TJETRI DHE UNË

    Vlora Demiri

    Në koordinatat e ekzistencës, Unë dhe Tjetri janë dy pika që përplasen në thellësinë e mendimeve dhe përceptimeve. Përplasja e tyre krijon një paradoks që sa më fuqishme të jetë ajo, egzistenca e tyre është më e përjetshme. E gjithë kjo, është inicim i brendshëm i njeriut që pretendon të krijojë dhe përcaktojë vendin dhe superioritetin e vetes në mes llojit të tij. Në këtë proces vetëkirijimi, tjetri është rezultat i ndarjes dhe i nxjerrjes në pah të gjithçkaje që nuk është unë. Tjetri është gjithçka përveç vetes. Tjetri është e ndryshmja, i panjohuri, i largëti, i përuluri, i pa kuptimti, i ardhuri, e bardha, e zeza, Lindja, Perëndimi…

    Ngërçi i përcaktimit të vetes në shoqëri ka bërë që ky konflikt i brendshëm të krijojë monolog në të cilin përjashtohet çdo tentativë empatie, bashkëbisedimi dhe tolerance. Kjo mungesë e dialogut ka krijuar gjithmonë një tjetër, të cilin e përceprojmë si kufi, kundërshtar dhe mbitëgjitha burim konflikti.

    Njëra nga pëkufizimet më esenciale të artit është ajo që me anë të tij thehet rutina e mendimit dhe këtë e dëshmon pikërisht kjo ekspozitë e titulluar “Tjetri dhe Unë”, ku artistja Arlinda Hajrullahu nëpërmjet tendencës për të krijuar dialog na fut në kompleksitetin delikat të mardhënieve njerëzore. Ajo i jep mundësi tjetrit që ta njeh, përkundrejt tjetërismit të vazhdueshëm të bërë nga unë; dhe në këtë rast then kufijtë e përgjithshëm në mes përcaktimit të këtyre dy koncepteve.

    Veprat e saj janë emëruesi i përbashkët i kësaj afërsie. Tjetri në vizionin e Arlindës është shprehje e vlerës së diversitetit, është ndjenja e plotësimit të boshllëkut shpirtëror dhe krahu mbrojtës në lundrën e pasigurisë. Tjetri i Arlindës nuk është një entitet i ndryshëm dhe i jashtëm, por një pjesë integrale e vetes.

    Veprat e Arlindës janë të papërfunduara, ato “i përfundon” shikuesi me inkuadrimin e tij. Përkundrejt artit tradicional ku distanca fizike në mes veprës dhe shikuesit është e padefinuar, këtu atij i kërkohet edhe përfshirja fizike. Arti i saj krijon eksperiencën e përjetimit nëpërmjet involvimit. Veprat e kësaj ekspozite janë proçes ripërtrirës; ato kanë një mbarim, por nuk kanë një fund sepse përballja e çdo shikuesi është një fillim i ri.

    Elementi veçues i veprave të saj është përdorimi i pasqyrave nëpërmes të cilave Arlinda then teorinë e Narcisit. Në këtë kuptim, pasqyra lëviz nga sfera singulare e simbolizmit, për t’u bërë një objekt ndërveprues. Ne shikohemi në pasqyrë jo vetëm për të parë se si dukemi, por mbi të gjitha për të ‘rregulluar’ veten, për të krijuar imazhin se si do të donim të dukeshim. Kurse pasqyra e Arlindës përmes vetes na e prezenton tjetrin! Secili që del para saj, kërkon tjetrin në vete dhe nuk lejon ndërhyrje për ta ndryshuar. Ajo tenton ta lërë tjetrin ashtu siç është, duke njohur dhe prezentuar pasurinë njerëzore tek diverziteti, tek Uni i çdokujt.

    Lajmi Paraprak

    BE-ja më lehtë do ta përballonte financiarisht integrimin e Ballkanit sesa të Ukrainës

    Lajmi i rradhës

    Përbërja e re e Qeverisë serbe: Daçiq ministër i Brendshëm, Vulin zv.kryeministër…

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë