
Emir Hamzi
Ema Andrea është një nga aktoret më të mira të teatrit shqiptar, që ka luajtur shumë role të vështira. E mendoja këtë edhe para se ta shikoja drejtpërdrejt në skenë. Mjeshtëria e saj në rolin e Mefistofelit sikur e vulosi këtë përkapje. Zakonisht roli i Mefistofelit luhet nga aktorë burra, por Ema e solli në gjininë asnjanëse. Mefistofeli është parë nga një këndvështrim formulë, si i keqi, djalli, qoftëlargu, etj, – do të thoshte aktori Refet Abazi. Është pikërisht guximi ai që e shtyri Emën t’i qaset Mefistofelit si tepër i bardhë, sikur tek ai dominonte herë-herë dhembshuria, ndonëse veprimet i ka katran të zeza. Thjesht është vetia e saj që nuk trembet nga rreziqet e vështirësitë kur ndërton karakterin. Mefitstofeli i Emës është pikërisht si puna e djallit që nuk njeh gjini për t’i bërë dikujt keq! Ai trazon shpirtin e secilit! I afrohet njeriut me mantel të bardhë sikur të ishte engjulli, i servohet njeriut të uritur në pjatën e jetës si mishi i helmuar. Në fillim e shijon, mirëpo më pas e ndjen veprimin e helmit (mashtrimit, mëkatit). Kështu ishte Mefistofeli i saj, në fillim i hidhte krahun Faustit, por më pas e devijonte. Një realizim i jashtëzakonshëm i rolit, një interpretim shumë i fuqishëm.
Ema Andrea, me talentin dhe përvojën e saj të pasur, përçoi gjithë thelbin e këtij karakteri nëpërmjet një ndërthurjeje të fuqishme të emocioneve, fjalëve dhe lëvizjeve trupore. Ema tregoi se nuk ishte vetëm thjesht aktore. Ajo shpalosi edhe njohuritë e saj për komunikimin joverbal – njohëse e shkëlqyer edhe e gjuhës së trupit. Ajo përshkroi në mënyrë të jashtëzakonshme të gjitha aspektet e Mefistofelit, pa hiperbolizuar me lëvizjet në skenë.
Te Mefistofeli i Emës gjen gëzimin dhe tmerrin e teatrit të jetës, gjen shikimin e njerëzve që ndjekin dëshirat e tyre të gabuara. Ka një çast kur në skenë Ema heq kravatën dhe përpiqet të bëjë të vetëdijshmen se si turma po e habit. Nuk ta merr mendja se një grua aktore, ashtu, me një dorë prej katili, shpërthen kopsat, sepse ne, vetëm ashtu, të egër, i mendojmë burrat. Ato lëvizje i bëri tamam si një katile. Ajo vërtetë në rol ishte ‘gjysmë’ aktor e ‘gjysmë’ aktore.

Një skenë tjetër e bukur është kur doktor Fausti pas gjithë gabimeve të veta fajëson Mefistofelin: …ti je fajtori, ti je fajtori, ti je fajtori…Ndërsa Mefistofeli i thotë: profesor, të lutem njëherë të vetme mos më zhgënje mua, të lutem njëherë të vetme, mos e zhgënje veten. Gjithë ç’kam bërë që jemi takuar, ka qenë zgjedhja jote.
Ema është një ikonë në interpretimin e personazheve të vështira dhe komplekse. Të gjitha nuancat e karakterit të Mefistofelit — nga cinizmi dhe egocentrizmi deri te zhgënjimi dhe manipulimi — janë sjellë në mënyrë të fuqishme dhe të veçantë nga ajo. Ema asnjëherë nuk shkel në hapësirat e vjetra të qenies, por gjithmonë bredh për të zbuluar shtigje të reja të mjeshtërisë. Ema e luan Mefiston deri në ‘çmenduri’. ‘Çmenduria’ për të është kompliment (e thotë vet ajo në intervistë). Ajo nuk ia bën qejfin audiencës, ama e tërheq me mënyrën si komunikon.
Ema është aktore e përmasave botërore. Ndoshta është ndjesi personale, se teatrolog nuk jam. Por dërrasat e skenave botërore, konsideroj, do ta kenë nderin t’i shkelë ajo. E dëshmon kur t’i hapen ato perde! Emën mezi pres ta shoh në shfaqen e radhës, jo vetëm unë, por edhe kurajozët e tjerë.
Para se të incizonim intervistën në Nistori, për të më bërë qejfin mua, Ema rrezikoi shëndetin e saj (lëkurën) me qëllim që te dalë para aparatit fotografik me atë grimin mefistofelian (si Xhoker 😀). Është një ndjenjë e mrekullueshme të intervistosh një aktore të madhe! Ky mund të jetë një moment i paharrueshëm si për mua, por edhe nder për Nistorin. Ishte një mundësi e shkëlqyer për të mësuar nga përvoja dhe talenti i saj. Si të shkruaj më tej për këtë moment të lumtur! /Nistori/

