Vlerësimi i sërishëm i së mirës dhe së keqes

    Sead Zimeri
    Filozof

    Në diskursin publik, shpesh flasim për “të mirën” dhe “të keqen” sikur ato të ishin forca mbinatyrore që ekzistojnë në mënyrë krejt të pavarur nga ne, por që krijojnë fatet dhe historitë tona në mënyra që vështirë i kuptojmë. Ka një tundim të madh për të besuar se njerëz të caktuar, ose grupe të caktuara mishërojnë të keqen në vetvete. Historikisht, kjo mënyrë e të menduarit është përdorur për të demonizuar popuj të tërë, kundërshtarët politik dhe për të arsyetuar mizoritë në emër të luftës kundër së “së keqes.” Ky fakt vetvetiu është i mjaftueshëm për vlerësimin e sërishëm të këtyre koncepteve: të shohim të mirën dhe të keqen si koncepte që ndërtohen mbi marrëdhënie ndërnjerëzore, të cilat marrin kuptim vetëm në raport me interesat dhe mirëqenien tonë, pa pasur nevojë që t’u atribuojmë status metafizik apo ekzistencë të pavarur.

    E mira dhe e keqja janë koncepte që përdoren për të përshkruar dhe vlerësuar qëndrimet tona ndaj ngjarjeve që i konsiderojmë të dobishme apo të dëmshme për interesat dhe mirëqenien tonë. Nuk ka asgjë mistike ose të mbinatyrshme në to; ato nuk kanë një qenie të fshehtë metafizike pas vetes. Kur përshkruajmë diçka si të mirë ose të keqe, në thelb po themi diçka që lidhet me kushtet tona si qenie njerëzore ose me atë që na prek individualisht. Pra, duam të theksojmë se një veprim, një plan apo edhe qëllim është i mirë apo i keq në raport me interesat tona.

    Ndërkohë, këto dy koncepte mund të përkufizohen ngushtë ose gjerësisht, dhe, në varësi të përkufizimit, mund të hyjnë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Për shembull, nëse “e mirë” do të përkufizohej thjesht si “çdo gjë që favorizon interesat e mia” dhe “e keqe” si “çdo gjë që i pengon ato,” atëherë kjo do të binte në konflikt me interesat e të tjerëve. Një përkufizim aq i ngushtë tregon se ky koncept nuk mund të funksionojë në mënyrë universale si një koncept moral. Për më tepër, edhe pse përbën bazën elementare të çdo përkufizimi moral, ky përkufizim duke qenë se është shumë i ngushtë nuk e merr parasysh që interesat vetjake nuk mund të veçohen krejtësisht nga interesat e përgjithshme. Andaj edhe rrëshqet jo vetëm në relativizëm por edhe në nihilizëm.

    Problemi i një përkufizimi ë tillë është që shumë herë ajo që kuptojmë si interes apo mirëqenie vetjake pa marrë parasysh mirëqenien e të tjerëve, del të jetë një keqkuptim i interesit vetjak. Në përkufizime të tilla ndodhë që individi në fakt të mbrojë jo interesin e tij, por rrënimin e mirëqenies së tij. Andaj edhe e mira dhe e keqja nuk mund të reduktohen në këtë përkufizim relativ vetjak, sepse ato qëndrojnë në lidhje varësie me interesat e përgjithshme. Për shembull, një person me një përkufizim të ngushtë të këtyre koncepteve që përfaqësojnë marrëdhëniet njerëzore, mund të mendojë që çdo gjë që i sjell kënaqësi momentale është e mirë, dhe çdo gjë që i sjell pakënaqësi momentale është e keqe. Një student që e ka për mërzi të studjojë, mund ta konsiderojë studimin si një gjë të keqe, kurse zbavitjen dhe dëfrimin nëpër klubet e natës si një gjë të mirë. Nga aspekti teknik ky përkufizim është i saktë, por është aq i ngushtë saqë nga aspekti i gjërë këto përkufizime tregojnë për një keqkuptim të interesave dhe mirëqenies së tij vetjake. Problemi pra qëndon në përmbajtjen që përfaqësojnë këto koncepte.

    Nevoja e vështrimit moral

    Sa herë që i mendojmë këto koncepte në kuadër të jetës shoqërore, në përgjithësi i vështrojmë si koncepte morale. Në përdorimin amoral konstatohet një gjendje apo fkticitet: nëse unë e përkufizoj të keqen si “çdo gjë që nuk më pëlqen,” kjo tregon diçka rreth përdorimit tim personal të fjalës “e keqe,” por nuk tregon nëse veprimi në fjalë është në fakt i tillë, dhe nëse duhet të i shmangemi. Është plotësisht e mundur që vlerësimi im për një send si i keq apo i mirë është vlerësim i gabuar, vlerësim arbitrar; e madje edhe atëherë kur përëdor kritere joarbitrare mund të jetë i gabuar. Një përkufizim kaq idiosinkratik nuk mund të përkojë me një përdorim të përgjithshëm, sepse mund të ndodhë që ty të pëlqejë diçka që mua nuk më pëlqen.

    Nga ana morale, sigurisht që mund ta kritikojmë një përkufizim të ngushtë të të keqes, por edhe atëherë, kuptimi i tij mbetet—“diçka që dëmton interesat tona.” Madje, dhe kur flasim moralisht, e keqja është në thelb diçka që ne e refuzojmë, qoftë për shkak të pasojave të saj që dëmtojnë interesat tona njerëzore ose sepse bie ndesh me rregulla të caktuara morale që po ashtu sigurojnë një mirëqenie për të gjithë. Si koncepte morale, e mira dhe e keqja duhet të jenë reciproke dhe të përgjithshme, me fjalë të tjera, të aplikueshme për të gjithë njerëzit. Kur përshkruajmë një veprim si moralisht të mirë ose të keq, njëkohësisht vendosim se ky veprim është ose i lavdërueshëm e ndoshta i detyrueshëm (në rastin e të mirës), ose i dënueshëm e i ndaluar (në rastin e së keqes). Me fjalë të tjera, përkufizimet morale janë normative që na tregojnë se si duhet të i kuptojmë këto koncepte dhe si duhet të veprojmë në raste të tilla.

    Në filozofinë morale, kërkimi i një përkufizimi të qëndrueshëm të së mirës dhe së keqes nënkupton gjetjen e atyre normave që mbështesin mirëqenien e njeriut si njeri. Në këtë kuptim, çdo veprim që dëmton ose rrezikon interesat e përbashkëta njerëzore konsiderohet moralisht i keq. Nëse një veprim minon të drejtat apo cenon rëndë jetën, kjo sjellje duhet të jetë diçka që të gjithë e konsiderojmë të papranueshme. Kështu, abuzimi, ngacmimi apo shfrytëzimi i njeriut pa pëlqimin e tij janë veprime të këqija, sepse dëmtojnë mirëqenien e tij. Për të shërbyer si koncepte kuptimplota në moral, e mira dhe e keqja duhet të përkufizohen në mënyrë të tillë sa të përfshijnë të gjitha këto sjellje të dëmshme.

    Keqpërdorimi i kuptimeve metafizike

    Përkufizimet metafizike kanë shërbyer për të justifikuar persekutimin apo edhe zhdukjen fizike të atiyre grupeve që u cilësuan si “të këqij.” Disa prej periudhave më të errëta të historisë së njerëzimit e dëshmojnë këtë tragjedi. Në Ruandë, militantët Hutu i masakruan Tutsit, duke i quajtur “të këqij”—parazitë që duhej zhdukur. Në Evropë, shekuj të tërë demonizimi të hebrenjve çuan në Holokaust. Demonizimi dhe dehumanizimi i palestinezëve mundësoi të kryhet gjenocid mbi ta ndërsa ne po e shikonim në ekranet tona. Në vendet dhe kohët e ndryshme, gjendet e njëjta skemë: përshkrimi i një grupi njerëzor si mishërim i së keqes përdoret për të legjitimuar akte ekstreme dhune dhe diskriminimi ndaj tyre, njëkphësisht duke e tërhequr veten nga ky ekuacion. Dehumanizimi mohon kushtin e domosdoshëm të vlerlsimit moral: reciprocitein dhe mirënjohjen e tjetrit si të barabrtë me ne. Meqë ne nuk jemi të ligë, ata nuk janë si ne, apo ne nuk jemi si ata. Është arsyetimi më perverz që ekziston, pasi që krijon një konceptim të rremë metafizik të marrëdhënieve njerëzore, dhe kështu krijon një hapësirë përjashtimi nga komuniteti njerëzor

    Në raste të këtills, ne i lejojmë vetes të i shmangemi gjykimit moral universal se kryerja e së keqes është e keqe, madje edhe kur ajo synon luftimin e së keqes. Kur e përshkruajmë të keqen si një realitet metafizik—sikur disa njerëz e mishërojnë atë si një frymë apo demon—parimi i barasvlerës rrëzohet. Arsyeja është se nuk mund të masim veprime të njëjta me të njëjtin standard, meqenëse ato kryhen nga “agjentë” të ndryshëm: prej atyre “të mirë” në dallim nga ata “të këqij.” Në këtë mënyrë, njerëzit që luftojnë të keqen mund të kryejnë mizori të rënda, por me ndërgjegje të qetë, sepse ose mendojnë se po bëjnë vullnetin e Zotit, ose thjesht po veprojnë ashtu siç e gjykojnë të domosdoshme për të luftuar të keqen. Pikërisht kështu njerëzimi ka kryer disa nga krimet më të mëdha kundër vetes.

    Kur e keqja shihet si një forcë thuajse mistike ose metafizike, kompleksiteti i situatave njerëzore zvogëlohet në një ndarje të thjeshtë “ne kundër tyre.” Kjo mënyrë të menduari u jep pushtetarëve ose ideologëve një mjet të fuqishëm për të mobilizuar masat kundër një “armiku” që është mishërim i të keqes. Por, në momentin që kuptojmë se “e keqja” mund të përshkruajë çdo veprim njeriu që cënon interesat e përbashkëta të njerëzimit, bëhet e pamundur të vendosim kombe apo grupe të caktuara në një kategori absolutisht të keqe, për shkak të përkatësisë së tyre etnike, kombëtare apo kulturore. Përkundrazi, e keqja bëhet atribut i veprimeve—në veçanti i atyre që shkelin normat morale dhe interesat e përbashkëta njerëzore.

    Pavarësisht joshjes nga interpretimet metafizike, një pikëpamje që përkufizon të mirën dhe të keqen në raport me interesat dhe mirëqenien e njeriut si njeri ofron një qasje më të shëndetshme dhe më konstruktive. Nëse pranojmë se e keqja është thjesht gjithçka që rrezikon mirëqenien e njeriut, atëherë çdokush mund të bëhet “i keq” sapo kryen veprime që dëmtojnë njeriun. Kjo qasje nuk e zbeh ashpërsinë e krimeve apo mizorive, por i mban përgjegjës autorët e tyre, në vend që të shpikë “esenca” mitike që do të justifikonin diferencime të përgjithshme ndaj grupeve të tëra.

    Në të njëjtën mënyrë, e mira mbetet një çështje që lidhet me atë që na sjell dobi, ose ruan mirëqenien—në thelb, çfarë favorizon interesin universal të njerëzimit. Ky përdorim moral nuk përjashton përdorimet jomorale të fjalëve “e mirë” apo “e keqe.” Mund të themi se patëm një ditë “të keqe” pa nënkuptuar ndonjë akt të dënueshëm, por kjo mënyrë e zakonshme e të folurit nuk mbart domosdoshmërisht ndonjë imperativ moral. Në kontekstin moral, megjithatë, të mira dhe të keqja jo vetëm përshkruajnë një marrëdhënie, por gjithashtu përcaktojnë çfarë duhet të bëjmë ose të shmangim, duke ruajtur një forcë normative thelbësore në jetën etike.

    Natyrisht, përkufizimi moral i së mirës dhe së keqes i referohet normave dhe rregullave të përgjithshme që mbrojnë interesat e njerëzimit. Por kjo nuk nënkupton asgjë metafizike—nuk ka nevojë për një ide se e keqja ekziston “para” qenies njerëzore. Përkundrazi, duhet ta ndërtojmë kuptimin e së keqes mbi përvojat e ndërsjella njerëzore dhe nevojat tona të përbashkëta. Kështu, “e keqja” bëhet emri që i japim atij akti që dëmton rëndë individin ose komunitetin, dhe nuk mbetet një forcë e çuditshme e jashtme. Në thelb, e heqim nga duart e metafizikës dhe e vendosim në kuadrin e marrëdhënieve dhe përgjegjësive tona të përbashkëta.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    A po merren masa ndaj gjykatësit Enver Bexheti, i cili përfundoi në listën e zezë të ShBA-së?!

    Lajmi i rradhës

    Akreditoi fakultetin e mjekësisë në universitetin e Merkos, kuvendi do ta shkarkojë drejtorin e ACAL

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë