SHËTITJA NËPËR SREBRENICË

    Faruk Šehić
    Përktheu: Fadil Bajraj

    Kur isha në Srebrenicë për herë të parë
    Duke depërtuar nëpër ajër për shkak të lebetisë i dendur si xhelatinë
    Ecja nëpër qytet që është zhvendosur nën dhe
    Në të më shumë kishte qen endacakë sesa njerëz në rrugë
    Gjithçka që shihja shndërrohej në diçka tjetër
    Shtëpia këtu nuk është shtëpi si kudo tjetër
    Rentieri i saj është vdekja
    Flora për mua ishte diçka e huaj, edhepse ngado që shkoj së pari i njoh bimët
    Ama gjithçka që shihja më tregonte se këtu kisha qenë goxha moti
    Aq shumë fotografitë dhe imazhet televizive m’u kishin ngulitur në kujtesë
    Forca e gravitetit ngadalëson hapat dhe gjuhën
    Çdo vizitë në këtë qytet është e barabartë me pelegrinazh, sidomos kur je
    në të për herë të parë, atëherë je i mahnitur dhe i pagojë
    Me t’u kthyer në Sarajevë më është dashur të jepja gjak
    Pulsi i natës të lodrojë në trup dhe që të pashisë dhimbjen
    Mospajtimin midis forcës fizike dhe trishtimit të humbjes njerëzore, sall aty
    e kam kuptuar

    Kur isha në Srebrenicë
    Një herë pata shkuar nga drejtimi i kundërt, nga Beogradi
    Më pat kapur një sulm alergjik në fillim të rrugës
    Dhe një frikë paniku se do të vdisja nga zënia e frymës
    Pastaj natën shëtisja rrugëve të Srebrenicës i shëruar
    U ktheva në shtëpi në zemrën më të zezë të errësirës
    Përgjatë bahçes së Mësuesit dhe Reuf Selmanagiqit të Ziut
    Dritaret ishin pasqyra të errëta
    Nga oxhaku shpërthen vetmia në vend të litarit të tymit
    Këtu mbizotëron një heshjte e tmerrshme , elementi i pestë, gjuha e
    atyre që nuk janë më
    Shtëpitë i kam imagjinuar si qenie të gjalla
    Që në kokën time këtë hapësirë ta popullëzoj me jetë
    Përroi gurgullonte midis vendbanimeve të errëta
    Në anën tjetër të perdes errësira lëshonte miceliet e veta
    Shkëlqenin si argjend shpirtrat e të vdekurve
    Shtëpitë pa fasadë të vringëlluara thellë në natë
    Shkallët e betonit në të cilat një mace ishte kruspullosur – rrokë e
    ngrohtë gëzofi
    Dhe një ftua i lënë në shkallë për t’u pjekur
    Shëtitja gjatë natës në Srebrenicë më mbush me shpresë
    Më afron te yjet e shpëtimit
    Dhe ia kthen dinjitenin qenies sime

    Kur isha në Srebrenicë
    E ndieja rrëmujën kolosale të kozmosit pa zot
    Peshën e trupit tim, të cilin, këtu, thuajse e bartja sipas dënimit
    Po, ndjenja e fajit është ajri që e thithim
    Asnjë poezi për Srebrenicën kurrë nuk do të arrijë fundin e vet
    Trishtim i pafund është muzika e saj
    Trashëgimi e shpirtrave tanë

    Lajmi Paraprak

    Përse të gjitha bletët janë të rëndësishme për natyrën?

    Lajmi i rradhës

    Poezi nga koha zero

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë