Ahmeti kritikon Kurtin dhe urdhëron qytetarët e Kosovës: vendosni ndërmjet Europës ose Rusisë

    Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka kritikuar ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për deklaratat e tij mbi gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut. Gjatë një tubimi në Studeniçan, Ahmeti theksoi se ndërhyrja e Kurtit ishte “e pabazë” dhe krijoi kënaqësi për qarqet antishqiptare në vend, përcjell Nistori.

    “Kryeministri i Kosovës ndërhyri për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut. Ndërhyrja e tij ishte poshtëruese saqë më vinte me plas kur dëgjoja antishqiptarët më të mëdhenj duke thënë: ‘Ja, kryeministri i Kosovës thotë se gjuha shqipe nuk është zyrtare në Maqedoni.’ Gjuha shqipe është zyrtare,” deklaroi Ahmeti.

    Apel për votime në Kosovë: “Zgjidhni mes Europës ose izolimit”

    Ahmeti ndali fjalën e tij edhe te zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, duke bërë thirrje për një pjesëmarrje masive në votime më 9 shkurt. Ai i ftoi qytetarët të vendosin për një Kosovë në aleancë me Europën, Amerikën dhe NATO-n, ose për një Kosovë të izoluar në pako me Rusinë dhe Bjellorusinë.

    “Për fat të keq, çdo ndërkombëtar që kam takuar gjatë dy vjetëve të fundit ka shprehur pakënaqësi të madhe për politikat ndarëse të institucioneve të Kosovës. Politika që nuk bashkëpunojnë me Amerikën dhe Europën krijojnë revoltë mes partnerëve ndërkombëtarë,” theksoi Ahmeti.

    Ai shtoi se e ndjen si detyrë morale të përcjellë këtë mesazh për bashkëluftëtarët në Kosovë.

    “Nuk dua që nesër të më thonë bashkëluftëtarët dhe patriotët se nuk e ngrita zërin. Prandaj, populli i Kosovës vendos vetë: A do të ecë drejt Europës dhe NATO-s apo do të mbetet i izoluar?” përfundoi Ahmeti. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Kasami: do të bashkëpunojmë me VMRO-në në zgjedhjet lokale

    Lajmi i rradhës

    Murtezani: Greqia, aleati ynë kryesor në udhëtimin drejt BE-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë