Nga floriri tek Bitcoin-i, ja si do të jetë e ardhmja e ekonomisë

    Paola Subacchi
    “Nature”

    Doni të kuptoni arsyen pse qytetarët në El Salvador dolën të protestojnë në rrugë për miratimin e Bitcoin si një monedhë e ligjshme? Atëherë lexoni librin e ri të ekonomistit Eswar Prasad “The Future of Money”(E ardhmja e parasë).

    Në të ai shpjegon se inovacionet në sistemet e pagesave dhe monedhat, pasqyrojnë si ndryshimet e rëndësishme në ekonominë botërore, pasi i integrojnë vendet e mëdha në zhvillim, si Kina, ashtu edhe transformimin gjithëpërfshirës dixhital.

    Ndërsa zhvendosja e parave nëpër botë është bërë më pak e kushtueshme, Prasad analizon sesi inovacioni dixhital po e ndryshon atë si një mjet dhe një koncept. Këtë transformim e mishërojnë 2 gjëra. E para ka të bëjë me paratë si një entitet fizik. Dixhitalizimi i pagesave e sfidon idenë e parave të gatshme si forma më përfundimtare e parasë. Megjithatë transaksionet pa para ta gatshme, sjellin një humbje të privatësisë pasi ato lënë gjurmë elektronike. Por kjo gjë nuk duket të jetë një problem për shumicën e njerëzve dhe bizneseve që i kryejnë ligjërisht transaksione të tilla.

    Dhe kërkimi i pagesave dixhitale për transaksionet mbi një shumë të caktuar, do të ndihmonte në tkurrjen e ekonomisë informale. Për shembull, në Itali ku kjo lloj ekonomie arrin në rreth 15 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, pagesat prej 2.000 eurosh apo më shumë nuk mund të shlyhen më në para të gatshme.

    Qeverisja e të dhënave të mbledhura përmes transaksioneve dixhitale, mbetet një pyetje e hapur, e cila nuk mund të shpërfillet duke u cilësuar si produkt i paranojës libertariane mbi “ndërhyrjet e dëmshme ose të gabuara të qeverisë”, siç thotë një analist.

    Ruajtja e lirive dhe privatësisë individuale, është një çështje legjitime në një shoqëri të hapur dhe demokratike, në të cilën shqetësimet mbi përdorimin e të dhënave personale trajtohen në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme.

    Prasad sheh përtej sipërfaqes së kësaj teme komplekse. Ai duket i kënaqur me perspektivën e zgjerimit të rregullimit ekzistues financiar. Për shembull, ai flet mbi rregullimin e këtij sektori dhe mënyrës se si dhe kur kompanitë e teknologjisë financiare (fintech) duhet të dorëzojnë të dhënat personale, në vend se të ri-mendohet i gjithë kuadri rregullator.

    Aspekti i dytë i sfidës së parasë dixhitale,ka të bëjë me emetuesin e monedhës dixhitale dhe garancitë që ai jep. Në mënyrë konvencionale, monedhat e prodhuara dhe të garantuara nga bankat qendrore janë mjete të ligjshme. Për shembull, ato duhet të pranohen për shlyerjen e çdo detyrimi të borxhit ndaj një pale private.

    Por sot kriptomonedhat e lëshuara nga subjektet private, veçanërisht Bitcoin, janë tashmë pjesë e një numri transaksionesh në rritje. Madje,Bitcoinu pranua për një kohë të shkurtër si një mjet pagese edhe nga prodhuesi i makinave elektrike Tesla, derisa kreu ekzekutiv i kompanisë, Elon Musk, u sensibilizua ndaj shqetësimit mbi ndotjen e madhe mjedisore që shkakton prodhimi i kësaj monedhe dixhitale.

    Atëherë, kush apo çfarë është në rrezik këtu? Kriptomonedhat private janë para jo-konvencionale, gjë që do të thotë se vlera e tyre nuk mbështetet nga një aset i prekshëm siç është ari. Ato ndajnë disa tipare me monedhat që emetojnë bankat qendrore, si aftësia për të shlyer pagesat.

    Por ndërkohë kriptomonedhave u mungon transparenca, llogaridhënia dhe qeverisja. Ato janë më pak të sigurta(për shembull nëse keni Bitcoin, dhe e humbni fjalëkalimin tuaj unik, ju e humbni përgjithmonë qasjen në llogarinë tuaj), ato janë më të paqëndrueshme, dhe nuk mund të sigurojnë të njëjtin nivel anonimiteti si paraja e gatshme.

    Prasad arrin në përfundimin se kriptomonedhat private – sikurse është Diem i propozuar nga Facebook (i njohur më parë si Libra) – janë më shumë një modë sesa një kërcënim serioz ndaj parasë tradicionale. Ato ka të ngjarë të bëhen asete që do të zotërohen me tepër nga spekulatorët, në kushtet kur bankat qendrore po përgatiten tashmë që të hedhin në treg monedhat e tyre dixhitale.

    Pavarësisht titullit “E ardhmja e parave” libri nuk merret vetëm me ndryshimet që do të ndodhin në shërbimet bankare dhe ato financiare. Prasad është shumë i interesuar për ndikimin social të dixhitalizimit të parasë, siç është bërja më gjithëpërfshirëse e financave. Sipas Bankës Botërore, gati 1.7 miliardë të rritur në mbarë botën nuk kanë llogari bankare. Ndër të tjera, kjo do të thotë se emigrantët që duan të dërgojnë para në shtëpi, mbështeten shpesh në shërbime dërgesash që janë shumë të shtrenjta ose tek lidhjet personale.

    Fintech mund të ofrojë shërbime financiare të lira për të gjitha pjesët e shoqërisë, përfshirë familjet rurale,dhe ato me të ardhura të ulëta. Për shembull, në Kenia shërbimi bankar mobil M-Pesa i prezantuar në vitin 2007, i lejon bizneset e vogla në zona të largëta që të ruajnë dhe transferojnë para në mënyrë të sigurt dhe të lehtë përmes telefonave celularë.

    Ashtu si me të gjitha përpjekjet për të përcaktuar një të ardhme të pasigurt, edhe e ardhmja e parave lë hapur shumë pyetje. Gjithsesi në një pikë, Prasad duket i sigurt, se ndonëse paratë e gatshme do të bëhen më periferike, ato nuk do të dalin asnjëherë plotësisht nga përdorimi. Prasad e pranon se njerëzit duan që ta mbrojnë privatësinë e tyre.

    Ai arrin në përfundimin se përderisa njerëzit e vlerësojnë komoditetin dhe anonimitetin, një shoqëri pa para të gatshme është jashtë çdo lloj diskutimi. Dhe në fakt është e vështirë të mos pajtohesh me të.

    Heqja plotësisht dorë nga paraja fizike do të kërkonte ekzistencën e shoqërive plotësisht dixhitale, me një infrastrukturë të gjerë dhe të besueshme, një qasje universale në pajisjet dixhitale, dhe njerëz që janë të kënaqur me lënien e gjurmëve elektronike. Edhe pse pandemia ka sjellë shtimin e madh të pagesave dixhitale, mbase në çdo rast do të ishte mirë të mbajmë gjithmonë pak para të gatshme me vete.

    Lajmi Paraprak

    Si po ndodh “arratia” e bimëve në veri të Europës, për shkak të ndryshimeve klimatike

    Lajmi i rradhës

    Si mund të shmangen krizat, si ajo e fundit në kufirin Kosovë-Serbi?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë