Ikja e madhe e fuqisë punëtore jashtë shtetit po dëshmohet edhe në shifrat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Maqedonisë së Veriut, përgjegjëse për mbledhjen, përpunimin dhe publikimin e të dhënave. Për më tepër me vite, pronarët e bizneseve të ndryshme që nga ato të vogla dhe deri fabrikat në vend ankohen se nuk mund të gjejnë punonjës , ndërsa nga ana tjetër vendi po zbrazet nga fuqia e re punëtore që kërkon të ardhura më të larta dhe jetesë më dinjitoze jashtë vendit.
Njëherësh, popullata në Maqedoni po plaket dhe po rritet përqindja e të rinjve që e shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit. Hulumtimet tregojnë se dy të tretat e të rinjve duan të largohen nga vendi dhe do ta bënin këtë nëse u jepej mundësia. Sipas një prej analizave të Fondacionit Fridrih Ebert, më shumë se gjysma ose 52.8 për qind e të rinjve në Maqedoni do të emigronin jashtë vendit. Analiza thotë se arsyeja më e zakonshme për të lëvizur jashtë vendit është përmirësimi i standardit të jetesës, aksesi në mundësi më të mira punësimi dhe arsimimi më i mirë.
Në ndërkohë, të dhënat e fundit të dikasterit të statistikave tregojnë se në vija të trasha në vitet e kaluara në Maqedoni është rritur numri i të punësuarve në administratë dhe tregti, ndërsa është zvogëluar numri i të punësuarve në kapacitetet prodhuese, bujqësi dhe ndërtimtari.
Statistika zyrtare tregon se vendi është në minus prej 30 mijë punonjësish në bujqësi. Apo me fjalë tjera, është zvogëluar numri i tyre nga afër 91 mijë në vitin 2019 në afër 62 mijë në vitin 2024. Shifrat janë edhe më dëshpëruese nëse krahasohen me vitin 2010 , kur në vend ka pasur afër 110 mijë të punësuar në bujqësi, apo në 15 vite gati është përgjysmuar numri i fermerëve në vend. Ulje për 4000 punonjës ka edhe në industri apo kemi rënie të punëtorëve në fabrika nga afër 142 mijë në rreth 138 mijë në periudhën 2019-2024. Në raport me vitin 2010, këtu kemi trende stabilizimi për shkak se 14 vite më parë kishim afër 132 mijë punëtorë në uzina. Sektor tjetër i rëndësishëm i ekonomisë që po shënon rënie të punëtorëve me afër 1100 punonjës në këtë periudhë të analizuar është ndërtimtaria që ka rënë në 46 mijë të punësuar.
Pronarët e bizneseve të hotelerisë dhe gastronomisë me vite ankohen se ju mungojnë punëtorë. Këtë e konfirmojnë edhe shifrat prej 27.500 punonjës në këtë sektor në vitin e kaluar që është për mbi 2000 më pak se në vitin 2019. Mirëpo në fakt ky sektor shënon rritje në raport me vitin 2010 kur ka pasur afër 18 mijë të punësuar.
Nga ana tjetër, rritje ka në sektorët e shërbimeve si dhe në xehetari. Në xehetari shënohet një rritje e butë e punonjësve nga 5100 në 6300, ndërsa në tregti kemi rritje nga 101 mijë në 102 mijë punonjës. Në veprimtaritë e sigurimit dhe financave ka rritje prej afër 10 mijë në mbi 13 mijë, ndërsa në sektorin e komunikimit dhe informacioneve ka rritje prej 15 mijë në mbi 23 mijë. Në veprimtaritë administrative dhe ndihmëse të shërbimeve kemi rritje prej 17 në mbi 19 mijë, gjithnjë në periudhën 2019- 2024. Rritje përgjatë kësaj periudhe, kemi edhe në administratën publike dhe mbrojtje nga 48 në 52 mijë, në arsim nga afër 43 mijë në afër 45 mijë si dhe në veprimtaritë e mbrojtjes sociale dhe shëndetësore nga afër 44 në afër 48 mijë punonjës .
“Është interesante për krahasim të shpalosen edhe të dhënat e të punësuarve në administratë në vitin 2010. Të dhënat tregojnë se në administratën publike dhe mbrojtje kanë qenë të punësuar 46 mijë punonjës që i bie se numri i tyre është zvogëluar në 15 vite. Mirëpo në arsim, shifrat janë ndryshe për shkak se në vitin 2010 kanë qenë afër 39 mijë të punësuar në këtë veprimtari. Trend të rritjes tregojnë shifrat në mbrojtje sociale dhe shëndetësi ku 15 vite më patë kanë qenë të punësuar afër 36 mijë punonjës. Pra, në arsim dhe shëndetësi nga viti 2010 e këndej kemi rritje të numrit të të punësuarve. Në shëndetësi janë 22 mijë të punësuar, nga të cilët 12 mijë mantel bardhë dhe 10 mijë në administratë apo në arsim me 40 mijë punonjës, gjysma e të cilëve administratë dhe gjysma janë ofrues shërbimesh, mësues, profesorë universiteti, konstaton strukturën e të punësuarve në këto sektori”, thotë eksperti i administratës, Borçe Davitkovski. /Koha/