Kovaçevaski: Nuk dua të besoj se Bilall Kasami është bërë peng i Dimitar Apasievit

    Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se vetëm partia E majta është kundër hyrjes së Maqedonisë në BE, duke shtuar se nuk dëshiron të besojë se Besa e Bilall Kasamit është bërë peng i Dimitar Apasievit, pasi dje kryetari i Komunës së Tetovës tha se partia e tij do të mbështesë ndryshimet kushtetuese vetëm nëse ka zgjedhje të parakohshme parlamentare.

    “Kjo është çështje parimore dhe kushtëzimi për çështje të tilla është i papranueshëm. Anëtarësimi në BE është një proces i pakthyeshëm dhe ai proces mund të bllokohet vetëm nga ata që janë kundër anëtarësimit në BE. Ka një parti të tillë, është Partia e Majtë dhe nuk dua të besoj se edhe zoti Kasami e ka vënë veten peng të Partisë E Majta. Kushtëzimi i vendimeve kaq të rëndësishme po pengon të ardhmen e vendit. Proceset që kanë rëndësi strategjike nuk mund të jenë objekt shantazhi, ato janë të qytetarëve. Imagjinoni që në vendimin e radhës të BE-së dikush të thotë se do t’ju mbështesim vetëm nëse ka zgjedhje të parakohshme në Tetovë”, tha Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në konferencën e sotme në Qeveri për buxhetin e Ministrisë së Ekonomisë për vitin 2023.

    Ndaj kësaj deklarate të Kovaçevskit ka reaguar kreu i Besës Bilall Kasami. Përmes një kumtese për mediat ai tha se e kupton që kryeministri Kovaçevski është në situatë të pa lakmueshme dhe duke mos pasur kapacitetin politik dhe legjitimitetin për të udhëhequr me Qeverinë e vendit, devijon qendrimet politike të Lëvizjes BESA.

    “Kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare është kërkesë e shumicës së qytetarëve, pasi që kjo qeveri nuk buron nga legjitimiteti i marrë nga zgjedhjet e fundit parlamentare, prandaj nuk duhet që kryeministri t’i përzien tezat për ndryshimet kushtetuese dhe zgjedhjet e parakohshme. Ndërsa, kur flasim për ndryshimet kushtetuese, Lëvizja BESA edhe njëherë riafirmon qendrimin e saj se kërkon që të hiqet termi “20%” dhe të zëvendësohet me termin “gjuha shqipe”. I nderuar kryeministër, çdo kush që është kundër gjuhës së një populli e sidomos në rrethanat e Maqedonisë së Veriut detyrimisht është edhe kundër vlerave evropiane dhe Bashkimit Evropian!”, thuhet ne reagimin e Bilall Kasamit.

    Kasami tha dje se Besa nuk do të mbështesë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, nëse qeveria nuk dorëzohet për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

    “Nëse përparësia e qeverisë është ndryshimi i Kushtetutës dhe futja e bullgarëve në të si komb, atëherë duhet bërë një kompromis për zgjedhje të parakohshme,” tha Kasami në një konferencë shtypi.

    Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

    Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

    Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

    Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

    Lajmi Paraprak

    MMJPH shpalli gjendje alarmante në Maqedoninë e Veriut për shkak të ajrit të ndotur

    Lajmi i rradhës

    Gruaja indoneziane falsifikoi vdekjen e saj për shkak të borxhit – ajo postoi edhe foto të ‘kufomës’ për ta vërtetuar atë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë