Ahengjet nuk janë fushëbeteja – MPB-ja e ashpër ndaj atyre me armë në dasma

    Autoritetet paralajmërojnë kontrolle të përforcuara nëpër ahengjet dhe dasmat e këtij sezoni. Drejtori i Byrosë për Siguri Publike nënvizon se do të jenë të pamëshirshëm, ndaj secilit që do të posedojë apo gjuaj me armë zjarri nëpër ahengje.

    “Edhe unë nëse do të kisha leje për armë, nuk kam, por nëse do të kisha leje, si person privat, është qartë e thënë se atë armë mund ta posedoj dhe jo ta mbaj me vete vazhdimisht. Çdo mbajtje dhe përdorim tjetër i armës është në kundërshtim me ligjin. Do të jemi të pamëshirshëm ndaj secilit, pasi një plumb i humbur mund të kushtojë jetë. Kemi raste në të kaluarën, ku nga festime të tilla janë lënduar rëndë persona, e disa madje edhe kanë vdekur. Arma nuk është lodër, arma është diçka që në një sekondë të rritet në kërcënimin më të madh për çdo individ”, tha Aleksandar Janev, Drejtor i Byrosë për Siguri Publike.

    Qytetarët i mirëpresin kontrollet, ata thonë se armët nuk janë lodra, dhe nuk duhet të përdoren nëpër ahengje.

    “Nuk ka siguri, domethënë me pistoleta nuk ka shaka, ajo është armë zjarri. Nëse janë të gëzuar, le të lëshojnë fishekzjarrë”, tha një qytetar.

    “Nuk është mirë gjuajtja me armë, por tani po e bëjnë, duhet të ketë ndalesa, se nuk dihet. Jo nuk je i sigurt normal”, shtoi një tjetër qytetar.

    “Normalisht se nuk duhet, duhet të ketë siguri, të jenë të gjithë të disponuar, të jenë të sigurt. Duhet të ketë më shumë (kontrolle), a e patë çfarë ndodhi në Koçan, duhet të gjithë të jenë të sigurte, të ndjehen këndshëm nëpër dasma, të jenë më të relaksuar”, theksoi një qytetar.

    Gjatë viteve të fundit, gjatë sezonit të verës, buletinet e policisë janë përplot me raste të aksidenteve nëpër dasma dhe ahengje të ndryshme, si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Politika në RMV kërkon pensionistë europianë, por ofron kushte ballkanike!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë