2025-ta e mirëseardhur për funksionarët!

    Nga janari 2025, pagat e zyrtarëve do të rriten sërish sipas rritjes së pagës mesatare vjetore, e cila është bazë përllogaritjeje, nga rreth 330 euro për pagat më të larta zyrtare për kryeministrin, presidentin dhe kryeparlamentarin, në rreth 130 euro për më të ulëtat.

    Fakti që në shkurt të këtij viti, me ndryshimin e gjashtë ligjeve, u zvogëluan koeficientët e kompleksitetit me të cilët shumëzohet baza në llogaritjen e pagave, vetëm sa ndihmoi që të mos rriteshin të ardhurat e tyre në këtë vit 2024, pasi në mars 2023, me vendim të Gjykatës Kushtetuese janë rritur me 78 për qind. Që të mos rriten as në vitin 2025, qeveria duhet t’i propozojë Parlamentit uljen e koeficientëve për llogaritje ose përmbushjen e premtimit për të sjellë një ligj të ri sistemik për pagat në sektorin publik, por tani për tani është e paqartë se çfarë do të ndodhë.

    Për momentin nuk bëhet fjalë për hartimin e ligjit të sistemit të ri dhe pushteti ekzekutiv i udhëhequr nga VMRO-DPMNE nuk paralajmëron se do ta ndalë këtë rritje, ndonëse ishte kundër rritjes së pagave të zyrtarëve gjatë kohës që ishte në opozitë, e kryeministri Hristijan Mickoski madje kërkoi që të gjithë ministrat të punojnë pa kompensim!

    PËR MICKOSKIN PLUS 330 EURO, PËR DAMEVËN 265, PËR ARSOVSKËN 230!

    Paga e funksionarëve llogaritet duke shumëzuar pagën mesatare të një viti më parë me një faktor kompleksiteti, të cilit i shtohen shtesat e tjera si puna e kaluar, shpërblimet, shtesat e ndryshme etj. Para ndryshimeve të shkurtit në koeficientë, ato varionin nga 2.2 në 4.5 dhe pas ndryshimeve zbritën nga 1.91 në 3.92. Me këtë ulje, koeficientët u “niveluan” në atë mënyrë që pagat aktuale të mbeten pas rritjes drastike të vitit të kaluar prej 78 për qind dhe të mos ulet paga, por edhe të mos ketë rritje të dukshme. Nëse nuk do të kishin ulur koeficientët, rrogat e tyre do të rriteshin edhe nga 200 deri në 400 euro!

    Paga mesatare për vitin 2023 është 36.614 denarë, ndërsa për vitin 2024 ndoshta do të jetë rreth 41.000 denarë. Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, paga mesatare për muajin maj 2024 është 41.252 denarë. Nëse paga mesatare vjetore është 41.000 denarë, paga bazë e funksionarëve me koeficient më të lartë, përkatësisht kryeministrit, kreut të shtetit dhe kryeparlamentarit do të jetë 160.720 denarë pa shtesa. Kryeministri Hristijan Mickoski, sipas të dhënave të publikuara nga Qeveria, merr pagë bazë prej 140.450 denarë (2.280 euro), kështu që nga janari i vitit të ardhshëm paga i rritet për rreth 20.000 denarë (330 euro) dhe do të arrijë në 160.720 denarë (2.610 euro).

    Deputetët, të cilëve me ndryshimet ligjore koeficienti nga 3.5 u zvogëlua në 3.04, sivjet marrin pagë bazë prej 111.300 denarë, ndërsa nga janari do të marrin 124.600 denarë, përkatësisht 13.340 denarë (210 euro) më shumë, pa kompensim. Kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska, e cila tani ka koeficientin 3.22, tani merr pagë bazë prej 117.900 denarë, ndërsa nga viti i ardhshëm 132.000 denarë, që është rritje për 14.000 denarë. I njëjti koeficient si kryetari i Shkupit i takon edhe Prokurorit Publik të Shtetit, i cili po ashtu merr kompensim shtesë në pajtim me Ligjin për pagat e prokurorëve. Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, së cilës i është ulur koeficienti nga 4 në 3.7, këtë vit merr pagë bazë prej 135.400 denarë, ndërsa vitin e ardhshëm do të marrë 151.700 denarë, që është 16.300 denarë më shumë.

    Funksionari me koeficient 3 do të marrë pagë të shtuar për 13.150 denarë, ndërsa me koeficient 2 do të rritet për 8.700 denarë. Zyrtarët, paga e të cilëve llogaritet sipas koeficientit më të ulët prej 1.91, tani marrin pagë bazë prej 69.900 denarë, ndërsa nga viti i ardhshëm 78.300 denarë, që është një rritje prej 8.400 denarë.

    NDRYSHE NË OPOZITË E NDRYSHE NË PUSHTET

    Në faqen ENER ku është postuar propozimi për ligjin e ri për pagat në sektorin publik, thuhet se përllogaritja dhe pagesa tashmë bëhet në bazë të ligjeve të veçanta dhe kontratave kolektive, e në disa institucione edhe me rregullore. “Është evidente se nuk ka rregulla të qarta dhe një metodologji uniforme për përllogaritjen e pagave në pushtetin legjislativ, në pushtetin ekzekutiv, në pushtetin gjyqësor, në pushtetin vendor, në personat e zgjedhur, të emëruar dhe shoqëritë tregtare në tërësi pronësi shtetërore”, thotë ENER, ku propozimi është krijuar nga ish-Ministria e Shoqërisë së Informacionit dhe Administratës.

    Këtë mospërputhje deri më tani e kanë vënë në dukje disa zyrtarë, përfshirë ish-kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe aktual Hristijan Mickoski, të cilët theksuan se në disa agjenci shtetërore disa zyrtarë apo anëtarë të bordeve drejtuese marrin paga më të larta se ministrat apo kryeministri, gjë që sipas tyre është e papranueshme dhe duhet korrigjuar me një ligj të ri për të gjitha pagat në sektorin publik.

    VMRO-DPMNE-ja në opozitë e kundërshtoi ashpër rritjen e pagave të zyrtarëve për 78 për qind, ndërsa tani të pyetur nëse do t’i ulin pagat, përgjigjen se qëllimi i Qeverisë është “të bëjë një standard më të mirë të jetojnë për të gjithë qytetarët, që të mos ketë dallime të tilla në paga si tani”. Për momentin ministrat marrin paga bazë në shumë prej 115.540 denarë, që është pothuajse sa tri paga mesatare (41.252 denarë) dhe po aq si pesë paga minimale (22.567 denarë)! Ky dallim shkakton një revoltë të madhe te qytetarët, aq më tepër që shporta minimale e konsumit për një familje katër anëtarëshe është rreth 60.000 denarë.

    Së fundmi, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska tha se nuk sheh zgjidhje në uljen e pagave të funksionarëve, sepse ministrat punojnë shumë dhe shtoi se nëse i zvogëlojnë ato do të largohet nga pozita e saj sepse ajo fiton më shumë privatisht dhe se funksioni është stresues. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Zejtarët në RMV kërkojnë më shumë mbështetje

    Lajmi i rradhës

    Peshkopia shumë para Dibrës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë