuk na bezdis.” Ai e ndezi dhe na tha faleminderit!

    Ra zilja. Mësimi mbaroi. Orën e parë nuk pyeti ndonjë nxënës, por vetëm shpjegoi thjesht disa gjëra. Si duhet të mësonim lëndën e letërsisë. U largua duke na përshëndetur “Mirupafshim!”.

    Ky ishte takimi im i parë me këtë shkrimtar dhe profesor gojëmjaltë dhe mbi të gjitha njeri. Ai ishte një ciceron i rrallë dhe kur shpjegonte “ të ngjethte leshtë e kokës”, siç thotë populli.

    Fjalë të goditura dhe me vend, si gurët e qoshes të murit; të ëmbla si mjalti i Kaninës.

    Ditën tjetër ai kërkoi temën për vlerësim, para se të jepte leksionin e ri.

    Këtë çast po e shkruaj me imtësi, për të kuptuar, se që këtu nisi respekti dhe afrimi im me profesor Petron (jo për të lavdëruar veten). Ai na kërkoi të komentonim romanin “Çlirimtarët” të Dhimitër Shuteriqit. Ngriti mbi 5- 6 nxënës, por askush nuk u përgjigj si duhet. Ai i ulte duke vendosur “pikë” në regjistër dhe i qortonte, siç thotë populli “me melhem”, me takt.

    “Nuk e keni mësuar mirë – bëni gabim, sepse mësuesi duhet të jetë “m’i ngopur” me dije që të mësojë fëmijët.”  Më në fund, në regjistër vuri penën më poshtë dhe thirri: “ Korro”.

    Unë si gjithmonë, isha përgatitur dhe ia analizova personazhet më së miri. Atij iu bë qejfi kur thashë se “autori ngjarjet i vendos në Elbasan, se e njeh vendin më mirë, ndonëse ngjarjet zhvillohen në Tiranë” etj. Ai më tha: “Bravo, ulu dhe ke notën 5 (atëherë nota 5 ishte vlerësimi më i mirë, vlerësimi maksimal). Ja ky e njeh letërsinë.”

    Besoj që këtu filloi admirimi që kishte për mua. Më vonë, mua dhe dy shokët e mi nga rrethi i Përmetit na aktivizonte në skeçe teatrale që i jepnim në mbrëmjet që i organizonte shkolla me rastin e festave të ndryshme. Më vonë flisnim me të sikur të ishim shokë. Siç thashë më lart, ai ishte i thjeshtë dhe i respektueshëm me të gjithë… Me kalimin e kohës unë dhe një shoku im i vinim për vizitë dhe në shtëpi dhe rrinim aty për pak orë. Rasti i parë që shkova në shtëpinë e tij ishte një ditë e shtunë. Mbasi kishim mbaruar mësimin do të dilnim liridalje në qytet. Në këtë kohë del profesor Petro me dy çanta plot (i kishte me fletoret e hartimeve për t’i korrigjuar) pasi atëherë hartimi shkonte me letërsinë.

    Korro, – më pyeti. – Do dalësh në qytet?

    Si urdhëron, – u përgjigja unë.

    A do vish me mua të më ndihmosh pak se kam me vete shumë fletore?

    Posi jo, profesor.

    Mora një pjesë të fletoreve dhe filluam të ecnim në drejtim të shtëpisë së tij. Ai, siç e kishte zakon, ecte me duar prapa dhe duke thithur pandërprerë cigaren që mbante në gojë. Duke biseduar arritëm në shtëpinë e tij, që atëherë e kishte pranë kinema “17 Nëntori”. Në shtëpi gjeta një grua të moshuar, motrën e tij Safo Markon, që e shihja për herë të parë, një grua shtatshkurtër, si dhe një djalë të vogël që po rrinte pranë saj. Ishte i paharruari Jamarbër, që më shikonte me kureshtje.

    Petro u tha: “Këtë e kemi nga anët tona, nga Përmeti (jugu i Shqipërisë). Gostiteni djalin!”

    Unë pasi mora llokumen i urova me radhë.

    Biseduam me Safon. Më tregoi për babanë, jetën e saj. Kishte pasur një shoqe nga Përmeti. E kërkoi mbas çlirimit, se babai i saj punoi në rrethin e Përmetit, por ajo kishte vdekur nga një pneumoni. Aty pashë për herë të parë studion e saj me skica. Ajo ishte e talentuar për ilustrimin e librave për fëmijë.

    Mbasi ndenja rreth ndonjë orë dhe duke përkëdhelur dhe fëmijën më tha se në burg kishte pasur një fshatar nga fshati im Limar- Kala, i quajtur Josif Komo, i cili kishte qenë një antifashist i vendosur. Ai më tregoi se kishte qenë i internuar si antifashist në ishullin Ustika të Italisë. Më vonë për këtë shkroi librin “ Nata e Ustikës”. Më vonë e pyeta për Sejfulla Malëshovën ose Lame Kodrën. Nga Sejfulla Malëshova kisha një libër në shtëpi që ma kishte sjellë gjyshi dhe që unë e ruaja me shumë kujdes.

    Petroja, si me druajtje, më tha: “Sejfullanë e kam njohur për herë të parë në Itali. Ishte njeri i ditur. E kam takuar dhe këtu. E porosita se këtu është ndryshe puna. Ai është një përkthyes i rrallë në gjuhën sllave dhe kishte pikëpamjet e tij.”

    Kaq! Dhe nuk e zgjati më shumë. Unë u ngrita dhe u lashë shëndenë, por Petroja u ngrit dhe më tha: “Po dale more djalë, miku përcillet deri jashtë shtëpisë.”

    Ai më shoqëroi jashtë deri afër ndërtesës së kinema “17 Nëntori” dhe dëgjova që më tha:

    “Prit pak!”, duke shkuar tek sporteli. Njerëzit ishin grumbulluar aty si mizat e lisit. Donin të blinin bileta hyrjeje për të parë filmin “Skënderbeu”, që atëherë sapo kishte filluar të shfaqej në kinematë e vendit tonë. Aty pashë respektin që kishte populli për Petron, të gjthë lëvizën duke i hapur rrugë të lirë Petros për të shkuar tek sporteli. Ai bleu një biletë hyrjeje për mua.  “Merre këtë biletë, futu brenda dhe shikoje filmin dhe më vonë kthehu në shkollë… dhe nga shtëpia ime hajde kur të duash.”

    Kur u ktheva në shkollë u tregova shokëve se unë kisha parë filmin e ri “Skënderbeu”. Disa shokë, duke bërë shaka dhe me ironi më thoshin “erdhi preferuari i profesorit”.

    Ky ishte rasti i parë që vajta në shtëpinë e profesor Petro dhe Safo Markos, këtij shkrimtari e romancieri të madh dhe kësaj piktoreje të talentuar për vendin tonë.

    Për profesor Petron nga goja e tij, mësova se ai ishte një antifashist i orëve të para, nga Franca në Luftën e Spanjës, në betejat e Ebros. Ai luftoi e punoi për lirinë dhe demokracinë ashtu si i këndoi populli i bregdetit duke e quajtur “fajkoi i bregdetit”.

    Ai me penë e pushkë si dragua luftoi për lirinë e fjalës e të drejtësisë. Ai më tregoi, kur shkoja nga njëherë, se si e burgosën se kërkoi drejtësi, e detyronin të prishte, të mashtronte. “ Dashuria nuk krijohet me dekrete. Ajo lind nga zjarri i dritës e zemrës”, thoshte ai.

    Kur botoi romanin për Luftën e Spanjës “Hasta la Vista”, megjithëse e liruan nga burgu, prapë ishte i pakënaqur, sepse “më kanë hequr 80 faqe e që unë nuk jam dakord. Dhe këtë ua kam thënë hapur. Dhe ja ku na shputë. Ne luftuam për drejtësi dhe për pronën dhe jo për padrejtësi”. Këto m’i thoshte kur shkoja në shtëpinë e tij.

    Kur më ka thënë këto m’u kujtuan tregimet për trimërinë që unë shkrova më lart, të njerëzve të bregdetit: trima si bilbilat e këngës, punëtorë që qëndisin bregdetin me limonë, qitro e portokaj. Ai më tregonte që nga Qiproja prindërit e tij bënin tregti, deri në Shën Peterburgun e largët.

    Më vonë ky kolos i letërsisë u godit rëndë nga diktatura dhe u dërgua në Elbasan i internuar gjoja se kishte kritikuar idetë e Enver Hoxhës e të partisë me romanin “Një emër në mes katër rrugëve”.

    Atij i burgosen dhe djalin dhe e internuan në Ballsh, ku më vonë ndërroi jetë. I paharruar të jetë!

    Kjo ishte një plagë e rëndë në zemrën e dy figurave të ndritura të artit tonë kombëtar.

    Petro Marko nuk pushoi së shkruari deri në fund të jetës së tij, ndonëse nga sëmundja – “Nuk mund të ul dot gjoksin mbi makinën e shkrimit.”

    Ai mbylli sytë më 27 dhjetor 1991. Me hidhërim të thellë e mësova lajmin e ndarjes nga jeta të këtij kolosi të letërsisë dhe luftëtar i lirisë të popullit tonë.

    I shpreha ngushëllimet e mia, vajzës dhe Safos.

    Më vonë, më 26 gusht 2012, mbylli sytë dhe piktorja e talentuar Safo Marko, për të cilën unë kam respekt për talentin dhe punën e saj të palodhur. Them kështu, sepse sa herë iu shkova për vizitë në shtëpi, Safon e gjeja mbi tavolinën e punës.

    Më erdhi keq sesi shteti nuk vuri dorë në jetën e saj, por e la në harresë të plotë dhe ajo vdiq në varfëri të thellë.

    Të paharruar do të mbeten këto dy figura të ndritura e të talentuara në altarin e artit dhe kulturës e të popullit dhe Atdheut tonë në vite e shekuj. /ExLibris/

    Lajmi Paraprak

    Barcelona mesazh për Real Madridin para El Clasicos

    Lajmi i rradhës

    Mbi artistët dhe shkrimtarët e këqij

    Lajme tjera

    BREAKING NEWS (BBCNN)

    Ervin Hatibi BREAKING NEWS (BBCNN) Prapë luftë dhe prapëmakinate refugjatëve nën avionëkanë targat perse tëAfganistanit mjekë pa kufijtë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë