Aeroporti i Shkupit ka shënuar gjysmën e udhëtarëve krahasuar me atë të Prishtinës

    Aeroporti Nderkombëtar i Shkupit / Fotografia: Nistori

    Aeroporti i Tiranës, i Prishtinës dhe ai i Shkupit kanë regjistruar rritje të fluturimeve dhe udhëtarëve gjatë vitit 2022, krahasuar me vitin 2021. Viti që lamë pas ishte vit i rimëkëmbjes së fuqishme pas-pandemike edhe për aviacionin. Heqja e ndalesave dhe kufizimeve për udhëtim bëri që numri i udhëtarëve të rritet ndjeshëm dhe në aeroporte të kthehet trafiku i zakonshëm. Megjithatë, nëse para dy-tre vitesh, aeroporti i Shkupit kishte më shumë qarkullim udhëtarësh sesa ai i Prishtinës, tani situata është ndryshe. Shkupi ka mbetur shumë mbrapa Prishtinës, por edhe mbrapa Tiranës, ndërsa po hiqen edhe shumë linja ajrore. Edhe pse më i modernizuar dhe më i madh sesa aeroporti i Prishtinës, aeroporti i Shkupit në 2022 ka shënuar pothuajse gjysmën e udhëtarëve krahasuar me numrin e udhëtarëve që kanë fluturuar nga aeroporti “Adem Jashari” në Prishtinë.

    Më 19 dhjetor të vitit 2022, Tirana International Airport regjistroi udhëtarin e pesëmiliontë. Me mbi 30 mijë fluturime këtë vit, aeroporti ka shënuar rritje të trafikut të pasagjerëve për 80% krahasuar me vitin 2021. Sipas autoriteteve, mbi 15 mijë udhëtarë kanë frekuentuar aeroportin vetëm më 30 dhjetor, një ditë para ndërrimit të motmoteve. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ofron udhëtime në gjithsej 65 destinacione në botë. Në ndërkohë, në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës kanë frekuentuar saktë 2.964.845 milionë pasagjerë gjatë vitit 2022. Kjo është një rritje e konsiderueshme në krahasim me vitin 2021, kur Aeroportin e Prishtinës e frekuentuan 2.2 milionë udhëtarë. Gjithashtu, është rritur edhe numri i fluturimeve gjatë vitit të fundit. Në vitin 2022 kishte rreth 18.200 fluturime, krahasuar me vitin paraprak kur kishte 17.842. Vetëm gjatë dhjetorit, aeroportin “Adem Jashari” e kanë frekuentuar mbi 205 mijë udhëtarë.

    Aeroporti ndërkombëtar i Shkupit-TAV gjithashtu ka shënuar një rritje të konsiderueshme të udhëtarëve në krahasim me vitin paraprak. Sipas të dhënave për 9 muajt e parë të vitit 2022, aeroportin e Shkupit e kanë frekuentuar 1.8 milionë udhëtarë, që është një rritje prej 82% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Megjithatë, krahasuar me tre-katër vite më parë, konkretisht në 2017 dhe 2018, ka rënie të dukshme të numrit të udhëtarëve.  Sidoqoftë, numri i udhëtarëve ishte për 12% më i vogël se sa viti 2019, që merret si vit reference në krahasime sepse ishte viti i fundit para pandemisë së Covidit. Nga janari deri në shtator të vitit 2022, në aeroportin në Shkup dhe në atë në Ohër janë realizuar gjithsej 14.823 udhëtime.

    Megjithatë, përkundër subvencioneve të mëdha që Qeveria e Maqedonisë Veriore po bën për linjat ajrore, Kosova, respektivisht Aeroporti “Adem Jashari” e kishte tejkaluar Shkupin për herë të parë në vitin 2019, me 3% më shumë ose me mbi 38.000 udhëtarë diferencë. Tani në 2022, dallimi është më shumë se 1.1 milionë udhëtarë.  Duhet theksuar faktin se qytetarët e Maqedonisë Veriore për shumë vite gëzojnë të drejtën e udhëtimeve pa viza në zonën shengen. Por, sjellja e policëve dhe doganierëve kufitarë në aeroportin e Shkupit thuhet të jetë njëra nga arsyet pse po bie numri i udhëtarëve. Trajtimi jo i mirë i shtetasve kosovarë dhe atyre të Shqipërisë ka bërë që, shumë pak udhëtarë nga Kosova të shfrytëzojnë aeroportin e Shkupit.

    FREKUENTIMI NË VITIN 2022:

    Aeroporti i Tiranës: 5 milionë udhëtarë

    Aeroporti i Prishtinës: 2.96 milionë udhëtarë

    Aeroporti i Shkupit: 1.8 milionë udhëtarë /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Rama “trazon” skenën politike në RMV

    Lajmi i rradhës

    Abedini: Nuk do t’u hiqen qytetarëve tokat bujqësore private

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë