Arrestohen shtatë persona për shitje të parcelave EVN-së

    Fotografia nuk është nga aksioni i arrestimit, por është ilustruese

    Shtatë ish-zyrtarë, si dhe anëtarë të VMRO-DPMNE-së, mbrëmë janë ndaluar në stacionin policor pasi Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup.

    Dy prej tyre janë menaxherë aktualë të departamenteve në Termocentralet EVN Maqedoni. Policia dyshon se menaxherët me vetëdije dhe me dashje kanë përgatitur një analizë në të cilën kanë paraqitur të dhëna të rreme për tokat në Dellçevë që nuk i plotësojnë kushtet ligjore për shndërrimin nga tokë bujqësore në ndërtimore në mënyrë që EVN të ndërtojë termocentrale fotovoltaike në to.

    Ata kanë arritur që ta bindin pronarin e tokës private në Dellçevë që t’i blihet prona për një shumë të caktuar, por të pajtohen që në dokumente të qëndrojë se e dhuron falas. Por, pronën “e dhuruar”, për disa ditë ia kanë shitur EVN-së për 1.6 milion euro.

    “I paraqituri i parë dhe i dyti në cilësinë e udhëheqësve në EVN-Elektrana Maqedoni me vetëdije dhe me qëllim të caktuar paraprakisht, me përgatitje të analizës së harxhimeve dhe fitimeve me të dhëna të rrejshme, duke mbuluar fakte thelbësore, në mënyrë të rrejshme dhe jopërkatëse kanë prezantuar toka sikur të jenë përkatëse për qëllimin që blihet për shkak faktit që disa toka nuk i kanë plotësuar kushtet për shndërrimin e tokës bujqësore në tokë ndërtimore dhe disa toka janë në kategorizim jopërktatës të tokave për qëllimin për të cilin blihen”, thonë nga Policia Financiare.

    Ata shtojnë se duke prezantuar çmime të tregut që nuk janë në pajtueshmëri me çmimet reale të tokave në treg, për klasën dhe kategorizimin konkret të tokës, duke mbuluar fakte se personat fizik të paraqitur-shitës mes vete janë të lidhur, e kanë hutuar Bordin Drejtues të EVN-së që të miratojë vendim për nënshkrimin e marrëveshjes për shitblerje të pronës së patundshme për ndërtimin e centraleve fotovoltaike.

    Policia Financiare ka bërë të ditur se toka është paguar gati 100 milionë denarë ose 1.6 milionë euro, ndërkaq toka ka kushtuar 50 herë më pak, gjegjësisht rreth 35 mijë euro. Hetimi pas paraqitjes së EVN-së kulmoi vitin e kaluar më 11 nëntor, kur Kuvendi duhej të diskutonte për interpelancën e qeverisë së Zaevit dhe kur u zhduk deputeti i Besës, Kastriot Rexhepi, i cili ishte nënshkruesi kryesor i kërkesës për shkarkimin e qeverisë. Në atë mëngjes herët janë bërë bastisje në shtëpitë e babait të deputetit të VMRO-DPMNE Jaulesk dhe në shtëpinë e Igor Gievskit, të cilët ishin udhëheqës në EVN. Policia Financiare ka hetuar nëse paratë nga kjo marrëveshje kanë përfunduar në parti dhe për qëllime partiake, sepse të gjithë të dyshuarit kanë qenë të lidhur me VMRO-DPMNE-në. Por këto dyshime nuk janë konfirmuar.

    Lajmi Paraprak

    Arsovski pyet Kaevskin: Ku e keni Katica Janevën?

    Lajmi i rradhës

    Shehapi: KOM-i dhe BFI-ja, kanë ndikimin më të madh në vend

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë