“Rroftë Shipnia!”

    Kujtim Shabani / Fotografia: Halim Luta

    DITAR TETOVAR
    3 janar 2025

    Kujtim Shabani

    Ditën e fundit në Tetovë, e bëjmë bilancin e pushimeve. Në Tetovë vijmë për njerëzit. Njerëzit tanë!

    “I ke si nëna!”, më thotë vetë nëna për të gjitha gratë e fisit! Si mund të mos i vizitoj të gjitha ato?! Si mund të mos e vizitoj gjeshtaren (mami) time?! Që më ka mbajtur e para në duar. Ajo i ka mbajtur për herë të parë në duar të gjithë kushërinjtë e kushërirat nga unë e poshtë. Në fakt, i ka prekur e para edhe të gjithë fëmijët e lagjes, që botën s’e kanë parë për herë të parë në maternitetin e spitalit. I detyrohemi të gjithë. Kjo grua fisnike zë një vend të veçantë në jetën time. Në jetën tonë.

    Në Tetovë e takoj dhe rri shpesh me kushëririn tim katër vjet më të madh se unë, me të cilin jemi rritur bashkë. Ai, pos të tjerash, është “Miku” im në kuizin e jetës sime, të cilin e telefonoj kur më duhet ndonjë informacion nga muzika. Ai ka mbaruar për muzikë dhe luan pothuajse në të gjitha instrumentet muzikore. Ai është një orkestër e tërë në një person! DoReMi…

    Vëllezërit e tij kanë mërguar dhe rrallë jemi në të njëjtën kohë në Tetovë. Në mërgim janë edhe kushërinjtë e mi të tjerë më të rinj. E takoj dhe rri me kushëririn tim katër vjet më të ri se unë. Përkundër sa shoh në fisin tim, në Tetovë, dhe në përgjithësi, kur të gjithë janë apo duan të shkojnë në mërgim, ky e ka braktisur mërgimin dhe ka zgjedhur të punojë dhe jetojë në Tetovë!

    Kur jam këtu, në Tetovë e takoj dhe shkëmbejmë gjithmonë me një kushëririn tim nga nëna. Ai e ka administruar me sukses një biznes të vogël. Një pasion të madh ai e ka politikën. Viteve të fundit e tërheq krijimtaria letrare. E ka botuar një libër për fëmijë dhe më rrëfen me zjarr për një projekt më ambicioz letrar.

    E takoj dhe rri shpesh në Tetovë me një ushtarak të lartë! Po me gjeneralin nuk flasim as për luftë, as për ushtri. Me të jemi pothuajse të një moshe dhe jemi rritur bashkë në një lagje. Në fëmijëri – sikurse tani – kemi një shoqëri të privilegjuar. Gjithmonë gjejmë tema interesante për të cilat flasim.

    E takoj patjetër një shokun tim të gjimnazit. Ai vjen enkas t’më takojë nga Shkupi, ku jeton dhe punon. Miku im i Shkupit nga Tetova, me të cilin jemi njohur kur po e bënim revistën e gjimnazit “Hop” është doktor i historisë. Me të flasim për të shkuarën, për të tashmen dhe për të ardhmen.

    E kam takuar një arkitekt të ri. Ai e ka zbukuaruar Tetovën dhe çdo vend ku vë dorë me studion e tij. Prej kohësh po e pasuron edhe pejsazhin arkitekturor të Perëndimit. Disa projekte të tij po ngrihen edhe në Zvicër. Ne e bisedojmë projektin e shtëpisë time të ardhshme në Tetovë, që s‘po i del leja, por edhe për zhvillime të tjera në botë.

    Takoj, kënd nuk e takoj në Tetovë. Dhe rri me kënaqësi me të gjithë. Po nuk i takoj të gjithë ata që dua t’i takoj. Nuk e di ku i kanë hedhur valët e jetës. Kam shumë dëshirë t’i takoj shokët dhe shoqet e gjimnazit, sidomos ata të shkollës fillore. Dua t’i takoj edhe ata të shkollës së mesme tekstile, ku më hodhën një vit kur u ktheva nga Zvicra, sepse nuk kishte mbauar regjistrimi në gjimnaz. Mall kam edhe për shokë dhe shoqe nga shkolla e mesme të medicinës, me të cilët më ka takuar fati.

    Këtë radhë e takova profesorin tim të fizikës, të cilin e kam cituar në një ndër shënimet e para të këtij ditari dhe e pakta njëherë tjetër. Ai është kushëriri i parë i babait, po me të nuk kemi shkëmbyer ndonjëherë më gjerë për fisin. Ky ishte një rast i mirë për këtë.

    E takova shkurt Arditin. Ky është emri i ndryshuar i djalit të dytë të mësuesit tim të ndjerë rom të muzikës me emrin e Profetit. Për të kam shkruar njëherë një homazh, kur u nda nga jeta. Dy mësues romë kam patur në shkollën fillore. Kaq shkonin romët. Më lartë kishte shkuar vetëm vëllai i tij: Atë e njohamë pas si shërbetor në gjimnazin e Tetovës. Tani mësoj se i biri i mësuesit tim rom të muzikës me emrin e Profetit punoka në njërin nga universitetet e Tetovës. Po si personel sigurimi!

    Kam takuar edhe të tjerë, të cilët mjerisht nuk më kujtohen tani, ose i kam përmendur në shënimet tjera. Takova shkurt edhe mërgimtarë tetovarë në Zvicër. E takova një shok gjenerate, i cili ka kaluar nga Italia në Zvicër. Ai na i hartonte fjalëkryqet e gazetës së gjimnazit, që e përmenda! E takova një kardiokirurg, i njohur përtej Tetovës dhe Maqedonisë, i cili po bën nam me punën e tij të lavdëruar në Zvicër. Po edhe me një afarist shumë të suskseshmëm në Zvicër, por të heshtur, i cili e ka botuar dhe financuar portalin dhe revistën “dialog plus”.

    Kur jam në Tetovë më pëlqen të eci në këmbë. Dhe patjetër i bie nga varrezat e qytetit. Aty prehen gjyshërit, axhallarët dhe një bijë. Atëherë e them në heshtje një lutje për shpirtin e tyre të kulluar. Dhe i them xhaxhait, si na kishte mësuar para se të binte në burgun politik: “Rroftë Shipnia!”

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Elezi: nëse nuk jemi unik brenda VLEN-it i japim mundësi BDI-së që t’i ikë drejtësisë

    Lajmi i rradhës

    Dibra pa orë matës digjitalë

    Lajme tjera

    Dëshira

    Naim Frashëri Zot!SotJam,kam,shoh,njoh,rronj,shkonj;kam gasdhe flase themtë kemditë,dritë,jetë,vetë,ah, dua,që thua,të mos vdes,po të mbespërjetëtë ketëshpirti impa mundimshëndenëtë jenëme muasa…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë