Po, o nanë, po

    Havzi Nela

    Po, o nanë, po,
    N’emën të ligjit jam arrestue,
    E duert m’i kthyen prapa policët e zi,
    N’hekur me tutjus m’i kanë ngujue!

    Me gazin 69 u pamë sy ndër sy,
    Si me keqardhje m’u ba se më vështroi,
    E kur lëshova kambën mbrenda me hy,
    M’u ba se psherëtiu, m’u ba se rënkoi!

    Ndoshta e ndjeu veten fajtor,
    Pse erdhi e më mori përsëri!
    Ndoshta i gjori ishte lodhë,
    Gjithkah n’udhtim nëpër Shqipni.

    Gjithkund tue shkue nëpër atdhe,
    Sa djem nanash kështu po i merr!
    Si nji kuçedër në “Shqipnin’ e re”
    Emni i tij ka futun tmerr!

    Ti mos u druej, o Nana ime,
    Sido të bahet jam pa faj,
    Qëndro malsore, mbahu trime,
    Mos e mbyll jetën me vaj!

    Djali yt s’ka me t’turpnue,
    Gjinin tand s’do ta tradhtojë,
    Shqiptar i ndershëm ka me qëndrue,
    Po prehnin tand do ta kërkojë.

    Ka me dasht me t’pasun pranë,
    Ta vështrosh, ta ledhatosh,
    E nji fjalë t’ambël me ia thanë,
    Plagët zemrës t’ia shërosh!

    Pusho, mos qaj, o nanë e mjerë,
    Ti me mue s’je kënaqun kurrë.
    N’merak e mall ke qenë përherë,
    Qysh i vogël dhe sot burrë!

    Qysh nand’ vjeç m’ke nxjerrë prej shpie,
    Jetim, pa babë, bukën me nxjerrë ;
    M’shkule nga prehni prej vorfnie,
    Vetë jam rritun derë më derë!

    Tri ditë bashkë s’i bamë në votër,
    Shtëpia jonë nuk qeshi kurrë ;
    Kurrë s’u ulëm në nji sofër,
    Kurrë, o Nana ime, kurrë!

    Lajmi Paraprak

    Denari mbetet valutë stabile

    Lajmi i rradhës

    Zakonet e përditshme që shkatërrojnë shëndetin e dhëmbëve

    Lajme tjera

    KAMJONI ME RRUSH

    Donat Kurti Kúj nuk i a kande rrushi? Ato vile të mbushuna me kokrra të shëndoshta të kuqe,…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë