“Zona e interesit” flet për rrezikun nga injorimi i mizorive – përfshirë ato në Gazë

    Skenë nga filmi “Zona e interesit”: Jeta e lumtur pranë kampit të përqendrimit!

    Naomi Klein / The Guardian
    Përkthimi: Telegrafi.com

    Ka një traditë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar: një fjalim serioz politik shpon flluskën e magjepsjes dhe krenarisë. Pasojnë reagimet keqdashëse. Disa fjalimin e shpallin si shembull të artistëve që ndryshojnë normat; të tjerët si uzurpim egoist të një nate përndryshe festive. Pastaj të gjithë shkojnë në shtëpi.

    Megjithatë, mendoj se ndikimi i fjalimit të Jonathan Glazerit, për të tashmen – gjatë ndarjes së Çmimeve të Akademisë amerikane të Filmit, të dielën e kaluar – do të jetë dukshëm më i qëndrueshëm, më me kuptim dhe rëndësi për t’u analizuar edhe për shumë vite të tjera.

    Glazeri ka marrë çmimin për filmin më të mirë ndërkombëtar për Zonën e interesit [The Zone of Interest], i cili është i frymëzuar nga jeta reale e Rudolf Hössit, e komandantit të kampit të përqendrimit të Aushvicit. Filmi ndjek jetën idilike shtëpiake të Hössit – me gruan dhe fëmijët e tij – që shpaloset në një shtëpi dhe kopsht madhështor ngjitur pranë kampit të përqendrimit. Glazeri i ka përshkruar personazhet e tij jo si përbindësh, por si “borgjezë, karrieristë që nuk mendojnë për tmerret”, njerëz që të keqen më të madhe arrijnë ta kthejnë në asgjë.

    Para ceremonisë të së dielës, Zona ishte çmuar nga disa hyjni të botës së filmit. Alfonso Cuaróni, regjisori fitues i çmimit Oscar për filmin Roma, e quajti “ndoshta filmin më të rëndësishëm të këtij shekulli”. Steven Spielbergu e shpalli si “filmin më të mirë të Holokaustit që kam parë, që nga koha ime” – referencë për Listën e Shindlerit që pushtoi ceremoninë 30 vjet më parë.

    Por, derisa triumfi i Listës së Shindlerit paraqiste një moment pranimi dhe uniteti për komunitetin e zakonshëm hebraik, Zona arrin në një moment shumë më ndryshe. Debatet janë ndezur rreth asaj se si duhet të kujtohen mizoritë naziste: a duhet parë Holokausti ekskluzivisht si katastrofë e hebrenjve, apo diçka më universale përmes një aspekti më të gjerë për të gjitha grupet e synuara për shfarosje? A ishte Holokausti çarje unike në historinë evropiane, apo kthimi në vendin e origjinës i gjenocideve të mëparshme koloniale – së bashku me rikthimin e teknikave, logjikës dhe teorive false të racës që zhvilluan dhe përdorën? A do të thotë “kurrë më” kurrë më për askënd, apo kurrë më për hebrenjtë – zotim për të cilin Izraeli shihet si lloj i garancisë së paprekshme?

    Këto luftëra mbi universalizmin, traumat, përjashtimin dhe krahasimin, janë në qendër të çështjes historike të gjenocidit – të shtruar nga Afrika së Jugut kundër Izraelit, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë – dhe ato gjithashtu po godasin komunitetet, kongregacionet dhe familjet hebraike në mbarë botën. Në një minutë të ngjeshur dhe në momentin tonë të shtypjes nga autocensura, Glazeri pa frikë merr qëndrime të qarta për secilën prej këtyre polemikave.

    “Të gjitha zgjedhjet tona bëhen për të reflektuar dhe për t’u përballur me të tashmen – për të mos thënë, ‘Shiko çfarë bënë ata atëherë’; përkundrazi, ‘Shiko çfarë bëjmë tani’”, tha Glazer, duke u marrë shpejt me nocionin se krahasimi i tmerreve të ditëve të sotme me krimet naziste është në thelb minimizues ose relativizues, dhe duke mos lënë asnjë dyshim se qëllimi i tij i qartë ishte që të nxirrte vazhdimësi midis të kaluarës së tmerrshme dhe të tashmes së tmerrshme.

    Dhe, vazhdoi më tej: “Jemi këtu si njerëz që refuzojnë që hebraizmi i tyre dhe Holokausti të rrëmbehet nga okupimi që ka çuar në konflikt kaq shumë njerëz të pafajshëm, qofshin viktimat e 7 tetorit në Izrael apo sulmi i vazhdueshëm në Gazë”. Për Glazerin, Izraeli nuk ka justifikim, as nuk është etike të përdorësh ndër breza traumën hebraike, nga Holokausti, si arsyetim ose mbulesë për mizoritë e kryera nga shteti i izraelit sot.

    Të tjerë i kanë theksuar këto çështje më parë, sigurisht, dhe shumë shtrenjtë e kanë paguar, veçanërisht nëse janë palestinezë, arabë ose myslimanë. Glazeri, çuditërisht, hodhi bombat e tij retorike që mbrohen nga identiteti i kostumit të blinduar, duke qëndruar para turmës vezulluese si hebre i bardhë i suksesshëm – i rrethuar nga dy burra të tjerë të bardhë hebrenj të suksesshëm – të cilët së bashku kishin bërë një film për Holokaustin. Dhe, ajo falangë e privilegjit megjithatë nuk e shpëtoi nga vërshimi i shpifjeve dhe shtrembërimeve që keqinterpretuan fjalët e tij, për të pretenduar gabimisht se e kishte mohuar hebraizmin e tij – gjë që shërbeu vetëm për të nënvizuar aspektin e Glazerit për ata që e kthejnë viktimizimin në armë.

    Po aq domethënëse ishte ajo që ne mund ta mendojmë si kontekst prapa fjalimit: ajo që parapriu dhe ajo që menjëherë pasoi. Ata që shikuan vetëm klipe në internet, e humbën këtë pjesë të përvojës dhe kjo është gjë e keqe. Sepse, sapo Glazeri e përfundoi fjalimin – duke ia kushtuar çmimin Aleksandra Bystroń-Kołodziejczykut, një gruaje polake që ushqeu fshehurazi të burgosurit e Aushvicit dhe i luftoi nazistët si anëtare e ushtrisë së rezistencës polake – dolën aktorët Ryan Gosling dhe Emily Blunt. Pa ndonjë pauzë me reklama që do të na lejonte ta merrnim veten emocionalisht, menjëherë kaluam te “Barbenhajmeri”, me Goslingun duke i thënë Bluntit se filmi i saj për shpikjen e armës së shkatërrimit në masë ishte në bisht të suksesit komercial të Barbit, ndërsa Blunti e akuzoi Goslingun se i kishte muskujt e vizatuar.

    Fillimisht kisha frikë se ky ballafaqim i pazakontë do ta nënvlerësonte reagimin e Glazerit: si mundet që realitetet pikëlluese dhe tronditëse, për të cilat ai bëri me dije, të bashkëjetojnë me këtë lloj të energjisë kaliforniane që ngjanë me mbrëmjet e maturës? Më pas u kujtova: në mënyrën se si bëjnë mbrojtësit e zjarrtë të “të drejtës së Izraelit për t’u mbrojtur”, marifeti që mbylli fjalimin gjithashtu ndihmonte të shprehte mendimin e veta.

    “Gjenocidi bëhet mjedis për jetën e tyre”: kështu e ka përshkruar Glazeri atmosferën që u përpoq të kapte në filmin e vet, në të cilin personazhet e tij ndjekin dramat e veta të përditshme – fëmijët pa gjumë, një nënë që vështirë kënaqet, tradhti të rastësishme bashkëshortore – në hijen e pirgjeve të tymit që nxjerrin mbetjet njerëzore. Nuk është se këta njerëz nuk e dinë se një makinë e vrasjeve në shkallë industriale gjendet pak përtej murit të kopshtit të tyre. Ata thjesht kanë mësuar të çojnë jetë të mirë me mjedisin e gjenocidit.

    Është kjo që ndihet si e tashme, si pjesa më e madhe e këtij momenti të tmerrshëm, përkitazi me filmin tronditës të Glazerit. Më shumë se pesë muaj pas masakrës së përditshme në Gazë, dhe me Izraelin që injoron paturpësisht urdhrat e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe me qeveritë perëndimore që qortojnë lehtë Izraelin teksa i dërgojnë më shumë armë, gjenocidi po bëhet edhe një herë mjedis – të paktën për ata nga ne që kanë fat të jetojnë në anët e sigurta të mureve të shumta që gdhendin botën tonë. Përballemi me rrezikun që ajo të rëndohet, duke u bërë kolona zanore e jetës moderne. Madje as ngjarja kryesore.

    Glazeri shpeshherë theksoi se subjekti i filmit të tij nuk është Holokausti me tmerret e njohura dhe veçantitë historike, por diçka më e qëndrueshme dhe më e përhapur: aftësia njerëzore për të jetuar me holokaustet dhe mizoritë e tjera, për të bërë paqe me to, për të nxjerrë përfitime nga ato.

    Kur filmi u dha premierë gjatë majit të kaluar, para sulmit të Hamasit të 7 tetorit dhe para sulmit të pafund të Izraelit në Gazë, ky ishte një eksperiment mendimi që mund të soditej me njëfarë distance intelektuale. Anëtarët e audiencës në festivalin e filmit në Kanë, të cilët i dhanë Zonës së interesit ovacione të zjarrta për gjashtë minuta në këmbë, ka të ngjarë se ndiheshin të sigurt teksa luanin me sfidën e Glazerit. Ndoshta disa i hodhën sytë nga Mesdheu i kaltër dhe menduan se si ishin ndier rehat, madje edhe të painteresuar, për lajmet e varkave të mbushura me njerëz të dëshpëruar që lihen të mbyten poshtë bregut. Ose, ndoshta menduan për aeroplanët privatë me të cilët shkuan në Francë dhe mënyrën se si emetimet e gazrave të atyre aeroplanëve janë ngatërruar me zhdukjen e burimeve ushqimore për njerëzit e varfër larg, ose zhdukjen e specieve, ose zhdukjen e mundshme të kombeve të tëra.

    Glazeri donte që filmi i tij të provokonte këto lloje të mendimeve të pakëndshme. Ai ka thënë se ka parë “botën që po errësohej rreth nesh dhe e kisha një ndjenjë se duhej të bëja diçka për ngjashmëritë tona me autorët dhe jo me viktimat”. Donte të na kujtonte se asgjësimi nuk është kurrë aq larg sa mendojmë.

    Por, në kohën kur Zona doli në kinema në dhjetor, ishte më e prekshme sfida delikate e Glazerit për audiencën, për ta menduar Hössin si veten e tyre të brendshme. Shumica e artistëve në mënyrë të dëshpëruar përpiqen të futen në periudhat historike, por Zona, shfaqja në kinema e së cilës ishte e heshtur nëse kemi parasysh reagimet e mëparshme, mund të ketë vuajtur nga diçka e rrallë në historinë e kinemasë: tepricën e mbivlerës, mbifurnizimin me informata nga çasti në çast.

    Një nga skenat më të paharrueshme të filmit është kur një paketë e mbushur me veshje dhe të brendshme të vjedhura nga të burgosurat e kampit, mbërrin në shtëpinë e Hössit. Gruaja e komandantit, Hedwiga (që në mënyrë shumë bindëse luhet nga Sandra Hüller), urdhëron se të gjithë, përfshirë shërbëtorët, mund të zgjedhin nga një artikull. Për veten e mban një pallto leshi, madje e provon edhe buzëkuqin që gjen në xhep.

    Është kaq rrëqethës familjarizimi i ndërthurjeve me të vdekurit. Dhe, nuk e kam idenë se si dikush mund ta shikojë atë skenë dhe të mos mendojë për ushtarët izraelitë të cilët e kanë filmuar veten duke kontrolluar nëpër të brendshmet e palestinezeve, shtëpitë e të cilave i pushtojnë në Gazë, ose duke u mburrur me vjedhjen e këpucëve dhe bizhuterive për të fejuarat dhe të dashurat e tyre, ose duke bërë selfi në grup – me rrënojat e Gazës si sfond. (Një foto e tillë u bë virale pasi shkrimtari Benjamin Kunkel shtoi mbishkrimin “Zona e Pinterestit”.)

    Ka kaq shumë jehona të tilla saqë, sot, kryevepra e Glazerit ngjan më shumë si dokumentar sesa metaforë. Zona xhirohet në stilin e një spektakli të realitetit [reality show], me kamera të fshehta në të gjithë shtëpinë dhe kopshtin (Glazeri e ka cilësuar si “Vëllai i Madh në shtëpinë naziste”), dhe dukej sikur filmi parashikonte gjenocidin e parë të transmetuar drejtpërdrejt – në versionin që filmuar nga vetë autorët.

    Zona ofron një portret ekstrem të një familjeje, jeta e qetë dhe e bukur e së cilës rrjedh drejtpërdrejt nga makineria që gllabëron jetën njerëzore në fqinjësi. Ky nuk është portreti i njerëzve në mohim: ata e dinë se çfarë po ndodh në anën tjetër të murit, madje edhe fëmijët luajnë me dhëmbët e njeriut. Kampi i përqendrimit dhe shtëpia e familjes nuk janë entitete të veçanta; janë të bashkuara. Muri i kopshtit të familjes – duke krijuar një hapësirë të mbyllur për fëmijët për të luajtur dhe kënaqur në pishinë – është i njëjti mur që në anën tjetër mbyll kampin.

    Të gjithë ata që njoh e që e kanë parë filmin mund të mendojnë paksa për Gazën. Të thuash kështu kjo nuk do të thotë të pretendosh ekuacion një me një ose krahasimin me Aushvicin. Nuk ka dy gjenocide identike: Gaza nuk është fabrikë e projektuar qëllimisht për vrasje masive, as nuk jemi afër shkallës së numrit të vdekjeve naziste. Por, e gjithë arsyeja se pse u ngrit institucioni i së drejtës ndërkombëtare humanitare të pasluftës, ishte që ne t’i kemi mjetet për të identifikuar kolektivisht modelet – përpara se historia të përsëritej. Dhe, disa nga modelet – muri, getoja, vrasja masive, qëllimi eliminues i deklaruar në mënyrë të përsëritur, uria masive, plaçkitja, çnjerëzimi i hareshëm dhe poshtërimi i qëllimshëm – po përsëriten.

    Po kështu janë edhe mënyrat sesi gjenocidi bëhet mjedis, mënyra se si ne pak më larg mureve mund të bllokojmë imazhet, të heshtim britmat dhe thjesht … të vazhdojmë jetën tutje. Kjo është arsyeja se pse Akademia e Filmit e përforcoi konceptin e Glazerit kur menjëherë kaloi te “Barbenhajmeri” – banalizimi i masakrës masive – pa e lodhur mendjen. Mizoria sërish po bëhet mjedis. (Dikush mund të shohë gjithë spektaklin e ndarjes së çmimeve Oscar si një lloj i zgjatjes së transmetuar drejtpërdrejt të Zonës së interesit, si një lloj i mohimit.)

    Çfarë të bëjmë për të ndërprerë vrullin e banalizimit dhe normalizimit? Kjo është pyetja me të cilën shumë prej nesh po merren tani. Studentët më pyesin. Unë i pyes miqtë dhe kolegët. Shumëkush ofron përgjigjet e veta përmes reagimeve të rrepta, mosbindjes civile, votave “të paangazhuara”, aksidenteve, autokolonave të ndihmave për në Gazë, mbledhje fondesh për refugjatët, me vepra të artit radikal. Por, nuk mjafton.

    Dhe, teksa gjenocidi zbehet më tej në sfondin e kulturës sonë, disa njerëz dëshpërohen për cilëndo nga këto përpjekje. Duke parë ceremoninë, të dielën, ku Glazeri ishte i vetëm në mesin e paradës së folësve të pasur dhe të fuqishëm në podium që nuk përmendnin Gazën, m’u kujtua se kishin kaluar saktësisht dy javë qëkur Aaron Bushnelli, anëtar 25-vjeçar i forcave ajrore të ShBA-së, ia fut flakën vetes jashtë Ambasadës izraelite në Uashington.

    Nuk dua që dikush tjetër të përdor atë taktikë të tmerrshme proteste; mjaft ka vdekje. Por, duhet të kalojmë pak kohë duke reflektuar për deklaratën që Bushnelli na dha, fjalët që unë i kam parë si kod bashkëkohor për filmin e Glazerit:

    “Shumë prej nesh pëlqejnë të pyesin veten: ‘Çfarë do të bëja po të isha gjallë gjatë skllavërisë? Apo gjatë Jim Crowit në jug? Apo gjatë aparteidit? Çfarë do të bëja nëse vendi im do të kryente gjenocid?’ Përgjigjja është, ti atë po e bën. Në këtë çast”.

    Lajmi Paraprak

    Telefonat e zgjuar e kanë helmuar trurin e fëmijëve tanë!

    Lajmi i rradhës

    Çerdhja në Tearcë assesi të vihet në funksion

    Lajme tjera

    Kritikë e Carl Schmitt-it

    György Lukács “Shkatërrimi i arsyes” është shkruar nga një prej filozofëve (dhe teoricienëve të letërsisë) më të rëndësishëm…
    Më tepër

    ÇKA LYPSET ËSHTË …

    Poezi nga: Carlo BetocchiPërktheu: Maksim Rakipaj Çka lypset është njeriujo aq shumë mençuria e tij,çka lypset është një…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë