ORA E QELBËSVE

    Robert Lowell
    Përktheu: Fadil Bajraj

    (Për Elizabeth Bishop)

    Në ishullin Nautilus oshinare
    trashëgimtare ende jeton dimrit në vilën spartane;
    delet e saj mbi deti kullosin.
    Biri i saj është peshkop. Mbikëqyrësi i fermës
    së saj është këshilltari i parë në katundin tonë,
    e ajo është matufosur.

    E etur për
    intimitet hierarkik
    të shekullit të mbretëreshës Victoria,
    blen çdo gjë
    që ia vret syrin matanë bregut
    dhe ua lejon t’i rrënojnë.

    Është stinë e keqe –
    e humbëm milionerin tonë veror,
    i cili dukej se kishte kërcyer nga katalogu i
    L. L. Bean. Jahta e tij nëntënyjshe
    u qe shitur në ankand gjuajtësve të karavidheve.
    Njolla e kuqe dhelpreje mbulon Kodrën e Kaltër.

    E tash dekoratori ynë
    byths lustron dyqanin e tij për vjeshtë,
    rrjetën e tij për peshkim e ka mbushur me tapa të portokallta,
    të portokallta i ka edhe stolin edhe bizën,
    kësaj pune nuk ia sheh hairin,
    më me qejf do të martohej.

    Një nate të errët
    Tudor Fordi im u ngjit në rrashtën e kodrës.
    Kërkoja veturat e dashnorëve. I ula dritat,
    rrinin shtrirë së bashku, trup me trup,
    ku varrezat prekin qytetin…
    Nuk jam bash mirë me mend.

    Një radio veture blegërin,
    “Dashuri, Oj Dashuri e pagajle …’ dhe dëgjoj
    shpirtin tim vrarë si dënesë në çdo rruazë gjaku,
    sikur ta ngulfatja me duart e mia…
    Unë vetë jam ferr,
    njeri i gjallë s’është këndejpari –

    sall qelbësit, që kërkojnë
    ndonjë kafshatë në dritën e hënës.
    Ata marshojnë me tabanët e tyre rrugës kryesore;
    me vija të bardha, të përhënur me sy zjarri të kuq
    nën shigjetën rrasore të zbardhur e indiferente
    të Kishës së Trinisë.

    Po rri në maje
    të shkallëve të oborrit dhe po frymoj ajrin e rëndë –
    një nënë qelbëse me kolonën e saj të qelbësve të vocërr
    llokoçit koshin e plehrave.
    E rras kokën e saj të kunjtë në kupëzën
    e ajkës, e ul bishtin e saj prej struci
    dhe s’i trembet syri fare.

    Lajmi Paraprak

    Sekuenca filmike që ndryshoi mënyrën se si e shohim luftën

    Lajmi i rradhës

    Si arriti ta sundojë botën, njeriu modern?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë