Dijana Toska
Po pinim kafe me dy shoqe të mia, ndërsa përballë meje qëndronin të ulur një djalë i ri mjekrosh dhe një bjondinë. Nuk është hera e parë që shoh dikë me lugë të plastikës në gojë, ama kësaj radhe, në pauza të bisedës, disi gjeja mundësi të analizoj këtë shpikje të shekullit që ekzalton në veçanti një pjesë të gjinisë tonë mashkullore.
Ishte një dashuri në ajër që po i vinte erë kafeje të blerë me para për të gjetur pak lumturi, aso lloj dashurie që e takon në faqen e parë të një romani apo në shkollat e googellit, ku shpesh miq të panjohur ju ofrojnë një filxhan kafeje virtuale.
Ai po shkrihej duke dëgjuar Merlin Monron e nxehtë si ferri, të pastër si engjëlli, teksa po preferonte edhe parfumin me erë kafeje. Atij luga e përjargur në gojë po i ndihmonte të kuptojë se komunikimi i mirë qenka stimulues sa edhe vet kafeja e zezë me dy gisht kajmak mbi të.
Ishte bindur se kafeja ishte “benzina” e jetës, ndërkohë që luga e kafshuar në gojë ishte dashuria që po i miklonte emocionet që në çdo çast do të shpërthenin si llava e vullkanit të pashuar.
“Spo di çka me të thanë, pi ka me ja nis. Si t’kom pa jam dashuru në ty, ani qysh pe pishe kafën, qysh pi rrotullojshe sytë, m’ke ba budall krejt. Prej sot, nuk ka rëndësi ku jam, valla i joti jam. Ma ke vjedh zemrën dhe ngo shka pot tham, maje përgjithmonë. Ani do shok t’mi thojshin kur dashurohesh i nin do flutra bark, pasha Zotin, qitash nbark temin jam ka e ni krejt kopshtin zoologjik, bashkë me lloj lloj majmunash n’to”. Oo bre “Ti koke Xheneti jem”.
Dhe Zoti nuk të bën pyetje, ai thjesht të jep një ditë të re me shpresë të re.
Në një kënd tjetër të kafenes po bisedonin disa zonja të partisë, të cilat sapo kishin dalur nga institucionet ku punonin, në pauzë të kafes, për ta shijuar pijen e preferuar të botës së qytetëruar.
Nga sjellja dhe komunikimi shihej se ëndërrat e tyre që kishin qëndruar si mjegull në kafet e tyre, ishin realizuar nga fallxhoret që verën ta bëjnë dimër sa çel e mshel sytë për një gisht të mesëm dëshire.
Jeta është e vështirë kur hiqen maskat dhe frika nga përballja publike nuk mund të kompenzohet me pierje të kafesë për t’u legjitimuar apo njohur si ndonjë personalitet i identifikueshëm në masë, sepse kafeja është gjuhë në vete, është mjaftueshëm e fortë për të lënë një përshtypje të qëndrueshme te secili që guxon ta shijojë qoftë ulur me ju apo përballë jush.
Kafeja është një fryt që dikujt herëdokur mund t’i mbes në fyt, ndonëse thonë se është gjaku i jetës së një njeriu të lodhur nga marrëzia e ligësia.
“Jeta është shumë e shkurtër për të pirë një kafe të keqe”.
“Një jetë pa lugë të plastikës në gojë është një jetë e pa shijuar”.
Legjenda thotë se Honoré de Balzac pinte deri në 60 filxhanë kafe në ditë. Kafeja ishte “karburanti” i tij që e ndihmoi të shkruante tepër shpejt një numër të pabesueshëm faqesh.
Prandaj, jo kot thonë: “Një jetë pa kafe është një jetë e pa jetuar.”