Slavoj Žižek
Imagjinoni një skenë filmi distopik që e paraqet shoqërinë tonë në të ardhmen e afërt. Rojtarë pa uniformë patrullojnë natën rrugët e braktisura përgjysëm të qytetit, duke ndjekur këmba-këmbës emigrantët, kriminelët dhe endacakët. Kush kapet keqtrajtohet. Ajo që ngjan si imazh fantastik hollivudian përbën realitetin e Greqisë së sotme. Natës, rojtarë këmishëzinj të lëvizjes neofashiste, mohuese të Holokaustit, Agimi i Artë – e cila fitoi 7 për qind të votave në zgjedhjet e fundit dhe, siç thuhet, gëzon mbështetjen e 50 për qind të forcave policore athinase – patrullojnë rrugët dhe rrahin çdo imigrant që u del përpara: afganë, pakistanezë, algjerianë. Kjo është mënyra se si mbrohet Evropa në pranverën e vitit 2012.
Problemi i mbrojtjes së qytetërimit evropian nga kërcënimi i imigrantëve qëndron në faktin se ashpërsia me të cilën e mbrojnë atë përbën një kërcënim edhe më të madh për “qytetërimin” sesa çfarëdo masë myslimanësh. Po pati të tillë mbrojtës e dashamirës, ç’i duhen armiqtë Evropës?! Njëqind vjet më parë, G.K. Chesterton-i shprehte rrugën qorre në të cilën e gjejnë veten kritikët e fesë: “Ata që ja nisin me luftën kundër Kishës në emër të lirisë dhe humanizmit, përfundojnë së flakuri tej lirinë dhe humanizmin në emër të luftës kundër Kishës… Nëse i ngushëllon ndopak, shekullaristët nuk ja kanë dalë së shkatërruari gjërat hyjnore; ama ja kanë dalë të shkatërrojnë ato shekullare.” Shumë luftëtarë liberalë janë aq të etur në luftën kundër fundamentalizmit antidemokratik, saqë përfundojnë së hequri dorë nga liria dhe demokracia në emër të luftës kundër terrorit. Nëse “terroristët” janë të gatshëm ta shkatërrojnë këtë botë në emër të dashurisë për një tjetër botë, luftëtarët tanë kundër terrorit janë të gatshëm ta shkatërrojnë demokracinë në emër të urrejtjes ndaj tjetrit mysliman. Ca prej tyre, aq shumë e dashurojnë dinjitetin njerëzor, saqë janë gati të legalizojnë torturën për ta mbrojtur atë. Kjo është e anasjella e procesit përmes të cilit mbrojtësit fanatikë të fesë ja nisin duke sulmuar kulturën shekullare bashkëkohore dhe përfundojnë duke flijuar, përmes etjes për të çrrënjosur aspektet e shekullarizimit të urryer, vetë kredencialet e tyre fetare.
Megjithatë mbrojtësit kundër-imigrantëve të Greqisë nuk përbëjnë rrezikun kryesor: ata janë thjesht nënprodukt i kërcënimit të vërtetë, politikave të shtrëngesave si shkak i gjendjes së mjerueshme greke. Zgjedhjet e ardhshme greke do të mbahen më 17 qershor. Institucionet elitare evropiane na paralajmërojnë se këto zgjedhje janë vendimtare: në fill të perit nuk është thjesht fati i Greqisë, por mbase i krejt Evropës. Njëri rezultat – i duhuri sipas tyre – do t’i hapte rrugën procesit të dhimbshëm, por të domosdoshëm të rimëkëmbjes nëpërmjet vijimit të politikave të shtrëngimit. Rezultati tjetër – nëse “majtistët ekstremë” të Syriza-s fitojnë – do të përbënte votë në favor të kaosit apo fundit të botës (evropiane) në formën që e njohim.
Profetët e kiametit kanë të drejtë, por jo sipas mënyrës së tyre. Kritikët e rendit të tashëm demokratik qahen se zgjedhjet nuk paraqesin ndonjë farë zgjedhjeje të vërtetë: në vend të tyre gjendemi përballë zgjedhjes midis një partie të qendrës së djathtë dhe një të qendrës së majtë programet e të cilave janë pothuajse të padallueshme. Më 17 qershor ka vend për zgjedhje reale: në njërën anë institucionet elitare (Demokracia e Re dhe Pasok-u), dhe në anën tjetër Syriza. Dhe, siç ndodh zakonisht kur gjendemi përballë një zgjedhjeje reale, institucionet elitare i zë paniku: rezultat i zgjedhjes së alternativës së gabuar ka me qenë kaosi, varfëria dhe dhuna. Thuhet se thjesht mundësia e fitores së Syriza-s i ka ngjethur frikshëm tregjet globale. Personifikimi ideologjik ka arritur kulmin: tregjet flasin si me qenë njerëz, duke shprehur “shqetësimet” e tyre mbi atë çka do të ndodhë nëse zgjedhjet nuk ja dalin të prodhojnë një qeveri me mandatin për të vazhduar në rrugën e programit të BE-FMN-së për shtrëngesa fiskale dhe reforma strukturore. Qytetarët e Greqisë s’kanë kohë të brengosen nga ardhmëri të tilla: boll kanë për t’u brengosur me të përditshmen e tyre që po mjerohet në një shkallë të paparë për dekada në Evropë.
Të tilla parashikime janë të vetëdalshme, pasi duke shkaktuar panik sjellin për pasojë vetë ato ngjarje për të cilat u bien kambanave të alarmit. Nëse fiton Syriza, institucionet elitare evropiane do të mbajnë shpresë te pësimi – ja çfarë ndodh kur tentohet të pritet rrethi vicioz i bashkëfajësisë midis teknokracisë së Brukselit dhe populizmit kundër imigrantëve – që do të na bëhet mësim. Prandaj udhëheqësi i Syriza-s, Alexis Tsipras, në një intervistë të kohëve të fundit bëri të qartë se nëse Syriza fiton, përparësi do të ketë kundërveprimin ndaj panikut: “Njerëzit do ta mposhtin frikën. Nuk do të jepen; nuk do të bien pre e shantazhit.” Syriza ka marrë përsipër një detyrë gati të pamundur. Zëri i tyre nuk është ai i “çmendurisë” së majtizmit ekstrem, por ai i arsyes që klith kundër çmendurisë së ideologjisë së tregut. Në gatishmërinë për të marrë përsipër përgjegjësinë, ata kanë larguar prej vetes frikën majtiste të marrjes së pushtetit; ata kanë kurajën për të vënë rregull në rrëmujën që kanë bërë të tjerët. Për këtë u duhet të kombinojnë në mënyrë të shkëlqyer parimet dhe pragmatizmin, besnikërinë ndaj demokracisë dhe gatishmërinë për të vepruar shpejt dhe vendosmërisht kur ta lypë nevoja. Për të pasur qoftë edhe një shans minimal suksesi do t’u nevojitet një shpalosje gjithë-evropiane solidariteti: jo thjesht sjellja e mirë e çdo vendi evropian, por edhe ide më krijuese si p.sh. inkurajimi i turizmit të solidaritetit kësaj vere.
Në veprën Shënime drejt përkufizimit të kulturës (Notes towards the Definition of Culture). T.S. Eliot-i vërente se ka ca momente kur e vetmja zgjedhje qëndron midis herezisë dhe mosbesimit – d.m.th. kur ndarja sektare përbën të vetmen mënyrë për mbajtjen gjallë të fesë. Në këtë pozicion gjendet sot Evropa. Vetëm një “herezi” e re – që përfaqësohet sot nga Syriza – mund ta shpëtojë atë çka ja vlen të shpëtohet nga trashëgimia evropiane: demokracinë, besimin te populli, solidaritetin barazimtar etj. Nëse Syriza-s i vihet stërkëmbësi, do të përfundojmë me një “Evropë me vlera aziatike” – e cila, natyrisht, s’ka të bëjë fare me Azinë, por me prirjen e kapitalizmit bashkëkohor për të pezulluar demokracinë.
Këtu qëndron paradoksi që mban në këmbë “votimin e lirë” në shoqëritë demokratike: je i lirë të zgjedhësh me kusht që të bësh zgjedhjen e duhur. Prandaj, atëherë kur zgjidhet në mënyrë të papërshtatshme (si në rastin e refuzimit të kushtetutës së BE-së nga Irlanda), zgjedhja konsiderohet gabim, dhe institucionet elitare kërkojnë menjëherë që procesi “demokratik” të përsëritet me qëllim ndreqjen e gabimit. Kur George Papandreou, kryeministri grek i kohës, në fund të vitit të shkuar hodhi propozimin e mbajtjes së një referendumi mbi marrëveshjen e shpëtimit të eurozonës, vetë referendumi u hodh poshtë si zgjedhje e rreme.
Në media qarkullojnë dy fabula kryesore rreth krizës greke: fabula gjermano-evropiane (grekët janë të papërgjegjshëm, përtacë, dorëlëshuar, shmangës taksash etj, e për pasojë duhen mbajtur nën kontroll dhe u duhet mësuar disiplina financiare) dhe fabula greke (sovraniteti ynë kombëtar po kërcënohet nga teknokracia neoliberale e imponuar nga Brukseli). Një fabul e tretë doli në pah në çastin kur u bë i pamundur injorimi i gjendjes së vështirë të popullit grek: tashmë grekët paraqiten si viktima humanitare që kanë nevojë për ndihmë, a thua se vendi është goditur nga ndonjë luftë apo katastrofë natyrore?! Ndonëse të treja fabulat janë të rreme, e treta është dukshëm më e neveritshmja. Grekët nuk janë viktima pasive: ata gjenden në luftë me institucionet elitare evropiane, dhe solidariteti me luftën e tyre, që është edhe lufta jonë, është gjëja për të cilën kanë nevojë.
Greqia nuk përbën ndonjë përjashtim. Ajo është një prej terreneve kryesore të testimit të një modeli të ri socio-ekonomik që mund të gjejë fushë zbatimi kudo: një teknokracie të depolitizuar në të cilën bankierët dhe të tjerë ekspertë gjejnë lirinë për të shkatërruar demokracinë. Duke shpëtuar Greqinë nga të ashtuquajturit shpëtimtarë të saj jemi duke shpëtuar edhe vetë Evropën.
E përktheu
Arlind Qori