Shqipëria

    Poezi nga Pablo Neruda

    S’kam qënë ndonjëherë
    Në Shqipëri
    n’atë tokë të ashpër e të dashur,
    n’atë dhe malor barinjsh.

    Sot
    shpresoj të vij si për të kremte,
    për një të kremte të re, dasmë mbi tokë;
    pa të vete të shoh
    si shkëlqen dielli
    majë krahëve plot muskuj
    të vargmaleve të tua,
    si më rritet në mes të shkëmbinjve
    si zambaku i ri dhe i njomë,
    kultura,
    letërsia,
    që po nis e shtrihet,
    nderi ndaj bujkut të moçëm,
    djepi i punëtorit,
    përmendorja e shquar e vëllazërimit,
    si merr përpjetë mirësia posi bima e re
    që lulëzon në vendet e lashta e të varfra.

    O Shqipëri e vogël, e fortë,
    e vendosur dhe zëmjaltë,
    teli i kitarës sate
    ‐ ujë dhe çelik i gjallë –
    vjen e më t’i shtohet tingullit
    të historisë,
    këngës së kohës që s’ka të mposhtur,
    me një zë bjeshkësh
    dhe ndërtimesh,
    aromash
    dhe bardhësish,
    këngës së mbarë njerëzve dhe mbarë, mbarë bjeshkëve,
    zogjve dhe mollëve në lule, erërave dhe valëve.
    Forca, vendosmëria dhe lulet janë dhuratat q’i sjell ti
    ndërtimit të jetës mbi tokë.
    (Përktheu: A.Pilika) / KultPlus/

    Lajmi Paraprak

    VMRO shpalos sot emrat e ministrave

    Lajmi i rradhës

    1803 thirrje brenda 24 orëve në Qendrën për Menaxhim me Kriza

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë