Inxhinierja me burkë që punon në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Jemenit

    Kjo grua punon për të ruajtur ndërtesat historike dhe qytetet që janë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, shkruan BBC.

    Si fëmijë, Harbia Al Himiary admironte arkitekturën e vendlindjes së saj – Jemenit. Në qytetin Sanaa ku lindi, ajo u magjeps nga gdhendjet në qytetin e vjetër, në pjesën e kryeqytetit që banojnë njerëz prej më shumë se 2500 vjetësh.

    Është pikërisht ky vend i lashtë që e frymëzoi 37-vjeçaren për ta rindërtuar atë, si pjesë e projektit të OKB-së që ajo e drejton. Harbia është njëherit gruaja e parë inxhiniere dhe drejtuese e një projekti ndërtimi në këtë vend.

    “Gratë kryesisht nuk merren me këtë punë. Kam dashur të jem unike në këtë punë dhe të punojë diku ku mund të thyej barrierat gjinore”, tha ajo për BBC.

    Jemeni është një shoqëri patriarkale dhe thellësisht konservatore, ku gratë përbëjnë një pjesë të vogël të fuqisë punëtore, kryesisht në bujqësi, shërbime dhe biznese familjare.

    Si adoleshente, Harbia u rebelua kundër kësaj dhe u regjistrua në shkollën e mjekësisë për ta kuptuar pas dy javësh se kjo nuk ishte ajo që donte të bënte. Por, puna në inxhinieri.

    Ajo thotë se ka pasur përkrahjen e prindërve kur u regjistrua në fakultet, pasi e panë se ishte e “lumtur”.

    Pasojat e luftës që akoma vazhdon janë të dukshme në çdo hap dhe shkatërrojnë mjedisin natyror dhe ekonominë e Jemenit. Tre nga 52 vendet e “rrezikuara” në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, ndodhen pikërisht në Jemen.

    Një prej tyre është qyteti i dashur i Harbias, Sanaa me xhaminë e madhe të ndërtuar në shekullin e VII. Qyteti historik Zabid dhe qyteti i vjetër i Shibamit klasifikohen gjithashtu si vende që janë “në rrezik”, dhe kjo është arsyeja pse Harbia dhe ekipi i saj janë në luftë me kohën.

    Projekti i UNESCO-s, “Cash for Business” tashmë ka ndihmuar në rinovimin e 162 ndërtesave në Sanaa, Shibam dhe Zabid si dhe në qytetin e Adenit.

    Fillimisht, UNESCO planifikoi të listonte dëmet e shkaktuara në 8.000 ndërtesa me rëndësi historike. Edhe ia dolën. Por, tani ky numër është rritur në 16.000. Synimi tjetër i projektit është të sigurojë të ardhura për një periudhë afatgjatë për 4.000 të rinj.

    Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, më shumë se dy të tretat e 29 milionë banorëve të Jemenit janë më të rinj se 30-vjeç, dhe një e katërta e tyre janë të papunë.

    Gjatë fushatës 60-vjeçare ushtarake saudite kundër rebelëve Houthi – të cilët dëbuan qeverinë jemenase nga Sanaa – shumë ndërtesa u shkatërruan dhe kryeqyteti u mbulua nga gërmadhat.

    Kur Harbia udhëtoi nga Sanaa në drejtim të Zabidit, zbuloi ndërtesa që dikur ishin vende grumbullimi për banorët, por tani ato janë të shkatërruara plotësisht – pra pa mure, kulme të paqëndrueshme dhe të rrezikshme.

    Disa nga detyrat e saj më të mëdha është gjetja e materialeve të nevojshme për restaurimin e këtyre ndërtesave. Por, puna është e ngadaltë dhe shumë e mundimshme.

    Nevojitet të rinovohen saktësisht siç duhet me detaje arkitekturore, kulmet e vizatuara, ndërrimin e trarëve të kalbur të importuar nga Arabia Saudite – vetëm ky proces zgjat tre muaj. E derisa është në pritje të materialeve, duhet të jetë shumë e kujdesshme që ndërtesat të mos shemben mbi njerëzit që jetojnë ende në to.

    Por, ekzistojnë edhe probleme tjera siç është siguria, pasi në këtë vend akoma vazhdojnë konfliktet e armatosura. Koordinatorët lokalë duhet të negociojnë me të gjitha fraksionet e përfshira në luftime, në mënyrë që Harbia dhe ekipi i saj të mund t’i afrohen ndërtesave pa u brengosur për sigurinë e tyre.

    Madje edhe puna përgatitore është shumë e rrezikshme. Është e nevojshme të kryhen skanime 3D për të vlerësuar sesa është e dëmtuar një ndërtesë. Harbia fillimisht përdori dronët, por për shkak të luftës që vazhdon akoma, asaj i duhet të marrë leje për përdorimin e tyre.

    E duke marrë parasysh se dronët përdoren nëpër konflikte, kjo do të mund të ishte shumë e rrezikshme për të dhe ekipin e saj. Ekziston edhe problemi i mungesës së fuqisë punëtore të trajnuar, në veçanti të atyre që janë të specializuar për të punuar në ndërtesa historike.

    “Të rinjtë nuk po i ruajnë aftësitë tradicionale për ndërtim. Konsiderojnë se nuk është një karrierë e përshtatshme për ta”, thotë Harbia.

    Në vend që të presë punëtorë të trajnuar, Harbia po stërvitet vet. Ajo drejton një ekip prej 24 personave dhe ka ndihmuar në trajnimin e 211 inxhinierëve dhe zejtarëve të specializuar – ku gjysma prej tyre ishin gra.

    “Kam qenë e befasuar me numrin e grave që dëshironin të trajnohen në fushat që tradicionalisht ishin të meshkujve. Jetojmë në një shoqëri konservatore dhe disi kam pritur që asnjë grua të mos shpreh interesim”, tha Harbia e cila është e mbuluar plotësisht me burka siç e kërkojnë edhe normat në Jemen.

    Thotë se është krenare që po ndihmon në ruajtjen e peizazhit historik të Jemenit – dhe këtë po e bënë për gjeneratat e ardhshme.

    “Përkundër sfidave dhe vështirësive, jam e lumtur për këtë punë. Pavarësisht gjithçkaje që po kalon ky vend, me punën time mund të ndihmojë në ruajtjen e historisë dhe trashëgimisë së vendit”, tha ajo për fund.

    Lajmi Paraprak

    Gjermania nuk e pranon rezultatin e Topit të Artë, “BILD” e cilëson si skandal

    Lajmi i rradhës

    Së pari detaje për Omicronin, pastaj masa të reja

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë