Në Dibër më shumë se dy dekada funksionon Qendra për Persona me nevoja të veçanta, në kudër të Qendrës për punë sociale, por këto ditë për herë të parë këta persona realizojnë aktivitete për zhvillimin e tyre fizik. Është një aktivitet teje i nevojshëm me që personat në fjalë kanë nevojë për më shumë aktivitete fizike, theksojnë në këtë Qendër. Projektin e realizojnë mërgimtarë Dibran që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bashkëpunim me profesorë të edukatës fizike nga shkollat e Dibrës.
Në Qendrën ditore thonë se aktiviteti po zhvillohet me sukses, dhe se personat me nevoja të veçanta realizojnë aktivitetet me shumë dëshirë. Gjatë aktiviteteve në fjalë, takuam edhe profesorin e edukatës fizike, Ujkan Jani, i cili është pjesë e këtij projekti dhe merret me trajnimin e personave. Jani, i cili është një aktivist i denjë në sferën e sportit në komunë por edhe ma gjerë, është pjesëmarrës në shumë projekte, por shton se këtë projekt e realizon me shumë dëshirë dhe emocion.
“Këtë projekt e realizojmë fal mërgimtarëve dibran që jetojnë në Amerikë, Arbër Kuka dhe Atdhe Trepça me Fondacionin të tyre ‘Happy People Foundation’, të cilët janë të njohur edhe për aktivitetet e tyre në sferën e shoqatave qytetare dhe përkrahjes së gjerë që deri tani i kanë dhënë Dibrës dhe dibranëve. Arbër Kuka ka përkrahje profesionale dhe është menaxher i iniciativës ‘Dibra Crossfit’. Projekti sapo ka filluar dhe do të zgjasë 3 muaj, por besojmë se ky projekt do të zgjasë edhe më tej”, thotë për gazetën Koha Ujkan Jani dhe shton se qëllimi i aktivitetit është që të përmirësojë cilësinë e jetës fizike në disa aspekte të personave me aftësi ndryshe.
“Aktivitetet ndikojnë në përmirësimin e shëndetit fizik, forcimin e muskujve, dhe koordinimit të aftësive motorike. Po ashtu ka ndikim në shëndetin mendor dhe vetëbesim”, shton Jani.
Me projektin në fjalë, i cili është përshëndetur nga Qendra për punë sociale dhe mbarë dibranët, reduktohet stresi dhe personat e këtilla më mirë integrohen në shoqëri, shtojnë realizuesit të projektit. Është ky projekti i parë i këtij lloji dhe në sektorin civil japin vlerësime shumë të larta për aktivitetet e diasporës dibrane. Arbër Kuka si dhe Atdhe Trepça të cilët po ashtu edhe në Amerikë janë duke realizuar shumë projekte të këtilla, potencojnë se edhe në të ardhme do të ndihmojnë vendlindjen me projekte si në sferën e humanizmit ashtu edhe në sferën e sportit. Edhe deri tani mërgimtarët në fjalë kanë ndihmuar disa institucione me sigurimin e pajisjeve dhe automjeteve për personat me nevoja të veçanta, por kanë financuar dhe ndihmuar edhe sigurimin e shpëtimtarëve në bregun e liqenit të Dibrës gjatë sezonit veror, dhe shumë aktivitete të tjera sportive.