800 foshnje më pak, Maqedonia e Veriut vazhdon të “plaket” (Tabela)

    Numri i të porsalindurve vazhdon të ulet. Viti i kaluar regjistroi mbi 800 lindje më pak sesa një vit më parë, ose një reduktim prej 4.1 për qind të numrit të përgjithshëm. Nëse shifrat do të krahasoheshin me ato të vitit 1991, si viti me frekuencë më të madhe i lindjeve – diferenca është e madhe. Minus 12.390 bebe më pak, ose një reduktim prej 60 për qind e numrit të fëmijëve të lindur. Në shifrat zyrtare të publikuara së fundmi vihet re se zvogëlimi i numrit është prezent në një pjesë të konsiderueshme të komunave shqiptare, ku janë regjistruar shifra më të ulëta sesa ato të viteve të kaluara, shkruan gazeta KOHA.

    Për shembull, Tetova, po të krahasohen të dhënat me ato të vitit 2010, numri i foshnjave është reduktuar me 115. Në Gostivar – gjatë një dekade numri ka rënë me 218 foshnje, në Strugë 127 foshnje më pak, Strugë 52 më pak. Mes tyre ka edhe komuna të tjera ku numri i foshnjave është rritur, si për shembull, Studeniçani, një prej komunave me moshën më të re të popullsisë. Ulje të mëdha vërehen në Shkup, edhe pse konsiderohet si një prej destinacioneve që vazhdimisht popullohet me të ardhur nga komunat e tjera. Në kryeqytet, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar mbi 400 lindje më pak. Sipas strukturës gjinore – dominojnë fëmijët meshkuj rreth 52 për qind e numrit të përgjithshëm. Muaji me më shumë lindje është muaji qershor (1835 foshnje), ndërsa grupmosha e nënave me numrin më të lartë të lindjeve është 25-29 vjeç (33.6 për qind). Mosha mesatare e nënave është 29 vjeç, ndërsa e atyre që lindin për herë të parë është 27 vjeç, raporton KOHA.

    Vitin e kaluar, numri i fëmijëve të lindur jashtë kurore ishte 2466, ose 13 për qind e numrit të përgjithshëm të foshnjave. Ndërsa numri i fëmijëve të lindur nga nëna të mitura (nën 15 vjeç) është 19. Si pasojë e numrit të vogël të lindjeve, rritja absolute e popullsisë gjatë dhjetë viteve të fundit nuk ishte më e madhe se 21.690 banorë (me një shkallë totale të rritjes prej 1.1 për qind ), ku shkallën më të lartë e mbajnë rajoni i Shkupit dhe Pollogu (me 2.5 për qind). Pakësimi i popullsisë ndodh në rajonet e tjera, ku shkallën më të lartë të zvogëlimit e mbajnë Rajoni Lindor me 3 për qind dhe Pellagonia me minus 2.9 për qind banorë. Reduktimi në vite i numrit të lindjeve nga njëra anë dhe rritja e numrit të vdekjeve – e zhvendosi Maqedoninë e Veriut për herë të parë në 25 vjet, duke hyrë në zonën e rritjes natyrore negative, ose të plakjes demografike. Sipas statistikave, nëpër tetë rajonet Shkupi dhe Pollogu ruajtën trendet pozitive, ndërsa gjashtë të tjerat kanë shkallë vdekshmërie më të lartë se shkalla e lindjeve. Pjesa e popullsisë së re (0-14 vjeç) në total u ul nga 17.7 për qind në 16.2 për qind, dhe pjesa e popullsisë së vjetër (65 e më shumë vjet) u rrit nga 11.6 për qind në 14.5 për qind.

    Sociologu universitar, Ali Pajaziti, rënien e numrit të foshnjave të porsalindura, si dhe zvogëlimin e numrit të martesave e vlerëson si pasojë të konceptit të ri të marrëdhënieve të bashkëjetesës rinore, si dhe anashkalimit të opsionit martesor tradicional. “Rënia e numrit të martesave, tkurrja demografike apo në rrafshin e natalitetit (lindjeve) paraqet një rrjedhim të konceptit të ri për familjen, kur të rinjtë nuk e kuptojnë martesën si një detyrim social, por si një mundësi apo opsion, ku bashkëjetesat janë gjithnjë e më të shpeshta, ku shfaqen çiftet që s’duan të lindin, të kenë obligime të kësaj natyre, pra për kultivim të pasardhësve. Ky perceptim i ri shpërfaqet edhe te çiftet e martuara që nuk lindin fëmijë në numër të madh siç ka qenë në familjen tradicionale, por vetëm një, eventualisht dy fëmijë, ngase kërkesat e jetës ultramoderne imponojnë kritere të reja, stil shumë të ndryshëm të rritjes së tyre (konsum në ushqim, veshmbathje, edukim të përmasave shumë të larta se dikur), andaj të rinjtë mjaftohen me krijim të një familjeje nukleare”, thotë për KOHA, sociologu Pajaziti. 

    Lajmi Paraprak

    Paratë e diasporës “infuzion” për sektorin e hotelerisë dhe gastronomisë

    Lajmi i rradhës

    Ambasadorja Bërns sqaron dekretin e presidentit Biden: Korrupsioni është shqetësimi kryesor!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë