Si i këshillonte hoxha nga Tetova besimtarët që t’i dërgonin vajzat dhe djemtë të mbarojnë shkollimin

    Hoxhë Ali Efendi Metushehu

    Metin Izeti

    Hoxhë Ali Efendi Metushehu. Në vitet kur kam filluar hifzin, ishin vitet 1981-82, gjyshi im rrinte afër meje gjatë memorizimit të ajeteve të Kuranit dhe çdoherë lutej me zë: Inshallah Zoti të ndihmon të bëhesh si Ali Efendi Metushehu. Emrin e hoxhës së nderuar e kam dëgjuar shpesh prej gjyshit tim dhe gjithnjë kam pasur dëshirë që të di më tepër për jetën e tij. Ali Efendiu i takon gjeneratës së hoxhallarëve tetovar të cilët janë shkoilluar në medresetë e Stambollit në periudhën e fundit të shtetit osman dhe ka vepruar ndërmjet dy luftrave botërore si dhe në dy dekadat e para të periudhës së pushtetit komunist. Ai ka jetuar ndërmjet viteve 1884-1964 dhe si rrjedhojë unë nuk e kam takuar. Por, ai gjithnjë ka qenë i gjallë dhe vazhdon të jetë i gjallë me veprën e tij deri në ditët e sodit. Tetovarët e vjetër kur flitnin për Ali Efendi Metushehun, kryesisht, thoshin që ka qenë që avangardist i cili është shkrirë për të çrrënjosur zakonet dekadente dhe regresive të popullatës myslimane në trojet tona. Ai ka qenë mbrojtës i zjarrit të traditës dhe jo i hirit të saj. Mua edhe më tepër më entuziazmonte qëndrimi i tij avangardist dhe i guximshëm, veçanërisht, kur mendoja për periudhën kur ka vepruar ai. Ishte kjo periudhë kur nga njëra anë pushteti komunist sllav përpiqej me të gjitha metodat që të pengojë arsimimin dhe emancipimin e brezave të ri të myslimanëve, ndërsa nga ana tjetër këtë e bënin edhe disa hoxhallarë dhe fisnikë që kishin drojë nga dinamika shoqërore dhe dëshironin ta ruajnë status quo’në.

    Në një bisedë me një arsimtar të vyeshëm të periudhës së pasluftës së dytë botërore, zotni Seidjasharin (Zoti e mëshiroftë) më pati rrëfyer dy ngjarje të rëndësishme në lidhje me qëndrimet e Ali Efendi Metushehut. Ai pasi që e kishte kryer shkollën fillore kishte pasur dëshirë që të vazhdojë shkollimin e mesëm në Shkup. Por, babai i tij nuk e kishte lejuar, pasi ishte dashtë që në shkollë të vendojë në kokë kapelë me strehë dhe kjo asokohe ishte përngjasim me jomyslimanët. Zotni Seidjashari kishte vendosur të shkojë të konsultohet me Ali Efendiun duke e ditur se ai është me mendime përparimtare dhe largpamës. Shkova, rrëfente me emocionim zotni Seidjashari, te hoxha efendiu dhe ia parashtrova problemin, ndërsa ai pa një pa dy më tha: E ke farz të shkosh në shkollë dhe imanin/besimin ta ruash në kokë dhe jo në kapelë. Këto fjalë më pas ia tha edhe babait tim dhe unë si rrjedhojë e konstatimit të tij e vazhdova shkollimin. Rasti i njgjashëm ka qenë edhe me njërin prej kardiologëve më të njohur shqiptarë Prof.dr Jusuf Rexhepin (Zoti e mëshiroftë) i cili çdoherë kur e ka takuar nipin e Ali Efendiut, i ka thënë: Gjyshi yt është shkak që unë jam bërë mjek. Ai e bindi babain tim që të vazhdoj shkollimin. Ndërsa rasti i dytë, që më pati rrëfyer zotni Seidjashari ishte një analizë mahnitëse e Ali Efendi Metushehut. Në një ligjëratë në xhaminë e Çarshisë në Tetove (xhami e cila në vitin 1965 është rrënuar nga pushteti sllav) në mes tjerash ka thënë: Të respektuar besimtarë! E keni farz t’i shkolloni vajzat dhe djemtë tuaj. Ndoshta hamendeni se nëse i shkolloni do të largohen prej fesë, nuk do të falen e nuk do të agjërojnë! E kuptoj mirë brengën tuaj. Por, ta keni parasysh një gjë. Unë tash duke ardhur në xhami në shadërvanin e xhamisë ishin ulur punëtorët me mëditje (asokohe punëtorët me mëditje vendqëndrimin e kanë pasur në shadërvanin e xhamisë së Çarshisë), të cilët nuk agjëronin dhe pinin uj prej çezmës. Prandaj po ju them më mirë me shkollë dhe të arsimuar e le të mos agjërojnë se sa punëtorë me mëditje dhe të mos agjërojnë. T’ua them të drejtën u fascinova nga kjo analizë e hoxhës së nderuar si dhe nga guximi i tij për t’i thënë këto fjalë në vitet e pesëdhjeta të shekullit XX. Hoxha Efendiu me këtë konstatim e kishte parasysh se njeriu i arsimuar kurdo ka mundësi ta kuptojë realitetin fetar, ndërsa i paarsimuari ishte shumë adekuat për t’u manipuluar. Ai, gjithashtu, është prej pishtarëve të shoqërisë myslimane të trevave tona që ka insistuar për shkollimin e femrës dhe i vetmi i cili i ka uruar mësueset e para në Tetovën e pasluftës. Normalisht që këta ide avangarde të Ali Efendi Metushehut nuk kanë ngelur pa sulme nga një pjesë e madhe e popullatës së asaj kohe, por ai asnjëherë nuk është hamendur që ta thotë atë që e shihte të rëndësishme për popullsinë e këtyre trojeve.

    Një karakteristikë tjetër e Ali Efendi Metushehut është se ai gjatë Ramazanit, ndërmjet dy luftrave botërore, ka vajtur për të ligjëruar në Kostancë të Rumanisë. Është ndër të paktët që ka pasur kapacitet për të dalë si ligjërues jashtë trojeve tona, madje edhe në ato kohëra të vështira. Ai në Kostancë, ka pasur edhe debate të shumta me gjeneratat e reja intelektuale si dhe me priftërinjtë. Si rrjedhojë, jo vetëm popullsia myslimane e Kostancës por edhe të krishterët kanë pasur respekt të veçantë për të.

    Ali Efendi Metushehu ka insistuar edhe në shkollimin e bujqëve, pasi që asokohe, pjesa dërmuese e banorëve të Tetovës janë marrë me bujqësi. Shpeshherë në bisedat me bujqit tetovarë i ka këshilluar që fëmijët e tyre t’i dërgojnë për të studiuar agronominë dhe si pasojë të kenë më shumë njohuri për kultivimin e tokës pjellore që ishte me bollëk në fushën e Pollogut. Në të shumtën e rasteve edhe shembujt i ka marrë nga bujqësia, pasi edhe vetë e ka punuar tokën.

    Njëherë, rrëfen nipi i tij Baj Azami (një arsimtar shembullor në shkollën Istikbal të Tetovës, tash në pension), e pata pyetur gjyshin se pse aq shumë insiston në shkollimin e femrës. Ndërsa ai m’u përgjigj: Nënat janë si fusha. Nëse fusha është e punuar mirë dhe pjellore atëherë edhe bereqeti i asaj fushe do të jetë me bollëk. Nëna e arsimuar dhe me karakter të edukuar mirë do të edukojë si duhet brezat e ri. Mos harro, biri im, nënat janë shumë të rëndësishme. Këta fjalë të Ali Efendiut na e përkujtojnë ajetin e fundit të sures Fet’h të Kur’anit ku Allahu xh.sh. thotë: …shembulli i tyre (besimtarëve) përshkruhet si një farë e mbjellë që lëshon filiza e forcohet e pastaj ngrihet e fortë me kërcellin e vet, duke i gëzuar mbjellësit. (Kështu përshkruhen ata) me qëllim që, nëpërmjet tyre, Ai t’i zemërojë mohuesit. Për ata midis tyre që besojnë dhe kryejnë vepra të mira, Allahu ka premtuar falje dhe shpërblim të madh.(Kur’an, 48:29).

    Ali Efendi Metushehu është një qiri i cili është shkrirë për arsimimin dhe edukimin cilësor të brezave të ri dhe ai do të jetë i gjallë në zemrat dhe arsyet tona përgjithmonë. Zoti e shpërbleftë me begatitë më të këndshme të Madhërisë së Tij.

    Lajmi Paraprak

    Për të qenë vetvetja

    Lajmi i rradhës

    Shaqiri: E-ditari i ri do të lidhet me tekstet digjitale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë