Ahmeti: vota e qytetarit nuk guxon të shkojë huq, këtë nuk do ta lejojmë

    Sot në një konferencë për media, kryetari i BDI-së së bashku me liderët tjerë në kuadër të Frontit Europian, tha se Fronti Europian ngadhnjeu si koalicion fitues në zgjedhjet presidenciale me diferencë prej 40.000 vota, ndërsa në ato parlamentare me mbi 31.000 vota dhe 6 deputetë më tepër.Fronti Europian mori 19 deputetë, ndërsa opozita 13 deputetë, raporton Nistori.

    Fronti Europian doli forca e dytë në shtet, që ndodh për herë të parë në historinë e vendit, por sipas Ahmetit këto rezultate u cënuan dhe vazhdojnë të cënohen nëpërmjet një inzhinjeringu zgjedhor në sytë e gjithë opinionit, vendor, rajonal dhe ndërkombëtar.

    “Humbësit e zgjedhjeve, pa legjimitetin e sovranit, u nënshtruan tërësisht duke injoruar vullnetin e popullit, Marrëveshjen e Ohrit, legjitimitetin dhe pa patur aspak respekt për ata që sollën të gjitha këto ndryshime cilësore në vendin tonë. Në këtë kontekst, qytetarët na pyesin, ç’kuptim ka demokracia në vendin tonë nëse komuniteti shumicë përcakton se kush i përfaqëson shqiptarët, turqit, romët, boshnjakët dhe komunitetet tjera?”, deklaroi Ahmeti.

    Ahmeti deklaroi se legjitimiteti është shtylla e stabilitetit, sigurisë, mirëqenjes, barazisë.

    “Prandaj, ne, bashkë, po nisim betejën e respektimit të frymës së Marrëveshjes së Ohrit që bazohet në legjitimitetin dhe të drejtën zakonore për përfaqësim nga ata që e kanë legjitimitetin e komuniteteve. Kur respektohet fryma e Marrëveshjes së Ohrit, shoqëria përparon dhe të gjithë bashkë barabarësisht jemi qytetarë të barabartë. Kur nuk respektohet fryma e Marrëveshjes së Ohrit, kthehemi në sisteme dhe kohëra tjera që bashkarisht i kemi braktisur. Prandaj, mos respektimi i legjitimitetit, është poshtërësim ndaj shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të tjerëve”, shtoi Ahmeti më tej.

    “Ne po nisim rrugëtimin për të mos e lejuar këtë majorizim që rëndon bashkëjetesën dhe demokracinë dhe ftojmë qytetarët që të na bashkangjiten në përpjekjet tona për ta mbrojtur votën, legjitimitetin dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit, por edhe Marrëveshjen e Prespës dhe atë të fqinjësisë së mirë për të ardhme europiane”, theksoi Ahmeti ndër të tjera.

    Vota e qytetarit nuk guxon të shkojë huç, shtoi më tej Ahmeti. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Kacarska e përfundoi mandatin trevjeçar në krye të Gjykatës Kushtetuese

    Lajmi i rradhës

    VMRO i përgjigjet Ahmetit: mos bëj si fëmijë i lazdruar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë