Kontrollime në pesë lokacione në Shkup, katër të arrestuar anëtarë të klanit “Belanoca-Baron”, prej të cilëve tek njëri është gjetur sasi e madhe marihuane, është rezultati i aksionit të madh policor të ditës së sotme “Bunker”, i zbatuar me urdhër të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Të gjithë personat ndiqen penalisht edhe për veprën penale vrasje, përkatësisht, sipas provave të prokurorisë, të dyshuarit janë bërë pjesë e një bande kriminale që ka vepruar për një periudhë më të gjatë dhe që kishte për qëllim të kryente vrasje për hakmarrje me porosi.
“Tre nga të dyshuarit, gjatë muajit korrik të vitit 2023, në territorin e Maqedonisë dhe Greqisë, të nxitur dhe me porosi nga një i dyshuar paraprakisht – organizatori i grupit, kanë ndërmarrë veprime të vëzhgimit të lokacionit të të dëmtuarit dhe kanë siguruar mjete për kryerjen e veprës penale, me ç’rast në Greqi është privuar nga jeta një anëtar i grupit të kundërt të organizuar kriminal “Gërçec”, njoftojnë nga Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Disa nga të dyshuarit kanë marrë pjesë gjithashtu në vrasje te “Rruga e Plastikave” në Shkup.
“Në maj të vitit 2024, përpara një objekti në rrugën e ashtuquajtur “Rruga e plastikave”, dy të dyshuar kryen vrasjen e një personi dhe gjatë largimit nga vendi i ngjarjes, qëlluan drejt një automjeti të parkuar pranë, duke plagosur persona të tjerë, njëri prej të cilëve ndërroi jetë. Do të kërkohet paraburgim për tre prej të dyshuarve”, thonë nga Prokuroria Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Kodi Penal parashikon dënim me burg prej të paktën dhjetë vite ose burgim të përjetshëm për hakmarrje dhe vrasje me pagesë. Përveç kërkesës së Prokurorisë për paraburgim për tre nga të dyshuarit, do të kërkohen masa paraprake për personin e katërt të privuar nga liria. /Alsat/