Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme u kthyen në bankat shkollore. Por, sikurse viteve të kaluara, edhe këtë vit vazhdon trendi i shpërnguljeve të nxënësve jashtë vendit. Kështu, në bankat e shkollës nuk do të ulen 57 nxënës të shkollave fillore në Komunën e Tetovës, ndërsa prej shkollave të mesme – fletëshpërngulje kanë marrë 17 nxënës. Këto kërkesa janë bërë nga muaji shtator deri në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.
“Për fat të keq, kjo dukuri është ende prezente në shkollat tona dhe sipas informacioneve që kemi marrë nga shkollat fillore, fletëshpërngulje nga shkollat fillore për jashtë vendit kanë marrë 57 nxënës, ndërsa sipas të dhënave nga shkollat e mesme fletëshpërngulje kanë marrë 17 nxënës. Gjithsej pra 74 nxënës janë larguar nga shkollat tona. Është një situatë jo e lakmueshme që rinia po shpërngulet mirëpo do të duhet që të punohet shumë që rinia mos të shpërngulet por të qëndrojë në vend”, tha Nazmi Dauti, udhëheqës i sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës.
Megjithatë nga sektori i arsimit shpresojnë që largimi i nxënësve të mos ndikojë deri në atë masë sa mos mbyllen shkolla, sikurse viteve të mëparshme, ku u mbyll shkolla në Veshallë.
“Nuk rrezikohen shkollat, kështu që nuk është ndonjë numër i madh që të rrezikohen shkollat, normalisht kemi edhe shpërngulje brenda nga një shkollë në shkollë tjetër. Ndërsa problemi me shkollat në Veshallë dhe Bozovcë është tejkaluar, pasi selia e shkollës është zhvendosur në Reçicë të Vogël. Këta shkolla funksionojnë dhe nuk kemi probleme të kësaj natyre në shkolla tjera”, tha Dauti.
Në ndërkohë, shkollat e Tetovës si ato fillore poashtu edhe të mesme kanë bërë përgatitjet e nevojshme për fillim të mbarë të gjysmëvjetorit të dytë. Viti shkollor do të përfundojë më 10 qershor për të gjithë nxënësit, përveç për maturantët, të cilët sipas kalendarit për organizim të vitit shkollor në shkollat e mesme publike, do të mësojnë deri më 16 maj. Viti shkollor nuk do të vazhdojë si vitin e kaluar sepse nuk do të ketë pushim pranveror i cili ishte vendosur vitin e kaluar. Për këtë vendim, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në këtë vit shkollor anketoi mësimdhënës, prindër dhe nxënës nga klasat më të larta, dhe siç informoi, shumica ishin deklaruar se nuk duan pushim pranveror.
Rikujtojmë se me fillimin e procesit mësimor, janë mbyllur për parkim oborret e shkollave fillore dhe të mesme në Tetovë, të cilët gjatë kohës së pushimit dimëror u shfrytëzuan për parkim nga qytetarët. /Koha/