9 barna të reja në listën pozitive – për sëmundjet e zemrës, tensionin, antidepresantë dhe të tjera

    9 barna po bëhen pjesë e listës pozitive bëri të ditur Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, duke treguar se në këtë proces janë përfshirë ekspertë që kanë punuar për disa ndryshime ligjore, hartimin e një rregulloreje të re me praktika europiane dhe një metodologji të re për vendosjen e barnave në listën pozitive.

    “Bëhet fjalë për 87 barna në forma dhe paketime të ndryshme të cilat kanë regjistrim aktiv në shtetin tonë, si nga kompanitë gjenerike po ashtu edhe nga kompanitë origjinale. Kjo listë në listën pozitive përfshin ilaçe, për sëmundjet e zemrës, për sëmundjen e shtypjes së lartë. Mandej antiagregansë, barna për trajtimin e yndyrave të tepruara në organizëm, antidepresantë dhe ilaçe për sëmundjen e demencës”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari..

    Profesori Dimçe Zafirov nga Instituti i Farmakologjisë Paraklinike dhe Klinike tha se Komisioni po shqyrton një numër të madh të barnave nga kjo fushë.

    Shumica tashmë janë me buxhet të kushtëzuar, por me punën e komisionit shpresojmë se do të vijmë, tani nuk mund të themi se kur, gjithçka do të varet nga mundësitë financiare. Normalisht, ne do të donim të vendosnim gjithçka, nëse varet nga ne, por gjithmonë duhet të kemi parasysh mundësinë financiare dhe të gjejmë një zgjidhje optimale. Pra, bëhet fjalë pikërisht për terapinë onkologjike më moderne, më të avancuar të antitrupave monoklonale, ku realisht në periudhën e ardhshme shpresoj se kjo përbërje e komisionit me siguri do ta zgjidhë”, tha Dimçe Zafirov, përfaqësues nga komisioni.

    Merjem Haxhihamza, këshilltare për politikat farmaceutike në MALMED, sqaroi se janë barna gjenerike të cilat në këtë moment do të sjellin kosto aq sa mund t’i mbulojë Fondi Shëndetësor.

    “Janë kritere që mbulojnë të gjitha aspektet e përdorimit të barit, duke filluar nga rëndësia terapeutike e barit, rëndësia e barit nga aspekti i shëndetit publik, nga aspekti ekonomik, nga aspekti social, nga aspekti etik etj. Pajtueshmëria me këto kritere në asnjë rast nuk mund të bëjë që barnat me cilësi të dobët dhe të panevojshme të vendosen në listën pozitive. Vetë fakti që sëmundjet kardiovaskulare janë sëmundjet më të përhapura në vendin tonë, imponon nevojën që këto barna të jenë prioritet për momentin”, deklaroi Merjem Haxhihamza, përfaqësues nga komisioni.

    Ministri Taravari u bëri thirrje të gjitha kompanive farmaceutike që të vazhdojnë me aplikimet për vendosjen e barnave të reja në listën pozitive. /TV21/

    Lajmi Paraprak

    Një lajm i rremë për një biletë autobusi falas po përhapet në Facebook, NQP e denoncoi në polici

    Lajmi i rradhës

    Vrasja te “Mavrovasja”, MPB dhe Prokuroria japin detajet e fundit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë